Përderisa sheshin “Xhorxh Bush” e shohin si zonë mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe kjo ka qenë prej arsyeve të ndaljes së punimeve të Komunës për rrugën “Rexhep Luci”, ku punimet kanë nisur qysh në nëntor, institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë reaguar fare. KOHA ka konfirmuar se Komuna nuk ka marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projektin që peshon mbi 1.3 milion euro. Të paktën sipas një shkrese të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe një ekstrakti të hartës së zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të kryeqytetit, kjo rrugë hyn te hapësirat ku nuk veprohet në infrastrukturë pa pëlqim nga IKMM-ja
Institucionet e trashëgimisë kulturore kanë mbyllur sytë në raport me projektin që po zhvillon Komuna e Prishtinës në rrugën “Rexhep Luci”. Përderisa sheshin “Xhorxh Bush” e shohin si zonë mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe kjo ka qenë prej arsyeve të ndaljes së punimeve të Komunës për rrugën “Rexhep Luci”, ku punimet kanë nisur qysh në nëntor, institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë reaguar fare. KOHA ka konfirmuar se Komuna nuk ka marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projektin që peshon mbi 1.3 milion euro.
Rruga “Rexhep Luci” është në sytë e Ministrisë së Kulturës dhe njëkohësisht një prej pjesëve më të frekuentuara të qytetit. Të paktën sipas një shkrese të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe një ekstrakti të hartës së zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të kryeqytetit, kjo rrugë hyn te hapësirat ku nuk veprohet në infrastrukturë pa pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në perëndim, “Rexhep Lucin” veç rruga “Luan Haradinaj” e ndan nga aseti i trashëgimisë kulturore “Muzeu i burgut të Prishtinës”.
Institucionet qendrore e lokale, pavarësisht që në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme figuron Qendra Historike e Prishtinës, hezitojnë të flasin për kufirin e Qendrës. Por KOHA ka parë se në një shkresë të QRTK-së për institucionet e tjera krejt bulevardi qendror i kryeqytetit është në zonë mbrojtëse, e po ashtu edhe rruga “Rexhep Luci”.
“Te ne nuk është sjellë ndonjë projekt për miratim dhe pavarësisht një procesi që po zhvillohet edhe për vënien e kufijve të rinj të Qendrës Historike, për atë pjesë është dashur të sillet për miratim projekti”, kanë bërë të ditur në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Sa u përket kufijve të Qendrës Historike të Prishtinës, bashkë me zonën mbrojtëse dhe punimet që po zhvillohen në rrugën “Rexhep Luci”, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore nuk është përgjigjur. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka konfirmuar se nuk kanë marrë ndonjë shkresë se janë duke u zhvilluar punime pa pëlqim në zona të mbrojtura. Por prej 20 nëntorit, në këtë rrugë ndër më qendroret të qytetit, është duke u punuar.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura duhet leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 6.
Ligji specifikon edhe zonën e mbrojtur përreth monumenteve.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor, shkruhet në nenin 6 të ligjit.
Një prej drejtorëve përgjegjës për projektet e reja në Komunë nuk ka dashur ta komentojë situatën. Ka vënë në pikëpyetje kufijtë e Qendrës Historike.
Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe ata të Komunës së Prishtinës ka kohë që kanë nisur punën në projektin “Studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës” që synon të integrojë trashëgiminë kulturore në një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen e kryeqytetit. Projekti financohet nga MKRS dhe mbështetet nga UN-Habitat, nëpërmjet Programit të zhvillimit gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.
Projekti në rrugën “Rexhep Luci” ka edhe telashe të tjera në raport me ligjet e me një vendim të gjykatave.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale u anulua vendimi i Komunës së Prishtinës për mbylljen e rrugëve “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha”.
Komuna e Prishtinës e kishte shfuqizuar vendimin për mbylljen e disa rrugëve në Prishtinë.
Nga banorët e rrugës “Rexhep Luci” e “Qamil Hoxha” ishte paralajmëruar padi ndaj Komunës së Prishtinës për mosrespektim të urdhrit të gjykatës.
Mospërfillja e gjykatës është vepër penale sipas ligjeve në fuqi.
“Kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm të ndonjë gjykate në Republikën e Kosovës ose refuzon apo pengon publikimin e vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës së tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj”, thuhet në nenin 393, paragrafin 1 të Kodit Penal.
E për moszbatimin e vendimit gjyqësor, në Gjykatën Komerciale kishin thënë se përgjegjësi duhet të kërkojë prokuroria.
“Gjykata nuk ka mandat ligjor apo mekanizëm të veçantë që të veprojë tutje lidhur me zbatimin/moszbatimin e vendimeve gjyqësore, përpos padive apo propozimeve të iniciuara nga palët në procedurë. Për moszbatimin e vendimeve gjyqësore, kompetente është Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës”, kishin thënë në Gjykatën Komerciale.
Komuna e Prishtinës tashmë ka “stazh” të gjatë në nisjen e punimeve pa marrë pëlqim për projekte nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Të mërkurën e javës së kaluar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte shqiptuar masën e ndalimit të punimeve për sheshin “Xhorxh Bush”. Por edhe disa orë pasi ishin ndaluar punimet, Komuna kishte vazhduar duke vendosur rrethoja te Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Të nesërmen po aty kishte përuruar sheshin “Erhard Busek”.
“Punimet kanë filluar gjatë vikendit, ku është bërë rrethimi i vendpunishtes. Në këtë hapësirë do të ndërtohet sheshi ‘Xhorxh Bush’. Hapësira ku po zhvillohen punimet gjendet brenda hapësirës së aseteve të Qendrës Historike të Prishtinës, hotelit ‘Grand’, Rektoratit dhe Radio Prishtinës. Për këto punime ende nuk është adresuar kërkesë për pajisje me leje në institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërsa nga pala u njoftuam se janë pajisur nga Komuna e Prishtinës me pëlqim për lejimin e punimeve”, shkruhet në Procesverbal sa i përket konstatimit të gjendjes faktike. Po sipas këtij Procesverbali, drejtori i Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati, kishte deklaruar: “Punimet i kemi filluar mbi bazën e pëlqimit për lejimin e zhvillimit të punëve ndërtimore të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës. Do t’i ndjekim procedurat për pajisje me miratim edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore”.
Te masa e marrë qartësohet se është bërë ndalim i punimeve.
“Ndalohen punimet. Vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare. Obligohet pala që të pajiset me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në afatin prej 30 ditësh”, shkruhet në Procesverbalin nëpërmjet të cilit u ndaluan punimet për të cilat Komuna ka marrëdhënie kontraktuale me peshë 18.4 milionë euro.
Vjet Komuna kishte nisur realizimin e “Ishullit urban Arbëri - Pallati i Rinisë”, duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por, hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave, pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi i ishin ndërprerë punimet, nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjidhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin, me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. Komuna është ankuar për këtë vendim. Projekti ka kosto 6.5 milionë euro dhe mbi një milion tashmë i janë paguar kontraktuesit, megjithëse puna nuk vazhdon. “Ishulli...” kalon edhe nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit.
Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për “cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projekti për Teatër të Operës dhe Baletit.