Dashuria mes gjinisë së njëjtë, migrimi dhe ndeshja me mentalitetin jo shumë modern shqiptar, mbështjellë në tisin e ndjenjave të sinqerta, janë ato që sjell “I love you more”.
Historia dinamike sjell në ekranin e kinemasë një dashuri mes dy personave të gjinisë së njëjtë, dhe sfidat e 17-vjeçarit për ta bindur rrethin për orientimin e tij seksual. Tutje, është pikërisht kjo dashuri që ngre si çështje tjetër një sfidë të dytë: luftën me ëndrrën e tij të kahershme vetëm e vetëm për t’i dalë zot dashurisë. Është kjo sfida që në krejt këtë histori e vë personazhin kryesor përballë prindërve të tij.
Shtyllat mbi të cilat shtrihet filmi “I love you more” janë disa. Gjatë gjithë filmit shtrohen pyetje të ndryshme: “Të jetosh më mirë apo të vazhdosh pa braktisur gjërat?”, “Të duash apo të mos duash?”.
“I love you more” nis me Benin e dashuruar në Leon. Zhvillohet në familjen e cila ka marrë atë që gjithmonë ka ëndërruar: “Green Card” për të jetuar në Amerikën e ëndrrave. Gjatë krejt historisë mban në qendër dilemat e mëdha të Benit për të kapur ëndrrën e kahershme krahas dashurisë dhe ndjenjave euforike ndaj të dashurit të tij që e ka njoftuar përmes internetit. Përfundon i dëshpëruar nga dashuria, dhe me misionin për të bërë jetën e tij të ëndrrave në Amerikë. E vetmja gjë që nuk ndryshon në fund të filmit, ndonëse i dëshpëruar nga mashkulli i parë në jetën e tij si i dashur, është orientimi seksual. Beni qe dhe mbetet pjesë e komunitetit LGBTQ+.
Mes krejt historisë që përçon shumë emocione, publiku ka mundësi të nuhatë bukuritë natyrore të Kosovës, përkatësisht qytetit të Pejës bashkë me pjesën e Rugovës. Janë pikërisht këto pamje që bëjnë audiencën të mendojë nëse është i nevojshëm migrimi. Por teksa historia thellohet, nevoja për kushte më të mira të jetesës dhe kushtet e jetesës normale të njerëzve të komunitetit në një vend me mentalitet jo shumë të hapur të bëjnë të shohësh krejt historinë nga një tjetër aspekt.
Ekrani i kinemasë qysh në fillim tregon se ajo që filmi përçon te publiku është historia e vërtetë e dikujt. Në përfundim rrëfen se është edhe dedikim. “I dedicate this film to my mom, dad, and my siblings”, thënë shqip “Këtë film ia dedikoj nënës sime, babait tim dhe vëllezërve dhe motrave të mia”. “I love you more” i Erblin Nushit është pasqyrimi i historisë së vetë regjisorit.
“Ideja ka lindur nga eksperienca ime personale, sepse është një storie që e kam përjetuar vetë. Zakonisht filmat e mi, edhe ata të shkurtër që i kam bërë, kanë qenë të bazuar në jetën time personale, sepse ato di t’i tregoj më së miri. Kam mësuar nga to diçka në jetën reale dhe mundohem që t’i përçoj ato mesazhe që të mësoj edhe dikush tjetër kur e sheh filmin. Kështu prej jetës personale”, ka thënë Nushi deri pak pas premierës për media ka folur për inspirimin dhe idenë e këtij projekti.
Ai ka treguar se pos mesazheve për pranimin e komunitetit LGBTQ+, pas filmit fshihen edhe mesazhe të tjera. Mes tyre ndjekja e ëndrrave, e si ndër më të rëndësishmet, vlerësimi i familjes. Ka thënë se gabimin që bën Beni, që lufton kundrejt idealeve të familjes për dikë që e njohu vetëm virtualisht, i ka bërë edhe vetë dikur.
Erblin Nushi jetoi 17 vjetët e tij të para në qytetin e Pejës derisa vendosi të migronte jashtë vendit. Prandaj Peja dhe Rugova janë vendi në të cilin u zhvilluan skenat e filmit, duke i bërë kështu personazhin Beni e filmin “I love you more” pasqyrën më reale te jetës së tij.
Por ndonëse Peja është vendlindja e tij, dhe vendi kryesor në të cilin është zhvilluar krejt kjo ngjarje, nuk qe edhe shumë i hapur ndaj kësaj historie të përjetuar në të. Sfidat për ta bërë sa më reale historinë e tij të vërtetë, Nushi ka thënë se lindnin kur njerëzit kuptonin tematikën.
“Filmin e kemi xhiruar në Pejë dhe Rugovë. Ka qenë sfiduese deri në një pikë në aspektin se jemi detyruar edhe të gënjejmë në disa vendeve dhe lokacioneve se për çfarë po xhirojmë. Në momentin që e kuptonin temën e filmit nuk na lejonin të xhirojmë. Na ka ndodhur edhe në vende publike. Mandej e kemi dërguar deri te Ministria e Kulturës, sepse filmi është i financuar prej saj dhe Qendrës Kinematografike. Kështu që ne kemi akses nëpër vende publike dhe me pëlqimin e ministrit kemi mund të vazhdojmë e t’i përfundojmë xhirimet”, ka thënë regjisori i filmit.
“Mospëlqimi i njerëzve që kanë qenë në detyrë në ato vende publike ka bërë që ndonjëherë të jetë e vështirë. Por e kemi shtyrë, duke iu thënë njerëzve që është një romancë. E ndërronim, çdo ditë e bënim një film tjetër, vetëm për shkak se tema ishte e ndjeshme”, ka shtuar tutje ai.
Duke qenë një histori e vërtetë, madje historia e vetë regjisorit, përgjegjësia rritej mbi aktorin Don Shala që në film mbante barrën kryesore.
“Çdo rol është sfidues sipas mendimit tim. Kjo normale që ka qenë më e vështirë shkaku i pikëpamjes së shoqërisë sonë për këtë temë. Por prapëseprapë është profesioni im dhe duhet ta respektoj deri në pikat e fundit. Ka qenë sfidë. Por ka qenë sfidë që mua më ka shtyrë shumë para dhe më ka përmirësuar”, ka thënë Shala.
Nënën e gjendur mes dy zjarresh, burrit shqiptar dhe birit të dashuruar, e luan aktorja Irena Aliu. Ajo përfaqësoi emocionet e thella përballë frikës së humbjes përderisa mbante mbi supe vendimet më të rëndësishme të familjes.
“Mirë. Aktrimi është profesioni ynë. E kemi profesion këtë punë dhe çfarëdo që bëjmë e bëjmë me vetë dëshirë nuk është që dikush të detyron të bësh diçka. Mirë, veç mirë”, ka thënë Aliu.
Premiera e filmit “I love you more” për publikun është sot (e enjte) në sallat e kinemasë “Cineplexx”. E ata që do ta shohin atë, do të futen në lëkurën e një komuniteti të margjinalizuar. Por jo vetëm kaq. Do të shohin edhe detaje të vështirësive të tyre e deri te vendimet që janë të zorshme të merren.