Muzika që ka luajtur “I solisti romani” e ka fuqinë që të krijojë imazhe, veçmas kur bëhet fjalë për shumë të njohurin, Ennio Morricone, i cili me veprat e tij i bëri të paharrueshme edhe kryeveprat filmike. Dhe këtë ansambli italian, që ka bashkëpunuar direkt me gjeniun, e bën mjeshtërisht. E ka dëshmuar edhe me veprat e Astor Piazzollas në koncertin para publikut në Prishtinë
Instrumentistët e pozicionuar në skenën e “Kino Armatës” me lëvizjet e harqeve kanë nisur interpretimin e veprave që s’pushojnë së dëgjuari, qoftë nga skena apo filmat. Si të tilla ngjallin edhe fuqinë e imazheve. Pjesë nga vepra “The Mission” e kompozitorit të njohur Italian, Ennio Morricone, kanë qenë si hyrje nëpër krijimtarinë e tij. Morricone, që ka prekur një gamë të gjerë stilesh muzikore, në vitin 2016 u shpërblye me çmimin “Oscar” për kolonën zanore “The Hateful Eight”. Megjithatë, maestroja kishte besuar se këtë çmim e meritonte shumë më parë me kompozimin e tij “The Mission”.
Edhe një sërë veprash të tjera të tij, ansambli “I solisti romani”, kuintet instrumentesh me harqe me një violinë soliste i kanë sjellë të martën në “Kino Armata”. Ansambli me kompozitorin Morricone (1928–2020) ka bashkëpunuar një çerek shekull, duke u dhënë zë notave të kompozuara nga mjeshtri dhe të regjistruara për qindra filma të paharrueshëm, si dhe duke interpretuar me të në koncerte të shumta. Kjo edhe e dëshmon saktësinë e tyre në partiturat që kanë përballë. Këtë e kërkonte edhe vetë kompozitori, krijimet e të cilit përcjellin imazhet e filmave më të shikuar.
Por në këtë mbrëmje ata kanë udhëtuar edhe në tinguj më të largët të kompozitorit të njohur argjentinas, Astor Piazzolla. Me këtë ansambli nga Italia ka përcjellë kontrastet e muzikës që ka në repertor. Pjesa e dytë ka qenë një lëvizje në një botë të ndryshme muzikore, po aq të pasur sa u përket tingujve. Në nderim të kontributit të tyre është realizuar e gjithë mbrëmja në Prishtinë. Ka ngjallur krijimet e këtyre dy kompozitorëve në njëvjetorin e vdekjes së Morricone dhe në 100-vjetorin e lindjes së Astor Piazzollas.
“Për të festuar këtë sezon, ne kemi tentuar t’i nderojmë dy kompozitorë të mëdhenj, të cilët nuk e ndajnë të njëjtin vend të lindjes, të njëjtën eksperiencë dhe të njëjtën kulturë muzikore, por që kanë qenë protagonistët kryesorë të skenës muzikore në shekullin e XX”, ka thënë ambasadori Italian në Kosovë, Antonello de Rio.
Mbrëmja ka marrë një ngjyrim tjetër muzikor kur grupit të harkorëve i janë bashkuar instrumentistët e dalluar Daniele di Bonaventura në bandeone dhe Roberto Zechini në kitarë. Në bandeone luhet rrallë e hiç në Kosovë. Por kur luhen vepra të Astor Piazzollas, interpretimi merr edhe më shumë kuptim. Tingujt e muzikës klasike bëhen një me ata të jazzit. Kjo edhe i karakterizon krijimet e Piazzoles, që edhe vetë ndonjëherë i luante veprat e veta. Me kompozimet e lojën e tij, ai ngjalli një stil të ri të tangos, që njihej si “Nuevo Tango”. Kjo e bëri që të shpallej ”tradhtari i Tangos” nga të pasionuarit e muzikës klasike. Megjithatë nuk u zmbraps nga koncepti i të krijuarit një stil personal dhe të dallueshëm. Koncerte live, regjistrime diskografike, turne anembanë botës, marrje pjesë në shfaqjet më të mëdha radiotelevizive botërore, kinema, reklama: nuk ka asnjë vend ku notat e Piazzollas të mos kenë sjellë gjenialitetin dhe vizionin e tij për atë kulturë aq tërheqëse amerikano-jugore.

Në Prishtinë, fryma krijuese Piazzollas erdhi me veprat “Suite”, “Jeanne y Paul”, “Milonga sin Palabras 7” dhe “El Penultimo”. Veprat “Suite”, “Sus Ojos se Cerraron” dhe “Por Una Zabeza” të Carlos Gardel kanë qenë një vijë ndarëse e interpretimeve të kompozitorëve që kanë qenë në fokus të mbrëmjes. Kjo nuk e ka lënë pasiv as publikun e Prishtinës të martën mbrëma.
Profesoresha e pianos, Lejla Pula, e ka vlerësuar si një mbrëmje të rrallë koncertale të mbushur me imazhe muzikore jashtëzakonisht të bukura.
“Interpretimi i ansamblit të harqeve me lojë efektive dhe plot subtilitet të shprehjes artiste, plot ritëm e ndjesi të spikatur na mundësoi ta shijojmë një program shumë të bukur, i cili do të na mbetet gjatë në kujtesë”, ka thënë Pula për KOHËN.
Emocionet e publikut kanë ndikuar edhe në lojën e instrumentistit Daniele Bonaventura. Lojë në instrumentin e tij jo rrallë ka qenë fokus i mbrëmjes. Te publiku është përcjellë si një tingull i veçantë edhe në gërshetim me tingujt e instrumenteve të tjera.
“Për mua është hera e parë në Kosovë. Është një vend shumë i mirë për koncert me një atmosferë shumë të mirë. Këtu e shoh një qytet shumë interesant, ku mund të takoj shumë njerëz të rinj. Gardel është një kompozitor argjentinas dhe ai shpreh një muzikë shumë lirike, Piazzola ka një stil tjetër të tangos, që është më ritmike dhe më intensive. Me Robertin në kitare dhe grupin i kemi improvizuar këto vepra”, ka thënë Bonaventura për KOHËN. Ai ka 30 vjet miqësi me kitaristin Roberto Zachini. Kjo reflektohet edhe në skenë. Dhe më tepër bën që veprat të zbërthehen me shumë elegancë e dinamikë në tinguj. Për Zechinin skena e Kosovës është e njohur, pasi që ka luajtur edhe më parë për publikun e Kosovës.
“Është e mrekullueshme të luajmë së bashku këtu. Unë bashkëpunoj shumë me Danielen, i cili është një muzikant shumë i mirë italian dhe e falënderoj atë që aktivitetin tonë muzikor e bëri bashkë me këtë grup të instrumentistëve të muzikës klasike, për të përcjellë disa projekte të Piazzollas dhe Morricones. Fokusi i koncertit është se Gardel dhe Piazolla janë kompozitorë shumë të mirë nga Amerika Jugore. Piazzolla kishte të përfshirë edhe kitarën, andaj ai më ftoi mua t’i bashkëngjitëm”, ka treguar ai.
Koncerti i së martës mbrëma u organizua nga Ambasada e Italisë në Kosovë, së bashku me Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë dhe “DAM Festival”.
Bandeonisti italian, Daniele di Bonaventura, së bashku me kitaristin, Roberto Zechini, të mërkurën kanë hapur edicionin e dytë të festivalit “Peja Jazz”, i cili lindi si shpresë në kohën kur pandemia COVID-19 goditi skenën e kulturës gjithandej globit.