Kulturë

Inoue fut publikun në rrugëtim unik me ngjyrat e bashkëkohores në piano

Vepra japoneze

Vepra japoneze të shekullit XX kanë sjellë kulturën e vendit të largët në kryeqytet. Bashkë me ato të kompozuara së voni nga Fati Fehmiju e Liburn Jupolli, janë bërë një në koncertin e parë recital të Satoku Inoue në Prishtinë

Satoko Inoue, pianistja e shquar japoneze e interpretimit të muzikës bashkëkohore, ka sjellë në “DAM” mozaik rrëfimesh në instrumentin me taste. Vepra japoneze të shekullit XX kanë sjellë kulturën e vendit të largët në kryeqytet. Bashkë me ato të kompozuara së voni nga Fati Fehmiju e Liburn Jupolli, janë bërë një në koncertin e parë recital të saj në Prishtinë.

Kur festivalet e muzikës zakonisht përqendrohen kah muzika e hershme klasike, nga baroku e gjer në romantizëm, “DAM” eksploron përtej. Nata e katërt e Festivalit ndërkombëtar të muzikës në Prishtinë ka shfaqur repertorin jo shumë të dëgjuar muzikor – muzikën bashkëkohore. Në koncertin e titulluar “Piano XX – I” programi ka qenë i fokusuar në veprat japoneze të shekullit të kaluar, por interesim kanë zgjuar edhe dy të kompozuara së fundi.

Midis tingujsh, kushtet e mjerueshme në sallë kanë dalë në pah më së shumti në këtë koncert. Përplasjet e dyerve gjatë hyrje-daljeve nëpër hapësirat e korridoreve sipër Ateliesë e një lloj zhurme që tingëllonte në tërheqjen e kabllove, zëra macesh e zhurma nga komunikacioni në qytet, të shtunën mbrëma kanë qenë kulmi. Edhe në veprat më dinamike që ka luajtur pianistja Inoue, këto ndërhyrje në lojën e saj kanë qenë të dallueshme dhe kanë shpërqendruar publikun nga performanca e saj.

Ajo e ka nisur koncertin me “Metamorphosis 2” të kompozitorit amerikan, Philip Glass. Vepra moderne vjen si instrumental ku tema qendrore është një rrëfim pikëllues, ndërsa pjesa tjetër është përcjellje konstante me tinguj. Por ata minimalë në qendër bëjnë që shpesh tema dytësorë të vijë në rend të parë. Njëra temë shuhet në disa sekuenca. Aty harmonizohet një ansambël tingujsh i shpeshtë si pjesë që përsëritet herë pas here, e në fund kthehet në pikën fillestare.

“Rain, calling autumn” e Akrmi Naito ka qenë tjetër dimension i bashkëkohores. Për dallim nga vepra e parë, me të cilën ka qenë një lloj kontrasti, ajo ka qenë pak a fare ritmike dhe tingujt kanë ngjarë të shthurur.

“Maya” e Liburn Jupollit duket se karakterizohet me tema që përsëriten, por që tempi i tingujve qëndron në një linjë. Pos kësaj vepre të kompozitorit nga Kosova, pianistja Inaue ka luajtur edhe veprën e kompozitorit Fati Fehmiju që jeton e vepron në Japoni. Ai ka qenë nxënës i pianistes japoneze në studimet e tij në fushën e muzikës.

Vepra e Fehmijut – “Obscura lacrimae” – në version akustik është dëshmuar se është ndërtuar me tinguj të shpejtë, duke trajtuar një temë dinamike e harmonike në fillim. Gradualisht merr formë ndarja e tingujve në sfond dhe e atyre qendrore. E gjithë tema përqendrohet në një drejtim për një çast. Në koncertin e së shtunës mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u dha premierë botërore.

“Fati është studenti im në Japoni. Ai ishte student në nivelin e doktoratës. Ai është nga Turqia që ka ardhur në Japoni, por unë kam dëgjuar që ai është lindur në Kosovë. I kam thënë se nëse dëshiron, mund të vijë me mua. Sot kam luajtur veprën të cilën Fati e ka kompozuar për mua. Për veprën tjetër shqiptare në program, Dardani më ka dërguar akordet dhe e konstruktova programin e sotëm. Pjesët japoneze pianistike janë kombinuar me veprat e tjera në program”, ka thënë pianistja Satoko Inoue për KOHË-n.

Ajo është profesoreshë e asocuar në kolegjin e muzikës “Kunitachi” në Tokio. Ka studiuar në universitetin “Gakugei” të Tokios dhe u diplomua në vitin 1981. Në të njëjtin universitet vazhdoi të studiojë kompozimin dhe muzikën elektronike.

Në vitin 1986, Inoue u bë Pianist për ansamblin “Musica Practica” organizuar nga kompozitori Jo Kondo. Në vitin 1991, filloi koncertin e saj vjetor, “Satoko Plays Japan”, në Tokio. Ajo luajti 64 pjesë të kompozuara nga 28 kompozitorë duke përfshirë Jo Kondo, Toshi Ichiyanagi, Yoriaki Matsudaira dhe të tjerë që ajo porositi deri në koncertin e 10-të në vitin 2000. Ajo ka dhënë recitale solo të veprave të Henry Coëell, Giacinto Scelsi, John Cage dhe të tjerë me shumë tema, pati koncerte në duet me violinistin Shiho Tejima dhe klarinetistin Guido Arbonelli.

Në vitin 2010, ajo u nderua me çmimin "Keizo Saji" nga Fondacioni “Suntory” për arte me "Satoko Inoue Piano Recital #19 Morton Feldman-Ëorks for Piano".

“Ishte audiencë e mirë, jam shumë e lumtur. Stafi i festivalit ‘Dam’ ishin shumë ndihmues. U ndjeva si në shtëpi, pata mundësinë edhe të praktikoj këtu para koncertit. Kështu që ishte mrekullueshëm”, ka thënë ajo më tej.

“A straw hat dance” e kompozitorit japonez Jo Kondo hapet me një tempo të njëtrajtshme të lehtë. Duke u zhvilluar, tingujt marrin formë e theksohen ndërsa këtij ritmi i shtohen edhe tingujt bas të herë pas hershëm që sikur e ndajnë strukturën në disa pjesë.

Në përgjithësi ka qenë një lloj i muzikës që e ushqen shpirtin me muzikë.

Në pjesën e fundit pianistja ka interpretuar veprat “A rainboë in the mirror” nga japonezja Hirokazu Hiraishi dhe “White lace” e amerikania Linda Catlin Smith.  Në të parën është një lloj harmonie e shthurur, ndërsa ajo me të cilën është mbyllur ky koncert karakterizohet me tinguj të vendosur larg njëri-tjetrit, ndërsa hapësira midis tyre mbulohet me ehon e tingujve. Duket vepër serioze e temperamente.

Bashkëthemeluesja e festivalit “DAM”, muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, programin që e ka luajtur pianistja e ka konsideruar si repertor që në vend nuk e hasim shpesh.

“Është një repertor që ne shpesh nuk e hasim. Kemi kënaqësinë që përmes interpretimit të pianistes …, e cila nuk është e njohur vetëm në Japoni, por në masë të madhe edhe në Evropë, ne të dëgjojmë vepra të zgjedhura nga kompozitorët më të njohur japonezë. Kemi kënaqësinë që dy nga veprat janë nga kompozitorë shqiptarë, njëri që jeton e vepron në Kosovë, e tjetri në Japoni”, ka thënë Rreze Kryeziu-Breznica.

Pianistja Pranvera Hoxha e ka konsideruar të veçantë koncertin, për shkak të repertorit me vepra bashkëkohore të këtij shekulli e atij të kaluar.

“Ishte shumë kënaqësi të dëgjojmë edhe vepra premierë të kompozitorëve tanë, të Liburnit dhe Fatit. Kompozitori ynë që jeton në Japoni nuk kemi pasur rast të dëgjojmë veprën e tij, kështu që ishte premierë për të gjithë ne. Pianistja dukej se e njihte mirë repertorin dhe e jepte maksimumin e saj në nxjerrjen e nuancave. E dimë se veprat e shekullit XX këtë efekt e kanë, t’i tregojnë ngjyrat e instrumentit të pianos. Mendoj se e dha maksimumin e saj sa i përket repertorit. Ishte diçka më ndryshe nga ç’jemi mësuar dhe kemi pritur”, ka thënë pianistja Hoxha.