Kulturë

“Inkurajim për kompozitorët e rinj” me maestro Beqirin nëpër tinguj shqip

Valton Beqiri

Prej repertorit të tij, Valton Beqiri ka zgjedhur që publikut t’i përçojë edhe mesazhe. Të tilla të cilat vënë në shprehje melosin popullor shqiptar pavarësisht prekjeve bashkëkohore që ai u bën kompozimeve të tij

Rrugëtimi i koncertit autorial nga kompozitori Valton Beqiri pas stacioneve në Prizren, Gjilan, Mitrovicë e në Pejë, është finalizuar edhe në Prishtinë, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, dhe shpalosja e programit nuk ka për qëllim të vetëm njohjen e veprave të tij. Misioni është tjetër, siç ngërthehet edhe në titullin e koncertit: “Inkurajim për kompozitorët e rinj”. “Nëse kemi arritur që nga këto pesë qendra muzikore të inkurajojmë vetëm pesë nga ta, atëherë misioni ynë jo që është përmbushur, por mbase do të tejkalohej”, ka thënë Beqiri

Dikur disa prej tyre ishin nxënës të shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë, “Prenk Jakova”. Por tani si muzikantë e solistë të arrirë të muzikës klasike u bënë bashkë për një brez të ri që synon të marrë rrugën e edukimit muzikor. Koncerti autorial nën udhëheqjen e kompozitorit Valton Beqiri, në kuadër të projektit “Inkurajim për kompozitorët e rinj” me mbështetje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri bashkë sopranon Zana Abazi-Ramadanin, Gëzim Latifin dhe Valbon Haxhibeqirin në violinë, Arianit Shehun në violë, Fjolla Asllanajn në violonçel dhe Patris Berishën në perkusion. Me pesë veprat e tij, përcjelljen me piano e bëri vetë Valton Beqiri. 

Koncerti i cili u ekzekutua edhe në katër qytete të tjera përveç Prishtinës, synim themelor ka që nxënësit që aspirojnë rrugëtimin muzikor të njoftohen edhe me fushën e kompozimit dhe dirigjimit në Degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Prej repertorit të tij, Beqiri ka zgjedhur që publikut t’i përçojë edhe mesazhe. Të tilla të cilat vënë në shprehje melosin popullor shqiptar pavarësisht prekjeve bashkëkohore që ai u bën kompozimeve të tij.

Koncerti nisi me disa këshilla nga Beqiri, i cili zor të zhvishej nga petku i pedagogut. Për nxënësit ka ndarë disa detaje teorike derisa njoftoi se perfomranca që po prisnin me padurim të dëgjonin ishte për ta, që t’i motivonte ata që të vazhdojnë studimet për kompozim.

“Quasi kaba” qe vepra e parë me të cilën nisi koncerti. Njëjtë sikurse titulli, në formacion nuk kishte klarinetë, por tingujt e saj u imituan mjeshtërisht nga viola. Nisi me melankolinë që e identifikon muzikën e jugut të Shqipërisë, e ngadaltë por që zhvillohet në një temp ritmik nga fundi. Admirimi nga sytë e nxënësve lexohej lehtazi, teksa në mes të veprave Beqiri, profesor në Universitetin e Prishtinës, përshkruan shkurtimisht veprat dhe jep këshilla. 

Te “Kroi i fshatit tonë” bashkohet sopranoja Zana Abazi- Ramadani. Beqiri origjinalit i kishte dhuruar një harmoni të re, një freskim, por gjithmonë duke respektuar veprën origjinale. Jo rastësisht ka vendosur që ky repertor të përfshijë edhe vepra të cilat mund të konsiderohen si përpunime këngësh. Kështu ai ua bëri me dije nxënësve se një kompozitor përveç krijimit të veprave nga e para, mund të ndërhyjë dhe në ato ekzistueset.

Pjesëmarrja e saj në këtë projekt, sipas Zana Abazi-Ramadanit, ishte nder i veçantë dhe mundësi e rrallë. Si e tillë, sipas saj, duket të ketë rezultuar e vyeshme pasi që interesimi i nxënësve ka filluar të shprehet menjëherë.

“Faktikisht pas këtyre koncerteve që i kishim, filluan që nëpër rrjetet sociale të na kontaktonin nxënësit dhe normalisht janë shumë të mirëseardhur. Ashtu siç jemi ne për ta, njëjtë edhe e kundërta. Jemi gjithmonë të hapur. Në fakt, artistët duhet me qenë të hapur që t’i ndihmojnë njëri-tjetrit, veçanërisht brezave të ardhshëm”, ka thënë sopranoja Abazi-Ramadani.

Bashkë me sopranon, instrumentistët sollën dhe këngën “Mallëngjimi” nga  Rashid Krasniqi, si dhe “Moj e mira te pojata”, një kënge popullore së cilës ngjashëm si veprës pararendëse, Baqiri ia ka dhuruar një prekje të tijën autoriale duke e modifikuar atë përmes një copëtimi të materialit si një qasje e ndryshme kompozitoriale.

Për Valton Beqirin ky projekt kishte nisur me një qëllim të caktuar që nga fillimi. Njëjtë kishte vepruar dhe me përzgjedhjen e repertorit. 

“Realisht ka qenë një ide dhe si nevojë më shumë për stimulim dhe motivim të nxënësve të shkollave të mesme të muzikës që t’i qasen seriozisht profilit të kompozitorit dhe dirigjentit. Në kuadër të këtyre veprave që performuam kanë qenë veprat e mia të bazuara në etnosin kombëtar, që t’i afrojmë dëgjuesit dhe krijuesit e ardhshëm me këto vepra muzikore”, ka thënë ai.

Me t’u afruar fundi, të pranishmit kishin mundësinë të dëgjonin veprën katërkohëshe të kompozuar enkas me kërkesë të dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa, një vepër e cila pasqyron të gjitha ngjyrimet e muzikës shqiptare.

Para se të fillonte ekzekutimi i saj, Beqiri nuk rreshti me këshilla. Këtë herë i udhëzoi nxënësit që duartrokitja në mes të kohëve të veprës është e ndaluar, pasi që duhet respektuar përqendrimi i instrumentistëve.

Koha e parë e veprës “Shpirti i traditës”, e titulluar “Gjeneza”, si dhe vetë emri sipas autorit paraqet lindjen e muzikës shqipe, hapat e parë të saj. Në të futen dy stilet: ai i veriut dhe i jugut, derisa as imitimi i tingujve të lahutës nuk mungon. Në kuadër të këtij koncerti i cili herë pas here ngjason edhe me një masterklasë, nuk mungojnë as nuancat historike. Koha e dytë e titulluar “Ndikimi” dha edhe një pasqyrë të ndikimeve që ka pësuar muzika shqiptare gjatë shekujve. Aty u njoftuan dhe tinguj orientalë si referencë e pushtimit shekullor osman. Në raste ngjason si një luftë dominimi mes tingujve autoktonë dhe atyre orientalë por që në tinguj harmonizohen natyrshëm. Te koha e tretë me titullin “Mbijetesa” preket edhe kënga shkodrane. Ndërkaq në fund “Loja” sjell në skenë edhe perkusionet nëpërmjet tingullit tradicional të tupanit. Kompozimi muzikor këtu lë përshtypjen e një rezymeje tingullore e cila prek pothuajse çdo zhvillim historik në muzikën shqipe, e cila si rezultat sjell një pjesë të hareshme e ritmike, si mesazh vazhdimësie. Entuziazmi i treguar në fund nëpërmjet duartrokitjeve duket si një pasqyrë e cila do t’i shërbente joshjes së të gjithë nxënëseve të pranishëm në zgjedhjen e rrugës akademike për kompozim apo dirigjim.

Valton Beqiri është realist kur pyetet për pritjet nga ky organizim. Sipas tij, rëndësi ka që së paku dikush të nxitet nga aktivitetet e tilla.

“Në fakt, në këto situata shohim talente apo të interesuar që mund t’i numërojmë në gishta por nëse kemi arritur që nga këto pesë qendra muzikore të inkurajojmë vetëm pesë nga ta, atëherë misioni ynë jo që është përmbushur, por mbase do të tejkalohej”, ka thënë ai. 

Këtë mundësi e vlerësuan dhe vetë studentët. Yll Haliti, student i angazhuar në instrumentin e pianos, koncertin e ka konsideruar si një mënyrë e duhur që të shohin nga afër impenjimin që kërkon muzika klasike.

“Për mua kjo më duket si një mundësi shumë e mirë për shkak se nxënësit që kanë dëshirë të vazhdojnë me dirigjim ose kompozim, kanë mundësinë të shohin nëpërmjet këtij koncerti se si funksionon muzika profesionale në Kosovë, përmes veprave të profesorit Valton Beqiri. Mundemi me ditë pak a shumë se çfarë na pret në të ardhmen”, është shprehur Haliti

Ngjashëm, rëndësinë e një organizimi stimulues për brezat e rinj e sheh dhe mësimdhënësja në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova”, Linda Hakaj. Ka vlerësuar rolin e Valton Beqirit, derisa ka theksuar sërish rëndësinë e iniciativave të tilla.

“Jam shumë e lumtur që profesor Valtonin e kam pasur profesor në akademi të muzikës dhe krijimtarinë e tij e kam përcjellë qysh fëmijë. Jam e lumtur që të gjitha këto vepra me motive tona folklorike ai i ka sjellë me një mënyrë artistike, ku përmes notave të tij e gjithë bota kanë me pa se krijimtaria e muzikës popullore shqipe është shumë e pasur. Megjithatë, shkolla e muzikës është pikërisht për këtë, të stimulojë dhe t’i drejtojë nxënësit në rrugën e duhur. Ne si mësimdhënës gjithherë mundohemi me qenë ata që u servojmë gjatë mësimeve këshilla dhe i shtyjmë të vazhdojnë në këtë drejtim”, ka thënë Hakaj.