Filmi debutues i Hekuran Isufit, që përcjell fatin e të riut nga Kosova, Dardanit, ka marrë Çmimin e Société des Auteurs et Compositeurs Dramatiques (SACD) për filmin e parë artistik në prestigjiozin “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”. Po në këtë festival – që nisi më 27 janar dhe përfundon të shtunën – në garën ndërkombëtare është “Prishtina 2002” i Trëndelinë Halilit. “Jam gëzuar shumë që kam fituar një çmim në Clermont, është çmim i vlefshëm, pasi është i pari dhe që më hap rrugë për të bërë filma të tjerë”, ka thënë Isufi për KOHËN
Hekuran Isufi ka goditur me projektin e tij të parë, “I kemi varros baballarët”. Me filmin në të cilin në 23 minuta përcjell jetën e Dardanit, të riut kosovar me banim në Francë, është shpërblyer në prestigjiozin “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”. Në edicionin e 45-të të këtij festivali, ku ka konkurruar në garën kombëtare si produksion i Francës, ku jeton e vepron Isufi, ka marrë Çmimin e Société des Auteurs et Compositeurs Dramatiques (SACD) për filmin e parë artistik. Po në këtë festival – që nisi më 27 janar dhe përfundon të shtunën – në garën ndërkombëtare është “Prishtina 2002” i Trëndelinë Halilit.
Rrëfimi i “I kemi vrarë...” shpalos historinë e Dardanit (Don Shala) tek kthehet në vendlindje. Babai i tij ka vdekur. Që në titull prek thelbin e humbjes së prindërve. Ujkani (Valdrin Osmani) i rebelohet atij pasi është ndarë nga familja, por në të njëjtën kohë ndien keqardhje. Rebelimi i Ujkanit manifestohet duke mos e dërguar Dardanin te varri i babait. Shesh-xhirimet e filmit kanë zbarkuar në varrezat e lagjes “Dardania” në Prishtinë, në shtëpinë e familjes së Isufit dhe në aeroportin “Adem Jashari”. Kishin filluar në fund të janarit të kaluar dhe gjithë përgatitja e filmit kishte zgjatur tri javë.
Për Hekuran Isufin, pjesëmarrja në “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” në Francë ka qenë debutim i tij si regjisor. Në një bisedë për KOHËN është shprehur i lumtur për suksesin e tij të parë.
“Është filmi i parë që e kam bërë që është pritur shumë mirë. Jam gëzuar shumë që kam fituar një çmim në Clermont, është çmim i vlefshëm, pasi është i pari dhe që më hap rrugë për të bërë filma të tjerë. Më duket se publiku e ka dashur filmin goxha, pati shumë duartrokitje për filmin”, është shprehur Isufi. Filmi është prezantuar në kuadër të garës kombëtare, ku janë përfshirë 56 filma.
Në film Isufi ka përfshirë edhe familjarët e tij dhe kasta e aktorëve përbëhet nga Luan Daka, Sherif Isufi, Shpresa Makolli, Ujkan Makolli, Përparim Makolli. Filmi është prodhim i shkollës franceze të filmit “CineFabrique”, ku edhe ka studiuar regjisori. Producent i filmit është francezi Noah Cohen.

“I kemi varros baballarët” pati premierën më 28 janar, derisa është shfaqur edhe shtatë herë të tjera në kuadër të Festivalit.
Isufi është shprehur se çmimi është shtytje për punë të reja të tij.
“Do të xhiroj një film të shkurtër tjetër që do të realizohet në Francë dhe pastaj kam një projekt tjetër me disa shqiptarë në Francë”, ka treguar ai. Për “I kemi varros baballarët” ka njoftuar se premierën kosovare do ta ketë në festivalin “DokuFest” dhe se shumë shpejt pritet të konfirmohet premiera në Tiranë.
Çmimin në “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand” – që është çmim përcjellës – iu nda Jean-Paul Salome dhe Pierre Schoeller, anëtarë të SACD-së, shoqatë me themele këtu e gati 250 vjet më parë, e që sot numëron mbi 44 mijë anëtarë.
Në vlerësimin e tyre për filmin shkruhet se njëzëri kanë vendosur të ndajnë çmimin për filmin e Isufit, duke e vlerësuar si sukses të madh.
“Na preku veçanërisht saktësia e pamjes, puna me kuadro, me pamjet e të gjera që ushqejnë emocionin, na la përshtypje eksplorimi i temave të shumta: largimi, mërgimi, paslufta, lidhjet e brezave. Dhe kjo në kuptimin e thjeshtësisë. Qyteti i bën jehonë intimes. Tash, veçse e shohim një kineast të pjekur. E dëshmuar”, shkruhet në vlerësimin e tyre.
Festivali i filmit të metrazhit të shkurtër, që mbahet në Clermont-Ferrand në Francë, është një nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare në botë dhe i dyti në Francë pas Festivalit Cannes, sa i përket audiencës. Ky edicion futi në garë gjithsej 159 filma në garë.
Filmat nga Kosova nuk janë të panjohur për “Festival du Court Métrage de Clermont-Ferrand”. Ndër vite gati të gjithë produksionet më të njohura filmike kanë qenë në programe të ndryshme, përderisa në vitin 2000 nga regjisorë francezë për përjetimet e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë.