Kulturë

Instituti kthen artefaktet që i zhvendosi ilegalisht, kërkon leje huazimi

Ani pse gati dy javë më parë për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve s’bëhej fjalë për shkelje ligji kur 12 artefakte ia dorëzoi Fakultetit Filozofik, tash tërthorazi e ka pranuar se bartja bie ndesh me ligjin. I ka kthyer artefaktet dhe i ka bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës që t’i lejohet huazimi i tyre. Ministria e Kulturës ende s’ka dhënë leje, përderisa deklaron se bartja ilegale nuk do të mbetet pa marrje të masave

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është tërhequr nga mënyra e dorëzimit të artefakteve dhjetë ditë më parë. Ky institucion ia ka bërë një sqarim Ministrisë së Kulturës për 12 eksponatet që ia dorëzoi Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik. Në atë rast nuk ishte respektuar Ligji për trashëgimi kulturore, dhe me hapin e radhës, edhe IKMM-ja tërthorazi e ka pranuar një gjë të tillë, ndryshe prej shpjegimeve e arsyetimeve që kishte dhënë. Shkeljen e ligjit e kishte konstatuar vetë Ministria e Kulturës, derisa i kishte kërkuar sqarim menaxhmentit të IKMM-së.

Pas raportimit të KOHËS më 12 tetor, artefaktet arkeologjike i janë kthyer IKMM-së dhe i është bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës për t’ia huazuar Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës për ekspozim të përkohshëm.

Janë eksponate të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës, të cilat kanë qëndruar në IKMM qysh nga periudha e paraluftës së fundit në Kosovë.

Në ditën e 11-të të këtij muaji njoftimi për dorëzimin e eksponateve ishte bërë nga profesori Arsim Sinani, drejtor i Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike. Por pasi KOHA e ka kontaktuar Sinanin, postimi në Facebook ishte fshirë. Dorëzimi ishte bërë përmes një dokumenti i cili nuk i përfillte Ligjin për trashëgimi kulturore e as rregulloret që dalin prej tij.

“Shkëmbimi i objekteve në koleksionet publike mund të bëhet vetëm brenda muzeve publike në Kosovë dhe me miratimin e ministrit”, përcaktohet në nenin 9 të këtij ligji. IKMM-ja nuk kishte marrë pëlqim nga Ministria e Kulturës e as nga vetë ministrja Vlora Dumoshi.

“Është e përcaktuar me ligj dhe akte të tjera se si bëhet lëvizja e artefakteve dhe eksponateve brenda dhe jashtë vendit. Gjithsesi që kërkon miratim paraprak. Andaj flasim për shkelje të dispozitave të caktuara të Ligjit për trashëgimi kulturore”, kishte thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS. Aliu kishte paralajmëruar edhe masa për ata që nuk e kanë përfillur ligjin.

”Jemi në pritje të raportit. Sigurisht kjo nuk do të kalojë pa marrje të masave sipas ligjeve në fuqi. Por duhet të presim raportin e IKMM-së se përse ka ndodhur kjo pikërisht në këto momente”, kishte thënë ajo.

Në fund të javës së kaluar ka thënë se kanë pranuar kërkesën e IKMM-së për bartjen e eksponateve, rrjedhimisht organizimin e ekspozitës.

“Por e njëjta ende nuk është shqyrtuar, meqë jemi të obliguar të përmbyllim pjesën e parë të çështjes në të cilën ka pasur tejkalim procedural, respektivisht nuk ka pasur kërkesë dhe miratim paraprak sipas dispozitave të Ligjit për trashëgimi kulturore”, ka thënë Aliu. Sipas saj, në këtë kuadër i kanë pranuar raportet dhe në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë është mbajtur një takim me prezencë të drejtorit të IKMM-së dhe drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, takim ky në të cilin është diskutuar çështja në detaje. Sipas Aliut, çështja do të marrë epilog shumë shpejt.

Drejtori i IKMM-së, Ismet Hajrullahu, ka thënë se artefaktet janë kthyer në IKMM. Por, ai ato nuk ia ka treguar ekipit të KOHËS me arsyetimin se nuk i ka çelësat e hapësirës ku mbahen.

“IKMM ka bërë një kërkesë në DTK për dhënie leje për një bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ , Fakultetin Filozofik, përkatësisht me Institutin për Studime Sociale e Humanistike, ku kemi planifikuar që për nder të festave të nëntorit, me datën 24.11.2020 deri më 27.11.2020, në hapësirat e Fakultetit Filozofik të hapim ekspozitën me disa nga gjetjet arkeologjike që i posedon IKMM”, ka thënë Hajrrullahu.

Kthimin e artefakteve e ka konfirmuar edhe Arsim Sinani që udhëheq me Institutin për Studime Sociale e Humanistike në kuadër të Fakultetit Filozofik.

“Eksponatet janë në IKMM. Ekspozita ka qenë e planifikuar të bëhet e përbashkët për festat e nëntorit. Por jam në pritje të përgjigjes nga IKMM për mbajtjen e ekspozitës së përbashkët”, ka thënë Sinani.

Para dy javësh, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, kishte thënë se në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore dhe rregulloreve në fuqi, IAK-u është institucion përgjegjës për artefakte arkeologjike.

“Këtë duhet ta dijë secili. Do të bisedojmë me MKRS-në dhe me Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Për procese të tilla duhet të bëhet një miratim nga një grup ekspertësh. Institucioni duhet të marrë po ashtu pëlqim nga Ministria e Kulturës, konkretisht në këtë rast nga Ministrja”, kishte thënë ai.

Por në Fakultetin Filozofik ka edhe eksponate të tjera arkeologjike, të cilat me disa shkresa Instituti Arkeologjik i Kosovës i ka kërkuar që t’i dorëzohen pasi ligjërisht i takojnë këtij institucioni.