Që nga intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur më 1999 në mbrojtje të shqiptarëve të dëbuar, Evropa nuk është më siç ishte më parë. Një dëshmi e qartë se Rambouilleti nuk ishte thjesht një episod jetëshkurtër diplomatik, ishte më pas reagimi i shpejtë dhe i vendosur i NATO-s dhe BE-së ndaj luftës së ngjashme civile në konfliktin midis pakicës shqiptare dhe autoriteteve shtetërore në Maqedoni në vitin 2001
Marshimi i helmet-kaltërve ndërkombëtarë në Kosovë në qershor të vitit 1999, pati një pasojë unike sa u përket zhvillimeve evropiane të dëbimeve të shekullit 20. Brenda pak javësh u revidua spastrimi etnik i miliona njerëzve përmes kthimit në vendbanimet e tyre të pothuaj tërë të dëbuarve dhe u zbatua suksesshëm në praktikë qëllimi i ri i së Drejtës Ndërkombëtare për “kthimin e shpejtë të refugjatëve”. Në të vërtetë, mund të thuhet se shqiptarët e rikthyer menjëherë dëbuan rreth 110.000 serbë dhe 10.00 romë si “kolaboratorë” dhe më 2004 sërish nga veprimet e dhunshme të palës shqiptare kundër serbëve dhe romëve erdhi deri shpërngulja e mbi 4000 personave.
Rambouilleti jo vetëm episod
Që nga intervenimi i NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur me 1999 në mbrojtje të shqiptarëve të dëbuar, Evropa nuk është më siç ishte më parë, domethënë se fundi siç qe bërë më 1913, sepse një zmbrapsje dhe korrigjim kaq i shpejtë i plotë i një procesi të dëbimit në një sipërfaqe kaq të madhe nuk ishte parë deri atëkohë – një rrethanë kjo që relativizon shumë kundërshtimet e të drejtës ndërkombëtare nga këndvështrimi i kritikëve në lidhje me mungesën e një mandati të OKB-së për ndërhyrjen e NATO-s. Një dëshmi e qartë se Rambouilleti nuk ishte thjesht një episod jetëshkurtër diplomatik, ishte më pas reagimi i shpejtë dhe i vendosur i NATO-s dhe BE-së ndaj luftës së ngjashme civile në konfliktin midis pakicës shqiptare dhe autoriteteve shtetërore në Maqedoni në vitin 2001: një ndërhyrje diplomatike e menjëhershme dhe me mbështetje ushtarake në sfond, çoi në Marrëveshjen e Ohrit që e zbuti krizën brenda pak muajsh.
Kështu aprovimi implicit i politikave shtetërore për dëbimet, jo vetëm që i dha fund përçmimit moral mbarëbotëror, mosveprimit diplomatik-ushtarak dhe përndjekjeve juridikisht të dënueshme – për këtë u krijua qysh më 1993, pra ende përpara ICC-së, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY) po në Hagë – por zmbrapsja dhe korrigjimi i migrimeve të detyruara u bë normë e detyrueshme e së drejtës ndërkombëtare për të gjitha shtetet. Ndërkaq ky parim i ri themelor është njëherazi vlerë e përbashkët dhe universale e të gjithë (ose gati të gjithë) opinioneve kombëtare të Evropës. Në këtë kontekst, në perspektivën e evropianëve ky parim i ri themelor vlen jo vetëm për Evropën vetë, por për mbarë botën – kujto për shembull politikën e Bashkimit Evropian për krizën në Darfur, pra dëbimin brendashtetëror të popullsisë afrikane me ngjyrë të Sudanit të shkaktuar prej policisë shtetërore arabe Djandjawid qysh prej 2003, si dhe tani urdhër-arrestin ndërkombëtar kundër presidentit sudanez Omar al-Baschir si iniciator i dëbimeve dhe gjenocidit ndaj 200.000 njerëzve, po ashtu interesin aktual të diplomacisë gjermane mbi “shtendosjen” e konfliktit në Abkazi të Gjeorgjisë, me rrezikshmërinë e saj të lartë për dëbime njerëzish, ose pak më përpara kësaj, pjesëmarrjen evropiane në trupat paqeruajtëse Interfet si dhe në administratën provizore UNTAET të Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor, dikur i portugezëve, më pas i indonezianëve dhe prej 1999 shtet sovran.
Zinxhiri i rrethanave tragjike
Mbetet gjithsesi ende çështje kyçe se çfarë e shkaktoi këtë ndërrim të paradigmave në të Drejtën Humane Ndërkombëtare në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në opinionin evropian, sa i përket migrimit të detyruar në fundshekullin e 20. Duke u ndalur tek Daytoni, krahas raporteve mbi Srebrenicën dhe fotove nga kampet e urisë dhe të torturave si Omarska, një rol të rëndësishëm ka luajtur pa dyshim frika prej zhvillimeve post-sovjetike që deri atëherë kishin qenë çuditërisht paqësore, por që konsideroheshin si potencialisht të dhunshme. Një politikan prominent më 1992 në Helsinki ka deklaruar se finlandezët si fqinjë direkt të Bashkimit Sovjetik domethënë të Federatës Ruse, ndihen si banorë të një familjeje në një shtëpi, që kufizohet mur me mur me një qiellgërvishtës shumëkatëshe që po shembet. Sipas tij kjo vlente njëlloj për të gjithë evropianët, në Perëndim a në Lindje. Për shenjë të luftërave me motive të spastrimit etnik, përkatësisht në luginën rusofone të Dnjestrit në Moldavi, në malin armen Karabach të Azerbajxhanit, në Osetinë Jugore dhe në Abkazi të Gjeorgjisë, si dhe para së gjithash të përshkallëzimit të luftës në Çeçeni në kuadër të Rusisë, në mbarë Evropën u shtua paniku i valëve të mëdha migruese. Në Bashkësinë e atëhershme Evropiane mundësia e një vërshimi refugjatësh nga hapësirat post-sovjetike, përveç atyre që vërshonin tashmë prej ish-Jugosllavisë, shihej si një skenar i tmerrshëm, por edhe politikanë rusë si presidenti Boris Yeltsin dhe ministri i Jashtëm, Andrey Kozyrev i konsideronin reale rreziqet e këtij lloji, duke qenë për një kohë të gjatë në harmoni me Brukselin dhe Washingtonin.
Historiani i Evropës Lindore Karl Schlögel këto zhvillime i interpretuar si pozitive, kur ai gjatë entuziazmit pas kohës së kthesës të “lindjes së një hapësire të diskursi të ri gjithë-evropian” konstatoi “paralajmërimin e evropianizimit të veprimeve të dëbimit”. Me përfundimin e konfrontimeve Lindje-Perëndim si ekspertët francezë edhe ata gjermanë të së drejtës ndërkombëtare në të njëjtën kohë kanë idenë e mundësisë së zhvillimit të të drejtave të njeriut “ordre public européen” dhe Jürgen Habermas në kontekstin e ish-Jugosllavisë madje vuri në dukje “"një hap në rrugën e së drejtës tradicionale ndërkombëtare të shteteve tek e drejta kozmopolite e një shoqërie kozmopolitite.”
Masakrat serbe ndaj shqiptarëve
Koalicion të arsyeshëm Lindje-Perëndim në vitin 1995 ndikoi në lëshimin pe të Millosheviqit, dhe si përfundim bëri të mundur kompromisin e Daytonit. Megjithatë, në këtë pikë aktorët perëndimorë patën probleme të mëdha me lënien jashtë marrëveshjes të problemit të Kosovës. Kjo do të thotë se pas Daytonit hëpërhë nuk u duk ndonjë çtensionim, përkundrazi Perëndimi e vështronte si lepuri para gjarprit politikën serbe në Kosovë. Nuk ishin as fushatat e spastrimit etnik të Beogradit në pranverën dhe verën e 1998-s, por pikërisht masakrat serbe ndaj shqiptarëve në janar 1999, ato që shtynë bashkësinë ndërkombëtare për ndryshmin e qëndrimit në drejtim të ndërhyrjes masive – fillimisht me mjete diplomatike. Nga këndvështrimi mbarevropian duke përfshirë Rusinë (me përjashtim të Greqisë), despoti serb tashmë i ishte afruar tej mase linjës së kuqe. Me refuzimin e nënshkrimit të projekt-marrëveshjes së Rambouilletit dhe kthimin rishtazi të politikës së dëbimeve, ai e kapërceu këtë linjë. Konsekuenca e paralajmëruar qysh më parë, ishte operacioni i luftës ajrore “Allied Force” i NATO-s.
Lidhur me këtë, një përgjigje provizore dhe pjesërisht paradoksale ndaj pyetjes thelbësore mbi shkakun e ndërrimit të këtyre paradigmave do të ishte: Ishte një vargëzim fatlum i ngjarjeve tragjike pas vitit të kthesës 1989. Këtu viti “1989” duhet konceptuar në mënyrë të dyfishtë: Si vit i “revolucionit paqësor” në Poloni, Hungari dhe RDGJ, por njëherazi edhe si fillim i papërgjakshëm i fundit të përgjakur të Jugosllavisë, sepse pikërisht në atë vit Millosheviqi rrëmbeu, pa u vënë re ndërkombëtarisht dhe duke shkelur Kushtetutën Federale Jugosllave, autonominë territoriale të Provincës Autonome Socialiste të Kosovës. Më 1999, tetë vjet pas sulmit nën komandën serbe të Ushtrisë Popullore Jugosllave kundër ish-Republikave Federative të shpallura të pavarura, të Sllovenisë dhe Kroacisë, lufta në Jugosllavi u rikthye po aty ku kishte nisur fillimisht konflikti – pikërisht në rajonin të populluar homogjen me shqiptarë në jugperëndim të Republikës Federative Serbe. Fundi i gatishmërisë së bashkësisë ndërkombëtare dhe i opinionit evropian për të aprovuar më tej spastrimin etnik si dukuri shoqëruese ose si mjet, madje si qëllim të politikave shtetërore, ishte shkaku për ndryshimin e thellë në konceptimin juridik ndërkombëtar – duke marrë si shkas luftën e Kosovës. Prej atëherë, sovraniteti i shteteve më nuk konsiderohet si vlera më sublime e së Drejtës Ndërkombëtare, por e Drejta e Njeriut për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe e drejta e sigurisë në vendbanimin e trashëguar. Shtetet që nuk e garantojnë këtë, por që dëbojnë qytetarët e tyre brenda ose përtej kufijve shtetërorë, mund të humbin të drejtën e sovranitetit mbi pjesë të territorit të tyre – me pasoja ndarje shtetërore dhe themelim të shteteve të reja siç ndodhi më 2008 me krijimin e Republikës së Kosovës bashkë me njohjen ndërkombëtare të saj. Ky është leksioni që del jo vetëm nga luftërat e Jugosllavisë, por nga i tërë shekulli i kaluar.
Përfundim
Nëse – dhe në rast se po – do të merret parasysh ky leksion edhe në kontekst të konfliktit të ri rajonal ruso-gjeorgjian për Osetinë Jugore dhe Abkhazinë, mbetet të shihet. Megjithatë, është simptomatike se të dyja palët në konflikt kanë justifikuar ndërhyrjen e tyre ushtarake me nevojën për të parandaluar apo dhënë fund spastrimin etnik. Ngaqë në vitin 1992 me miratimin e Moskës vazhdoi dëbimi i qindra mijëra gjeorgjianëve nga të dy pjesët e pakontrolluara nga Tbilisi, që u realizua nga vetë forcat e armatosura të Federatës Ruse, nuk është një shenjë e mirë: as bashkësia ndërkombëtare e paralizuar nga prania e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si dhe as një aleancë ushtarake si NATO-ja dhe as ShBA-ja do të imponojnë anulimin e fuqisë hegjemoniale euroaziatike gjatë fshehjes të politikës së dëbimit, respektivisht do të bien në krahët e spatsrimit etnik në transkaukaz. Dhe BE-ja e zgjeruar rreth Rusisë është e paralizuar për shkak të kontraditës midis Evropës së “vjetër” dhe të “ri”.
Pavarësisht nga përpjekjet shumëvjeçare politike-historike të Këshillit të Evropës dhe më aktualisht të BE-së, historia e Evropës deri në të kaluarën më të afërt të saj, zor se mund të shkruhet si histori e suksesshme dhe gjithashtu nuk shërben si teologji prej antikitetit e deri më sot, apo më së shumti prej Unionit të Montanës deri tek zgjerimi i BE-së drejt Lindjes. Por sa i përket ndërrimit të paradigmave në çështjet e migrimit të detyruar, të iniciuar dhe të motivuar etnopolitikisht nga pala shtetërore, atëherë faktikisht kemi të bëjmë me një histori suksesi. Për të arritur këtë, evropianët, duke përfshirë midis tyre sidomos edhe demokratët, kanë përshkuar një rrugë shumë të gjatë në shekullin e “shkurtër” 20-të. Kjo rrugë kaloi nga aprovimi i sanksionuar shtetëror i shkëmbimeve të detyruara të popullsive, te përçmimi dhe dënimi ndërkombëtar i spastrimeve etnike, me tej tek e Drejta Ndërkombëtare për kthimin e refugjatëve e të dëbuarve përfshirë kthimin ose dëmshpërblimin e pronës, si dhe para së gjithash tek gatishmëria për ndërhyrjen aktive diplomatike e madje ushtarake në konflikte të tilla kudo në botë, ku shfaqet ose ka zënë fill rreziku i shpërnguljeve, dëbimeve dhe zhvendosjen e të arratisurve. Padyshim ky është një sukses, madje i tillë, me të cilin deri në dekadën e shekullin të kaluar “shekullit të dëbimeve”, nuk ishte pritur.
Stefan Troebst, historian dhe sllavist, është profesor i studimeve kulturore në East, Evropën Lindore e atë Qendrore në Universitetin e Leipzigut dhe zëvendësdrejtor i Qendrës së Shkencave Humane dhe Kulturës së Evropës Lindore e Qendrore (GWZO). Nga vitet 1996-1998 ishte drejtor themelues i Qendrës Evropiane gjermano-daneze për Çështje Minoritare (ECMI) në Flensburg, në vitet 1992-1995 ishte anëtar i misioneve afatgjata të OSBE-së në Maqedoni dhe Moldavi. Disa prej veprave të tij janë: “Das makedonische Jahrhundert”, München 2007; “Zwischen Nostalgie und Amnesie: Die Erinnerung an den Kommunismus in Südosteuropa” (Hg. mit U. Brunnbauer), Köln / Weimar / Wien 2007, “Kulturstudien Ostmitteleuropas”, Frankfurt/M. 2006; “Zwangsmigrationen in Nordosteuropa im 20. Jahrhundert”. (Hg. mit H.- J. Bömelburg), Lüneburg 2006, “Demnächst erscheint Lexikon der Vertreibungen. Deportation, Zwangsaussiedlung und ethnische Säuberung im Europa des 20. Jahrhunderts” (Hg. mit D. Brandes, K. Kaiserová, K. Ruchniewicz u. H. Sundhaussen), Wien / Köln 2009. Fusnotat janë hequr nga redaksia.
Nga gjermanishtja: Sylë Ukshini.
Paratrupat angleze në Prishtinë, qershor 1999 (Foto: Alban Bujari)