Kulturë

Inteligjenca artificiale kthen kohën në rrugët e Prishtinës

Dihet tashmë që inteligjenca artificiale nuk njeh kufij në zhvendosje në kohë e hapësirë. Por “Midjourney” është programi që përdor dizajneri Berin Hasi për ta testuar kur ia jep fjalët kyçe të asaj që synon. Atë është duke e përdorur për të dizajnuar edhe një linjë veshjesh. Në këtë rrugëtim të tij futet edhe aktori i madh Bekim Fehmiu, e disa skiatorë pozojnë para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Imazhe nga e kaluara ringjellen si frymëzim duke përdorur avantazhet e zhvillimit teknologjik

Imazhet me tre musketierë në qendër të kryeqytetit para hotelit “Grand” janë të pazakonshëm. Madje edhe kur ata shihen me veshje që nuk i takojnë kësaj kohe. Është synuar që të ngjajnë me luftëtarë të lashtë të këtyre anëve. Pos tyre, edhe pamjet kur ndonjë skiatore me një alamet brendi veshjesh shihet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, nuk janë shfaqur ndonjëherë.

Këto, dhe shumë të tjera i ka sjellë dizajneri Berin Hasi. Në këtë rast, ai është bërë shkaktar që pamje të tilla të vijnë nëpërmjet inteligjencës artificiale. Këtë e ka bërë nëpërmjet programit “Midjourney”.

Si aplikacion i inteligjencës artificiale gjeneron imazhe varësisht nga kërkesat me shkrim që merr. Ka nëntë muaj që ka nisur funksionimin dhe tashmë është duke u shndërruar në adresë të inteligjencës artificiale për imazhe. Funksionon varësisht prej fjalëve kyçe që i jepen si përshkrim. E dizajnerit Hasi është duke i hyrë goxha në punë.

Image
Tre musketarët pozojnë para “Grandit” me veshje të para disa shekujve, që rikthehen nëpërmjet inteligjencës artificiale

Në një ditë prilli derisa ulet përballë kompjuterit të tij dhe heq syzet e diellit, Hasi nis të hyjë në botën e inteligjencës artificiale. Është prej dizajnerëve të njohur vendorë. Kohëve të fundit emri i tij ka marrë edhe më shumë nam pasi logoja e punuar prej tij është përzgjedhur të jetë simbolika e Operës së Kosovës.

Hasi ka disa muaj që është duke e sprovuar vetën por edhe inteligjencën artificiale për dizajne të ndryshme.

“Me shpjegu pak më thjeshtë, është si me hy na në një kurs në shkollë fillore edhe me mësu se qysh me i përdorë disa mjete ose disa vegla për të arritur deri te një imazh ose deri te një punë që po doni me punu”, ka shpjeguar krejt në fillim Hasi. Pasi i qaset programit ai nis të manovrojë varësisht nga kërkesat që ka. Nëpërmjet “Midjourney” ai tashmë ka prodhuar qindra imazhe. Vetë Hasi në fillim është befasuar nga ajo që mund të prodhojë programi.

“E shkruan tekstualisht çka po kërkon edhe po ta mundëson roboti një imazh shumë të saktë dhe shumë të paimagjinueshëm. Këto imazhe po më duhen që të eksploroj nëpër pamje dhe mua po me dalin imazhe të cilat as nuk i kisha paramenduar. Në këtë rast po me ndihmon me i realizu projektet e mia që unë jam duke i bërë”, rrëfen Hasi. Nëpërmjet ideve që ka në kokë ai bën një kërkim duke iu qasur robotit. Shënimet që ia jep Hasi, inteligjenca artificiale ia kthen në imazhe. Në këtë rast, sipas dizajnerit ofrohet një ndihmë e madhe, pasi imazhi bazik që nxirret mund të përpunohet më tej duke shërbyer si brend. Në këtë rast ka marrë një shembull konkret se si i sheh avantazhet e inteligjencës artificiale.

Image
Skiatorja para Bibliotekës Kombëtare e veshur prej “Midjourney”

“Për shembull jam duke dashur që ta përdori një material të cilin nuk mund ta sjell menjëherë në Kosovë. Veç po e shkruaj tekstualisht edhe po e imagjinoj një xhaketë të cilën unë kisha me pa me krejt elementet që i dua. Në këtë rast po më vijnë zgjedhje e pamje që më ndihmojnë ta përshpejtoj procesin tim të krijimit”, rrëfen ai.

Hasi është duke u interesuar në krijim brendesh të skijimit. Por që dizajni artificial të jetë sa më tërheqës dhe provokues, ai ka luajtur me disa hapësira. Programit i ka dhënë fjalët kyçe që kërkesat e tij për dizajn të shfaqjen nëpërmjet një personazhi që qëndron para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Nuk shfaqet me shumë ngjyra por vjen me një kombinim sa të thjeshtë aq edhe modern e klasik njëkohësisht. Këtë e ka provuar edhe me “modele” që qëndrojnë në Brezovicë e Rugovë.

Image
Berin Hasi ka kërkuar nga inteligjenca artificiale që me ndjesinë e portreteve dhe kohës së Bekim Fehmiut të modelojë veshje e imazhe

“Kam filluar të fokusohem më shumë te veshjet. Për shembull te linjat e veshjeve. Kur synon disa materiale që nuk janë këndej pari atëherë ke dëshirë të shohësh se si mund të duken në Kosovë. Krejt këtë ta mundëson roboti”, tregon ai. Ka rrëfyer se si mund të bëhen kombinime të ndjenjave të modeles apo modelit bashkë me përzierjen e stileve të veshjes në kohë të ndryshme. Për ta ilustruar këtë, ka marrë shembull se si mund të kenë qenë modelet e veshjeve në kohën kur një prej artistëve shqiptarë me nam në botë ka marrë pjesë në ngjarje të mëdha kinematografike. Hasi, ka kërkuar nga inteligjenca artificiale që me ndjesinë e portreteve dhe kohës së Bekim Fehmiut të modelojë veshje e imazhe.

“I mora disa modele me i provu disa veshje dhe desha që të jenë në ndjenjën e Bekim Fehmiut, në kohën e tij, pasi i ka disa filma në ‘youtube’ e filmat janë në bardhezi”, shpjegon ai. Inteligjenca artificiale ka nxjerrë në pah edhe ngjyrat që mund të kenë pasur kostumet e asaj kohe megjithëse në shumicën e rasteve ato imazhe të viteve ’60 janë në bardhezi. “Midjourney” i ka “përkthyer” ato në ngjyra.

“Ishe tejet mirë, sepse na e dha ngjyrën e arit që ma merr mendja që në atë stil e ndjenjë janë bërë xhirimet e filmave ku ka luajtur Bekim Fehmiu”, tregon Hasi.

Ai ka eksperimentuar goxha me këtë program. Nuk e ka ndërmend të ndalet. Jo veç pse mund t’i lehtësohet puna si dizajner. Por edhe për shkak të të qenit shumë praktik sa i përket shfrytëzimit të materialeve që nuk janë në Kosovë por duhet importuar. Në këtë rast bëhet fjalë më shumë për veshje.

Pavarësisht se vetë Hasi shpesh thotë se është e frikshme se çfarë mund të bëjë inteligjenca artificiale, ai prapë ngulmon se duhet përdorur dhe atë në kuptimin sa më pozitiv.

“Unë s’po e shoh tash rrezik, sepse po mendoj qe ne mund të bëjmë gjëra shumë të mira nëse e përdorim për të mirë. Unë po e përdori për punët e mija ditore qe i kam edhe përse jo, po më pëlqen. Është diçka e re edhe s’po bëhet bajat”, tregon ai. Disa herë përsërit se sugjeron që inteligjenca artificiale të përdorët sa më shumë në aspektin pozitiv.

Derisa ka luajtur me imazhe e kërkesa, ka treguar se roboti është mjaft i ri sa i përket informacioneve që posedon. Hasi tregon se sa më shumë që kërkohet prej tij, programi pajiset me informacione dhe bëhet më i pasur e njëkohësisht edhe më produktiv. Për dizajnët e tij të deritashme si profesionist, Hasi është mjaft i njohur me stil unik. Por se sa do ta ndihmojë inteligjenca artificiale për të prodhuar dizajne të ndryshme mbetet të shihet. Ajo që dihet deri tash është se dizajnët me bazë në inteligjencë artificiale do të jenë pamjet e së ardhmes në këtë zanat.