Kulturë

I vetëburgosuri i artit

Seç ka diçka të rrëshqitshme, të pakapshme, kur vdes artisti! Vetëm kjo shprehje mbetet disi më e ngjitur: vdekja e artistit. Vdekja e artistit, si “vdekja e autorit”. Jeta që i paraprin vdekjes së artistit, është vepra e artistit, ndërkaq jeta që e pason vdekjen e artistit, është jeta e veprës së artistit. Mes izolimit të karantinës së përbotshme të pandemisë së virusit me kurorë COVID-19, vdekja e Maks Velos ngjau si një përvjedhje nga kjo botë. 7 maj, 2020.

Në varrimin e tij, të premten, nuk kishte më shumë se njëzet njerëz. Vetëm ata më të domosdoshmit për këtë kohë: varrmihësit, të afërm dhe miq, zyrtarë bashkie dhe punonjës mediash. Maks Velon e kam njohur në të vetmin takim që kam pasur me të. Ka qenë 29 gushti i vitit 2018, kur Alda Bardhyli, me të cilin atë kohë Maksi sapo kishte botuar një libër me dosjen e Sigurimit të Shtetit për të, më kishte aranzhuar një intervistë për emisionin tim “CODEX”.

Që nga koha e regjimit komunist që e kishte burgosur, ai jetonte në një bllok banesash të ndërtuara kaherë, në lagjen e Pazarit të Ri në Tiranë. Dy ditë më pas, ai do të bëhej 83 vjeç. Megjithëse njëri ndër artistët dhe intelektualët më aktivë shqiptarë, deri atëherë zëri i tij kishte mbërritur në Prishtinë vetëm nëpërmjet ekranit të televizioneve nga Tirana. Edhe asaj radhe, Prishtinës do t’i fliste po përmes ekranit televiziv, por siç vërejti vetë ai që në krye të intervistës, ajo ishte hera e parë që intervistohej nga një media kosovare. Me sa di, ajo mbeti edhe hera e fundit.

Në atelienë ku jetohej

Me t’u përshëndetur, ai shpreh habi për saktësinë e ekipit televiziv. E kishim lënë të shkonim në ora 12:00 dhe ne kishim mbërritur një minutë para mesit të ditës. Shoqëruesja e ekipit tonë, Alda Bardhyli, mundohet të më ndërgjegjësojë që janë të rralla rastet kur ai jepte intervistë në banesën e tij, ku edhe krijonte. Ajo di shumëçka nga jeta e tij, madje edhe “jetën e tij paralele”, siç sugjeron titulli i librit të botuar prej saj “Maks Velo: Jetë paralele (Sipas raporteve të Sigurimit të Shtetit): Dokumentet sekrete të ndjekjes, hetimit, dënimit dhe burgut. Me parathënie dhe biseda me Alda Bardhylin”.

Ai është një libër që përmbledh 106 dokumente të përzgjedhura nga dosja e Sigurimit të Shtetit për Maks Velon gjatë viteve të regjimit komunist, kur ai ishte burgosur i akuzuar për agjitacion dhe propagandë. Në të vërtetë, siç e kishte thënë vetë Velo, pak ditë para se të lirohej nga burgu më 1986, “unë për veten time e quaj dënimin tim të padrejtë, sepse jam i dënuar mbi bazë shpifjesh, por vetëm një gjë e kam pasur që kam qenë i pari pas artit modernist”, citohet Velo në një raport sekret të punëtorit operativ Pëllumb Sinoimeri dhe të shefit të seksionit I, Duro Sako. Një i dënuar nga diktatura komuniste për pikturat e tij, gjithsej 249 vepra të konfiskuara dhe më pas të djegura në kaldajën e Gjykatës së Tiranës.

Sipas formatit të emisionit “CODEX”, tre librat për të cilët kishte zgjedhur të fliste Velo, ishin një roman artistik, një roman dokumentar dhe një vepër me kujtime. Romani “Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë, kujtimet e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” dhe romani “Ridënimi” i Fatos Lubonjës. Por fillimisht, ai na qerasi me nga një gotë raki, të cilat i pimë në këmbë, duke shëtitur në banesën e tij, në kërkim të këndit më të përshtatshëm për të xhiruar intervistën. Të thoshe se banesa e tij ishte kthyer në atelie, mbase nuk ishte përshkrimi më i saktë. Kjo pasi kur gjendeshe në të, vëreje që më shumë se sa një banesë e shndërruar në atelie, kishe të bëje me një atelie në të cilën jetohej. Shkallët që të ngjisin në të, e ndanin banesën në dy krahë, ku në të djathtin kishte një dollap rrobash dhe një krevat poshtë mureve ngjyrerrëta që mbante disa nga pikturat e vetë Maksit, kurse në krahun e majtë, përveç një tavoline pune nga druri dhoma dominohej nga një raft i madh i mbushur dingas me libra dhe revista.