I është dhënë lamtumira e fundit shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare. Ai u varros në varrezat e Tufinës në Tiranë. Ceremonia u zhvillua në rreth të ngushtë familjar, me kërkesë të familjes. Kadare vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

“Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t'i bërë homazhe, është t'i lexojmë përsëri veprat e tij”, ka thënë vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare.

 

Ceremonia e varrimit të Kadaresë mbahet mes anëtarëve të ngushtë të familjes

9 muaj më parë / 3 kor 2024 12:51
Ismail Kadare

Ka nisur ceremonia për varrimin e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare.

Varrimi i tij po bëhet pas homazheve të bëra nga shkrimtarë, politikanë, gazetarë e akademikë, derisa fjalim ka mbajtur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ceremonia e varrimit po mbahet vetëm nga anëtarët e familjes së Kadaresë.

Rama: Sot përcjellim shqiptarin që i përket botës

9 muaj më parë / 3 kor 2024 12:43
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur fjalimin pas homazheve të bëra për shkrimtarin Ismail Kadare.

Për Kadarenë, Rama tha se nuk u laureua me Nobelin për Letërsi, por mbeti në arkivat e Nobelit.

“Nënë Tereza po montohej për një shfaqje sot në darkë. Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë. Askujt nuk i shkonte mendja çka rastësoi këtu enkas për Ismailin dhe më mirë sesa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, ceremonia e përcjelljes së shqiptarit që i takon botës. Ismaili symbyllur do ndihej i marrë në mbrojtje nga ata që se donin dhe nga ata jo pak që e donin”, u shpreh Rama në nisje të fjalimit.

Para të pranishmëve, Rama tha se Kadareja është shqiptari që i përket botës, duke shtuar si ai "erdhi në këtë botë, shkroi dhe iku".

“Nuk e mori çmimin Nobel por mbeti në arkivat e Nobelit, i vetmi kandidat që ka një dosje letrash anonime nga bashkatdhetarët e tij. Erdhi shkroi dhe iku. Ne i kemi një referim, të respektojmë ikjen duke i dhënë një banesë të fundit ku të mos ndihet i kërcënuar as nga dashuria e pa kërkuar, as nga fqinjësia e padëshiruar që e kishte lemeri, as nga tubimet e fjalimet që i kishte llahtari”, ka thënë ai.

Rama ka shtuar se Kadare meriton të varroset në "banesën e fundit që të jetë vetëm e tij, e jo te dëshmorë

“Ndër të terët them unë, jo më në rolin e pakërkuar në personazhin e novelës por thjesht në zëdhënësin e qeverisë shqiptare, Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që te jetë vetëm e tij, jo te dëshmorët. Nuk ishte dëshmor dhe nuk ishte në dëshirën e tij për të rënë dëshmor. Jo bashkë me Naim Frashërin që ishin ndër të paktën që donte dhe respektonte. Nuk na kishte Ismaili t’ja ndalojmë vetminë e tij, për të na thënë atë ‘jo nuk duan e tij’”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Ai tha se bashkëshortja e Kadaresë, Helena, kërkoi që vetëm ai të mbante fjalim.

“Kur edhe Helena më çoi fjalë që donte veç fjalën time në këtë funeral, zgjodhi besoj të keqen më të vogël një fjalim të pashmangshëm të rastit nga dikush që nuk flet thjeshtë se ia kërkon detyra, por si dikush që me Ismailin e lidhte kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Ky nder mu bë edhe siklet po aq i rrallë sa dalja në një provim para fytyrës tallëse të Ismailit me tubimet, nderimet, fjalimet”, tha Rama veç të tjerash.

 

“Ishte gati i ngrirë”, botuesi tregon si e gjeti Kadarenë në momentet e fundit

9 muaj më parë / 3 kor 2024 11:44
Bujar Hudhri - Ismail Kadare

Botuesi i veprave të Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, ka rrëfyer për momentet e fundit të shkrimtarit. Ai tha se ishte njoftuar për gjendjen e tij, e kur i shkoi pranë e gjeti të shtrirë.

“Ishte moment dramatik kur më lajmëruan se duhej të vija se diçka kishte ndodhur. E pashë të shtrirë në korridor...e morëm, e hipëm në ambulancë, ishte në gjendje gati i ngrirë... Ishte një ambulancë e thjeshtë, pa një që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit dhe me zor çamë rrugën e Tiranës, ku ndonëse ulërinte sirena, njerëzit s’e hapnin rrugën”, ka deklaruar Hudhri.

Ai ka shtuar para gazetarëve se me të mbërrirë në spital, mjekët e morën në duar, por aty u vërejt se "diçka e keqe po ndodhte".

“...Mund të shihje mobilizimin e mjekëve, çka tregonte se diçka jo e mirë po ndodhte, derisa heshti gjithçka”, ka theksuar botuesi i “Onufrit”.

Kongoli: E kam adhuruar Kadarenë

9 muaj më parë / 3 kor 2024 11:33
Fatos Kongoli

Shkrimtari shqiptar, Fatos Kongoli, tha se e ka adhuruar Ismail Kadarenë si shkrimtar, duke theksuar se ka pasur miqësi të madhe me të.

Kadarenë, Kongoli e cilësoi shkollë letrare të gjuhës shqipe.

“Si autor është histori e gjatë, por e kam adhuruar gjithmonë si autor. Viteve të fundit u miqësuam shumë...Na ndodhte që të takoheshim në raste të ndryshme festash. Ismaili ishte çliruar komplet nga gjithçka dhe fliste në mënyrë të lirshme. Ismaili është shkollë letrare e fenomen letrar”, ka thënë Kongoli, autor i kryeveprës “I humburi”.

Ai shtoi se shumë shkrimtarë të rinj e imitojnë, por “proza e Kadaresë ështe e paevitueshme”.

ASHAK-u mban mbledhje komemorative për Ismail Kadarenë

9 muaj më parë / 3 kor 2024 11:27
ASHAK

Photo: Alban Bujari

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) të mërkurën ka mbajtur mbledhje komemorative në respekt të veprës së shkrimtarit Ismail Kadare.

Kadareja ishte anëtar i ASHAK-ut.

Kadare vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Andoni vlerëson kontributin e Kadaresë për Marrëveshjen e Rambouilletit

9 muaj më parë / 3 kor 2024 10:53
Ben Andoni

Gazetari Ben Andoni e ka vlerësuar kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare që Marrëveshja e Rambouilletit të nënshkruhej në vitin 1999, me të cilën mori fund lufta në Kosovë.

Kadare vdiq në moshën 88-vjeçare të hënën.

Në një intervistë në RTSH, Andoni ka thënë se Kadareja ka dhënë kontribut të madh për çështjen e Kosovës.

“Humbi një kohë në një periudhë letrare [me vdekjen e tij], Kadare identifikohej me një kohë letrare, por në disa momente Kadare arriti të bënte edhe autoritetin moral për vendin tonë. Ka disa dritëhije për të cilat nuk është momenti për t’i shfaqur. Por në momente të caktuara të historisë, arriti të bënte autoritet moral. E kam në mendje këtu periudhën pas viteve ’90, kontributin e madh për çështjen e Kosovës. Është një nga njerëzit që është drejtuar me letra me një prej presidentëve më të rëndësishëm të asaj kohe, Jacques Chirac [ish-presidenti francez]. Ishte një nga njerëzit që këmbënguli shumë që në Rambouillet të nënshkruhej marrëveshja”, ka thënë ai.

Andoni ka thënë se Kadareja nuk duhet të krahasohet me shkrimtarë të tjerë të huaj. Sipas tij, me pjesën letrare, Kadare shpjegoj disa punë shqiptare.

“Gjenitë si Kadareja e kanë të siguruar pavdekësinë”

9 muaj më parë / 3 kor 2024 10:40
Ismail Kadare

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se gjenitë sikur shkrimtari Ismail Kadareja e kanë të siguruar pavdekësinë.

Në homazhet për shkrimtarin e madh të mërkurën në Tiranë, kryetari i Partisë së lirisë ka thënë se Kadareja i ngriti shqiptarët në majën e letërsisë botërore në kohën kur ishin më të izoluar se kurrë.

“Dhe jo vetëm kaq, por edhe me sakrificat e tij i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm. Gjenitë si ai e kanë të siguruar pavdekësinë sepse jetojnë përgjithmonë në ndërgjegjen e kombit”, ka thënë ai.

E opozitari tjetër, Lulzim Basha i Demokratëve Euroatlantikë ka thënë se edhe në momente të homazheve, emri i Kadaresë “kontribuon në përballjen mes të mirës dhe të keqes, të bukurës e të shëmtuarës”.

Rohde: Trashëgimia e Kadaresë do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme

9 muaj më parë / 3 kor 2024 10:34
Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se trashëgimia e shkrimtarit Ismail Kadare do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme.

Rohde po merr pjesë në homazhet për Kadarenë, ceremoni që po mbahet në Tiranë.

“Duke nderuar gjigantin letrar Ismail Kadare. Fjalët e tij sollën letërsinë shqipe në botë dhe prekën zemra të panumërta. U prefsh ne paqe. Trashëgimia e tij do të jetojë përmes tregimeve të tij të përjetshme dhe frymëzimit që u dha brezave të shkrimtarëve të rinj!”, ka shkruar Rohde në “X”.

Nisin homazhet për Kadarenë

9 muaj më parë / 3 kor 2024 09:34
Ismail Kadare

Në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor po mbahen homazhe për shkrimtarin Ismail Kadare. Familja e Kadaresë ka njoftuar se homazhet publike do të zgjasin deri në orën 12:30.

Shkrimtarë, gazetarë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë kanë bërë homazhe, derisa arkivoli i tij është mbuluar flamurin kombëtar.

Prezente është edhe bashkëshortja e tij, Helena Kadare.

Ceremonia e lamtumirës së shkrimtarit më të madh shqiptar

9 muaj më parë / 3 kor 2024 08:45
Ismail Kadare

Sot i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.

Homazhet publike do të mbahen prej orës 09:00 deri në 11:30 në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit popullor.

Më pas është ceremonia njëorëshe shtetërore e Lamtumirës.

Kortezhi, sipas agjendës, do të niset prej orës 12:30 për në varrezat e Tufinës. 

Në orën 13:00 të po kësaj dite në nderim të Ismail Kadaresë do të ndërpritet çdo veprimtari duke u mbajtur një minutë heshtje, ndërsa Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror do të transmetojë muzikë funebre.

Në ceremoninë e lamtumirës do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

CEREMONIA LIVE: