Kulturë

Intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe e drejta ndërkombëtare

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Pavarësisht angazhimeve të shumta diplomatike që nga viti 1989 për parandalimin e shpërthimit të luftës në Kosovë, përfundimisht më 24 mars 1999 u detyrua të përdorte forcën ushtarake kundër caqeve ushtarake serbe në Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi dhe në Kosovë.

Duke provuar të arrihej një zgjidhje politike, komuniteti ndërkombëtar kishte bërë një sërë gabimesh dhe lëshimesh, pa të cilat shanset për zgjidhje politike në kohë dhe sukseset e ndërmjetësimit do të ishin më të mëdha. Refuzimi i Beogradit për zgjidhje Këtu vlen të përmenden ndër më kryesoret. Në radhë të parë ishte mbështetja e pamjaftueshme ndërkombëtare e strategjisë pacifiste të shqiptarëve të Kosovës, nën drejtimin e Rugovës gjatë viteve ‘90 të shekullit XX.

Angazhimi i organizatave ndërkombëtare për një zgjidhje të statusit të Kosovës brenda shtetit serb, e cila nga njëra anë kufizoi hapësirën për negociata ndërkombëtare që nga fillimi. Në këtë rrethanë, UÇK-ja fitoi terren dhe shumë shpejt rekrutoi të rinjtë shqiptarë, duke i inkurajuar se pavarësia e Kosovës mund të arrihej vetëm me mjete ushtarake. Dhe së fundi, refuzimi i Beogradit për çfarëdo zgjidhjeje politike në Konferencën e Rambouilletit, siç kishte ndodhur me negociatat e Dejtonit, determinuan angazhimin ushtarak të Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës.

Sigurisht, nuk mund të përfytyrohet në tërësi se çfarë do të kishte ndodhur në Kosovë, sikur NATO-ja të mos kishte ndërhyrë ushtarakisht, por është e sigurt se pa ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit, krimet dhe mizoritë serbe do të vazhdonin në përmasa edhe më tragjike sesa në Bosnjë. Qysh në vjeshtë kishte indikacione të bollshme se Beogradi po planifikonte të jetësonte planin e koduar ushtarak “Patkoi”, sipas të cilit, shqiptarët përfundimisht do të dëboheshin nga Kosova, në mënyrë që t’i hapej rrugë serbizimit të këtij territori, një synim i provuar pa sukses që nga luftërat ballkanike 1912/13.

Po të ishte arritur qëllimi i qeverisë serbe për një Kosovë pa shqiptarë, si mund të realizohej plani që refugjatët të ktheheshin më vonë në shtëpitë e tyre? Mungesa e një përgjigjeje në këto pyetje do të shpërfaqte pafuqinë e mjedisit ndërkombëtar dhe do ta humbiste kredibilitetin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe atë të NATO-s, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për Kosovën. Në këtë kuptim, aksioni i NATO-s duhet parë si në lloj “ultima radio”, që duhej të ishte përgatitur mirë në kuptimin e realizimit të qëllimit, në kohën kur ishte shteruar çdo përpjekje diplomatike në Konferencën e Rambouilletit dhe më pas.

Kjo rrjedhë e ngjarjeve se NATO-ja nuk kishte zgjidhje tjetër përveç luftës në pranverën e vitit 1999, pavarësisht se disa qarqe dhe grupe të së majtës ekstreme e kundërshtonin opsionin e luftës, por nuk ofronin asnjë zgjidhje për përndjekjen dhe vrasjen kolektive të shqiptarëve nga makineria ushtarake e Beogradit. Në fakt, aksioni i NATOs ndodhi pas shumë paralajmërimeve të NATO-s dhe pasi Beogradi kishte injoruar thirrjet e OKB-së, angazhimet e Grupit të Kontaktit, të OSBE-së dhe të emisarëve të tjerë ndërkombëtarë. Milosheviqi tregohej konfrontues dhe arrogant me Perëndimin dhe krejt hapur deklaronte se ishte i gatshëm të shkelte mbi trupat e shqiptarëve të Kosovës, duke u thirrur në eksperiencën e komunistëve jugosllavë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Me një fjalë, Beogradi nuk mori në konsideratë mjetet joushtarake të Perëndimit. Prandaj, NATO-ja nga pranvera e vitit 1998, e deri në fillim të vitit 1999, shteroi të gjitha instrumentet joushtarake efektive. Përfaqësuesit kryesorë të NATOs imagjinuan se, si përpara Marrëveshjes së Dejtonit, ashtu edhe tani vetëm disa goditje ajrore do të ishin të mjaftueshme për të arritur këtë qëllim. Kjo pritje shkoi paralelisht me dëshirën që problemi i Kosovës të përfundojë me sukses përpara takimit jubilar të NATO-s në Washington më 24 prill 1999. Prandaj, mendohet se ka pasur një presion shtesë kohor për fillimin e fushatës para këtij samiti.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.