Kulturë

I jepet lamtumira e fundit kolosit të humorit shqiptar Paulin Preka

Trupi i pajetë i Mjeshtrit të Madh të humorit shkodran dhe mbarshqiptar, Paulin Preka, mbërriti paraditen e së mërkurës nga Italia në qytetin e tij të lindjes në Shkodër. Teatri “Migjeni” hapi dyert për të zhvilluar homazhet e fundit për nder të artistit të madh shqiptar, i cili u nda nga jeta më 4 shtator në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij. Të afërm, kolegë dhe miq të tij kanë qenë të pranishëm në momentet kur arkëmorti ka mbërritur në ambientet e teatrit “Migjeni”.

Në lamtumirën e fundit me kolegun me të cilin ndanë jetën artistike, kolegët kanë shumë për të thënë për Paulin Prekën.

Zyliha Miloti, partnerja e tij për 40 vjet me radhë në skenë, por dhe emra të tjerë të mëdhenj të humorit, kolegë të Paulin Prekës, janë parë të përloten për këtë humbje të madhe për qytetin e Shkodrës dhe Shqipërinë.

“Sot qyteti i Shkodër loces i jep lamtumirën e fundit artistit të madh, personalitetit të artit shqiptar Paulin Preka. Paulini kishte lindur me qenë artist i madh, i kompletuar në të gjitha drejtimet, jo vetëm aktor i humorit dhe komedisë, por aktor i mrekullueshëm në teatrin e dramës, artist i mrekullueshëm dhe në filmat shqiptarë, ka mbajtur gjallë estradën e Shkodrës me shkrimet e tij të mrekullueshme. Është një humbje e madhe. Ka qenë një partner i mrekullueshëm, e kam për nder dhe jam shumë krenare që kam interpretuar përkrah këtij artisti të madh që m’i ka shtuar shumë vlerat si artiste”, ka thënë Miloti. Sipas saj, përveçse një artist i përkryer i kushedi sa karaktereve dhe roleve, i cili asnjëherë nuk i bëri njësoj dy role, Paulini ka qenë një mik i mirë, një shok besnik i mirë.

“Ooo sa fjalë kam me thënë për të. Na ka ikë një artist i mrekullueshëm, duhen dekada ndoshta dhe një shekull me lind edhe një herë një Paulin Prekë, që nuk e di a lind”, ka thënë ajo

Recitalin e fundit kolosi i humorit e kishte në 80-vjetorin e lindjes dhe Zyliha Miloti ka treguar pengun e aktorit.

“Më vjen keq se ka lënë shumë materiale të shkruara dhe ka pasë shumë dëshirë me ardhë dhe me ba dhe një shfaqje. Në 80-vjetorin e ditëlindjes bëri recital, ishte pak i lodhur. Megjithatë, kishte dëshirë me ba dhe një shfaqje tjetër, materialet janë në familjen e Paulinit, sigurisht që do t’i sjellin këtu me përjetësu dhe një herë babën e vet”, ka thënë Miloti.

Aktori i Estradës së Shkodrës, Sandër Ruçi, ka thënë se Preka ka lënë pasuri të madhe prapa.

“Unë e pata mik, mësues, bashkëpunëtor dhe me thënë të drejtën ai e jetoi jetën dhe spektatori ka për ta pasur ndër mend. Ka qenë shkollë në vete, aktor i dimensioneve të mëdha”, ka thënë ai.

Image
Kolosi i humorit numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ndërsa ka spikatur me estradën e Shkodrës në rang kombëtar dhe ndërkombëtar

Aktorja Drande Xhaj e ka kujtuar Paulin Prekën si koleg e mësues.

Ai ka qenë gjithë jetën i qeshur, i mrekullueshëm, me një humor të jashtëzakonshëm edhe në tavolina”, ka thënë aktori i njohur Edmond Halili. Për kolegun e tij Zef Deda, ai është artisti që mori zemrën dhe e hodhi në skenë.

Për aktorin e humorit Besnik Çinari, Paulin Preka nuk u vlerësua aq sa duhej nga shteti shqiptar, por një gjë të tillë e bëri Italia.

“Paulin Preka ka lënë shpirtin dhe eshtrat në këtë teatër. Ka hapur siparin e estradës profesioniste të Shkodrës. Edhe pse u detyrua të largohej, shpirtin gjithnjë e ka pasur në Shkodër. Në vend që ta shpërblente vendi i tij Shqipëria, Italia e shpërbleu me pagë”, ka thënë Çinari.

Djali i tij, Sokol Preka, në fjalimin e rastit, falënderoi të gjithë artistët, të cilët i kanë qëndruar pranë babait gjatë gjithë jetës artistike. “Ka qenë një periudhë që ka vuajtur në Itali, e dimë të gjithë sa e vuajtshme është. Babai ka vuajtur shumë, por ne kishim edhe detyrën si fëmijë që ta mbanim afër. Ai kishte nevojë për afërsinë tonë, por kishte nevojë për publikun, për kolegët, për teatrin dhe për aktivitetin që ka bërë gjithë jetën. Nëse babai ka arritur këtë fuqi artistike në jetë, është e padiskutueshme që e ka arritur nga kolegët e tij. Nëse ke një ambient që të përkrahin në jetën artistike, kush mund ta bëjë më mirë sesa kolegët e tij. Pra, një falënderim i përjetshëm për atë që ju keni bërë për babanë”, u shpreh djali i aktorit. Preka do të prehet në qytetin e tij të lindjes në Shkodër.

Image
Të afërm, kolegë dhe miq të tij kanë qenë të pranishëm në momentet kur arkëmorti ka mbërritur në ambientet e teatrit “Migjeni”

Kolosi i humorit numëron me dhjetëra role në teatër dhe kinematografi, ndërsa ka spikatur me estradën e Shkodrës në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. U lind në Shkodër më 1935 në një familje të varfër. Në moshën 8-vjeçare, fare i vogël, u bë pjesëmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës. Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë – Knapsi. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlerësuan me çmim të parë. Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar, do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11-vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar, e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”.

Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore. Viti 1957 e në vazhdim ishin mjaft të ngarkuar me aktivitete dhe ai edhe pse punonte marangoz në kooperativën e punim-drurit, pasditeve aktivizohej në Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilat mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta”, përgatitur dhe vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova, ku Paulini u shqua në këtë shfaqje. Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, si ajo e të shtunave gazmore në RTSH në vitin 1994, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa” “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesën e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, materiale në vargje si “Eksodi”, hapja e recitalit të Sandër Ruçit “Çka t’tha” e shumë e shumë të tjera, si “Operacioni i dajës”, “Udhëtim me mikrobus” e të tjera.