Kulturë

Institucionet shqiptare synojnë që trashëgimia kulturore të jetë sa më e hapur për qytetarët

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar janë zotuar për hapje më të madhe për qytetarët. Në tryezën me moton “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore” përfaqësuesit e këtyre institucioneve, akademik Shaban Sinani, sekretar shkencor, akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i AShSh-së, arkeologu Neritan Ceka, studiuesi Irakli Koçollari, kompozitori Eno Koço e drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, kanë shpalosur përvoja e plane.

Koço ka thënë se Muzeu nuk është një koleksion privat apo një ndërmarrje tregtare, por një institucion kulturor publik, ku fondet e grumbulluara me kujdes kanë karakter shkencor dhe vihen në dispozicion të publikut, pa dallim race, gjendjeje shoqërore apo kulturore, sipas një plani kohor të saktësuar.

Akademiku Shaban Sinani ka njoftuar për nismat më të rëndësishme që janë në proces të realizimit nga Akademia e Shkencave.

“Është fjala për projektin ‘Moti i Madh’, forma më e shkurtër e emërtimit të dosjes së trashëgimisë arbëreshe në rrugën e saj të gjatë drejt UNESCO-s, për t’u promovuar si trashëgimi e njerëzimit”, ka thënë ai. Ka treguar se bëhet fjalë për një rrugë të gjatë, sepse fondacioni ndëruniversitar “Francesco Solano” ka vite që kontribuon në këtë dosje shkencore, duke krijuar një rrjet bashkëpunimi ndëruniversitar, që nga Cosenza, Palermo, Lece dhe Salento deri në Venecia e Milano.

“Suksesi i parë është regjistruar tashmë prej afro dy vjetësh, me miratimin e projektit nga komiteti kombëtar i UNESCO-s në Itali. Prej vitit të kaluar projekti mori karakter ndërshtetëror, që bën pjesë në kriteret e parapëlqimit të ekspertëve të UNESCO-s”, ka thënë ai. Ka treguar se një grup i vogël studiuesish funksionon për këtë dosje edhe në Tiranë. Ka thënë se Akademia e Shkencave, Ministria e Kulturës dhe institucione të tjera, duke përfshirë ekspertë të huaj, po punojnë bashkë për të plotësuar të gjitha kërkesat shkencore, administrative, diplomatike, që nisma të përfundohet me sukses. Sipas tij, viteve të fundit ka pasur një hov zhvillimi të kërkimit shkencor në kuadër të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të vendit. Po ashtu ka kujtuar se ka ende shumë për të bërë në këtë kuadër, pasi pasuria shpirtërore dhe materiale e vendit është e një game të gjerë.

Arkeologu Neritan Ceka në fjalën e tij, sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ka bërë një pasqyrim të trashëgimisë kulturore dhe materiale të vendit, ku u ndal në ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të kulturës dhe aseteve arkeologjike.

Akademiku Vasil Tole ka folur për rëndësinë e etnomuzikologjisë shqiptare dhe rëndësinë që ajo zë në memorien historiko-kulturore të një vendi, pasi etnomuzikologjia ashtu si gjuha e folur përbëjnë një ndër bazat kulturore dhe identitare të një kombi.

E Irakli Koçollari ka përmendur disa aspekte të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të diasporës shqiptare. Ai po ashtu ka kujtuar edhe rëndësinë që mbart kjo trashëgimi jashtë kufijve të vendit, pasi jo vetëm që shërben si një urë lidhëse ndërmjet kulturave të ndryshme, por gjithashtu tregon më së miri karakteristikat e veçanta të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale.