Skena operistike është testuar edhe një herë tjetër me interpretimin e arieve magjepsëse. Ka ngjarë shpesh të sillet mozaiku i kryeveprave botërore. Ngjashëm edhe të dielën mbrëma, në natën e tretë të “Prishtina International Vocal Festival”. Kushtet kanë qenë kontrasti i dukshëm me interpretimin e sopranos Kejsi Haxhija dhe baritonëve Harris Bajraktari e Shinasi Ramadani. Koncert përplot magji e muzikalitet i artistëve të rinj.
Interpretuesit kanë shëtitur nëpër copëzat e kryeveprave botërore. Vokali i gjeneratës së re ka qenë krejt dekori i Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Ka qenë veç posteri i Festivalit që ia kanë dhënë freskinë sado pak hapësirës që tashmë është adresë për ngjarje të ngjashme.
Koncerti ka nisur me “Leave me, loathsome light!” të kompozitorit gjermano-britanik, George Frideric Handel, nën interpretimin e Shinasi Ramadani. Ka qenë interpretim i njëtrajtshëm me tinguj të lehtë dhe vokal të ngadalshëm. Njashtu ka qenë edhe “L’heure exquise” nga francezi Reynaldo Hahn, por më delikate dhe më emocionuese.
Sopranoja Kejsi Haxhija paraqitjen e parë të dielën mbrëma e pati me “Ave Maria” të italianit Giulio Caccini. Ka qenë me ngjyra më operistike, me tone të larta e tejet melankolike. Janë fjalët e titullit që përmenden gjatë gjithë kohës, por vijnë çdoherë në formë e dimensione të ndryshme dhe krejt kjo me mjeshtërinë e sopranos së gjeneratës së re, Kejsi Haxhij.
Rrëfimi muzikor nëpër operat botërore ka nisur me arien “Quando me’ n vo’” nga opera “La Boheme” e kompozitorit italian, Giacomo Puccini. Ka nisur tejet fuqishëm ku bukuria e zërit vjen më në pah. Pjesa është tejet përrallore, e magjishme me tingujt harmonikë të pianos të luajtur nga Melos Buza.
Me zërin tejet dominues dhe shprehjet e tij Harris Bajraktari, në skenë që përcillen edhe me aktrim e kanë çuar publikun në një skenë opere ku luhet opera “Don Giovanni” e austriakut Wolfgang Amadeus Mozzart. Ka interpretuar arien “Notte a giorno faticar” dhe “Ein madchen oder weibchen” nga opera “Die Sauberflote”, po ashtu e austriakut Mozzart, që ka qenë shpesh shpërthyese, por edhe më harmonike e më e koordinuar me tingujt e pianos.
“Ach, ich fuhl’s” nga po e njëjta operë, e interpretuar nga sopranoja Haxhija ka qenë më emocionale e delikate, ndërsa “Volta la terra fronte alle stelle” nga opera “Un ballo in maschera” e italianit Giuseppe Verdi ka qenë më dinamike e me ritme harmonike.
Shinasi Ramadani u rikthye në skenë për të interpretuar “Down by the sally gardens” të irlandezit William Butler Yeats si pjesë shumë e lehtë dhe e ndjeshme. Ndërkohë “If I were a rich man” nga muzikantët amerikanë Shaldon Harnick dhe Jerry Bock ka qenë tejet atraktive.
“Nganjëherë kur është errësirë, mendoj me shokët se çfarë kënge mund të këndojmë”, janë disa prej vargjeve të para të këngës që nis si poezi. Si një bisedë e hareshme para se të paraprijë muzika. Ngadalë ato përzihen me ritmet e muzikës dhe shkrihen në këngë. Shpesh kënga ngjan se vishet me ca ngjyra tradicionale.
Kjo edhe ka qenë pjesa të cilën është shprehur se e ka më për zemër pasi, sipas tij, tregimi është shumë tërheqës. Ka thënë se ndihet më mirë kur interpreton me tinguj minimalë.
“Unë ndiej më shumë hapësirë dhe më shumë liri kur kemi recitale pa orkestër. Është një atmosferë më intime, ashtu që më shumë më konvenon. Mendoj se të dyja shkojnë bashkë, edhe muzika edhe aktrimi janë pjesë e performancës dhe duhet të jenë çdoherë”, ka thënë baritoni Shinasi Ramadani.
“Vien, Leonora” nga opera “La Favorita” e Getano Donizetti ka nisur me një mllef të furishëm transmetuar prej baritonit Harris Bajraktari. Tingujt e lehtë e të ndjeshëm i paraprijnë këtij interpretimi që më pas ndryshon kah. Shpejt kthehet në kontrastin e saj dhe prapë e gjen dinamizmin. “Come paride vezzoso” nga opera “L’ elisir d’ amor” e Geatano Donizetti ka qenë me shumë zhvillime dhe lojë me intonacionet e zërit.
“Vanne, o rosa fortunata” nga kompozitori italian, Vincenzo Bellini, e interpretuar nga Kejsi Haxhija, ka qenë rrëfim më melankolik që sikur kthehet në një bashkëbisedim dhe shpërthim në mllef bashkë me emocionet e fuqishme që përcjell. “Bylbyli” e Limoz Dyzdarit ka qenë më e lehtë për krahasim me atë që e ka interpretuar paraprakisht.
“Këto janë arie që mua më përshtaten shumë, më pëlqen t’i këndoj, i shijoj kur i këndoj në skenë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur që m’u dha si mundësi. Ka qenë pak sfidë, pasi duhet të krijosh një moment, një skenë’, ka thënë sopranoja Haxhija.
Për baritonin Harris Bajraktari ka qenë sfidues interpretimi në një sallë si ajo e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.
“Mund të them se është sfidë shumë e madhe të këndosh në një sallë të tillë së pari dhe të këndosh repertorin që e kam kënduar unë. Repertori im konsiston në arie nga romantizmi dhe klasicizmi. Ishte me të vërtetë sfidë, sepse jemi me një vend ku kushtet mungojmë shumë dhe duke ditur se repertori operistik kërkon shumë energji dhe shumë zë, mendoj se ka qenë eksperiencë shumë fantastike, ka thënë Bajraktari derisa ka thënë se me përzgjedhje të tillë të programit do të marrë pjesë edhe në koncerte e gara jashtë vendit”, ka thënë ai.
“Përzgjedhja nuk është e rastësishme, por me përzgjedhjen e mentorit tim dhe me ndihmën e tij, jam duke e formuar një repertor timin me të cilin do të marr pjesë në koncerte dhe po ashtu nëpër gara brenda dhe jashtë vendit”, ka shtuar Bajraktari.
“Deh’ ti ferma” nga opera “Semiramide” e Rossinit është karakterizuar me zhvillime të papritura dhe ndërrim të gjendjes emocionale brenda pjesës, kryesisht thellësisht e ndjeshme dhe me emocione të fuqishme. Bajraktari me interpretim të pjesës mundohet të gjejë forcën në vokal por kthehet në fillesën e saj.
Atij i bashkohet në skenë sopranoja Haxhija dhe kështu dyshja nis një tjetër rrugëtim me të cilin edhe përfundon koncerti. Kanë interpretuar arien “Bei mannern, welche liebge fuhlen” nga “Die Zauberflote” e Mozzart që vjen si një dialog u bukur ku shpesh zërat e tyre këndojnë njëkohësisht por të diferencuar dhe të pastër. Një pjesë aktrimi madje vjen aty për aty.
Ngjyrat e vokalit e vibracionet kanë qenë tejet të theksuara e shpesh shpërthyese në interpretim të ndjeshëm. Me interaktivitet dhe seriozitet në të njëjtën kohë ka qenë si komunikim i përnjëhershëm me versionet ndryshe të secilit. E krejt në fund e kanë përmbyllur shqip me “Rrjedh në këngë e ligjërime“ të Feim Ibrahimit.
Nata e tretë e “Prishtina International Vocal Festival” ka konsistuar me atë që gjithmonë e bën Festivali – me përkrahjen e të artistëve të rinj. Udhëheqësi i ngjarjes, Hajrullah Syla, ka thënë se për këngëtarët e rinj janë më se të nevojshme paraqitje të tilla.
“Festivali është kujdesur çdo vit që të ketë hapësirë për artistë të rinj të cilët janë qoftë studentë, qoftë të sapo diplomuar. Kanë nevojë për hapësirë, për ta shpalosur programin që e kanë përgatitur dhe thjesht të jenë para publikut, një eksperiencë që padyshim i pret në rrugën e tyre të gjatë. Këtë hapësirë e kemi qysh prej edicionit të parë dhe besoj se është shumë e rëndësishme për artistët e rinj dhe do të vazhdojë edhe në edicionet në vazhdim, sepse me të vërtetë është shumë e nevojshme për ta”, ka thënë Syla, sipas të cilit, ideja është po ashtu të sillen çdoherë artistë e muzikantë të rinj në kuadër të programit të Festivalit.
“Ideja është që gjithmonë të sjellim artistë e muzicientë të rinj mundohemi që në bashkëpunim me profesorët e tyre t’i sjellim. Kjo hapësirë për të rinjtë është e domosdoshme, çdo mundësi që u jepet e bën më të lehtë depërtimin e tyre në këtë lloj muzike”, ka thënë ai më tej.
“Pri Vocal Fest” koncertin e radhës e organizon të mërkurën në po të njëjtën adresë me emra të shquar të skenës vendore të muzikës klasike.