Kulturë

“Humbja” në Tuz e Ulqin si fitore e letërsisë që i bashkon shqiptarët

Në ato që konsiderohen si kryeqendra të hapësirave shqiptare, përurimi i një vepre do të ishte ngjarje e rëndomtë, por në Tuz e Ulqin, “Humbja” kontekstualizohet si fitore e letërsisë që i bashkon shqiptarët. Jo se aty nuk ka përurime librash a lexues. Vepra e Mark Pashkut, prej një vendi të vogël erdhi në qendër, në Prishtinë, mori shpërblimin “Rexhai Surroi” për letërsi të vitit 2021, e në fillim të javës u rikthye në dy vendet shqiptare në Mal të Zi bashkë me mesazhin se është kultura ajo që i bashkon shqiptarët. Tema e kësaj vepre është tjetër kapitull: ka të bëjë me fatin e qenies shqiptare, me dinjitetin, ikjen, denigrimin dhe jo vetëm

Tuz, Ulqin, 10 maj – E para fjali që e hap “Humbjen” vjen në formë pyetjeje nëse mendohet ndonjëherë së “gjërat në jetë janë të paracaktuara”. S’ka të bëjë me fatin e romanit. As të shkrimtarit. E natyrshme, rrugëtimi i tij deri te një çmim nuk qe i paracaktuar: konkurroi me shifër, autori qe anonim për jurinë e çmimit të njohur për letërsi, laureatë të të cilit deri më tash janë emrat më në zë të letrave shqipe.

Vepra e Mark Pashkut prej një vendi të vogël erdhi në qendër, në Prishtinë, mori shpërblimin “Rexhai Surroi” për letërsi të vitit 2021, e në fillim të kësaj jave u rikthye në Tuz e Ulqin jo vetëm si fitues çmimi.

Në ato që konsiderohen si kryeqendra të hapësirave shqiptare, përurimi i një vepre do të ishte ngjarje e rëndomtë, por në dy vendet shqiptare në Mal të Zi, “Humbja” kontekstualizohet si fitore e letërsisë që i bashkon shqiptarët.

“Njerëz me drama këta ballkanasit...”, është fjalia e fundit e “Humbjes” që vjen në prolog bashkë me dilemën: “...nuk e di nëse ndonjëherë do të gjejnë paqe”. Derisa ballkanasit – me shqiptarët në mes – do ta gjejnë paqen me njëri-tjetrin, “Humbja” e gjen atë me lexuesin, e letërsia shqipe i jep shans shembjes së kufijve midis lexuesit shqiptar. Tema e kësaj vepre është tjetër kapitull: ka të bëjë me fatin e qenies shqiptare, me dinjitetin, ikjen, denigrimin dhe jo vetëm.

Një vepër që nderon Malësinë

Fiks 138 ditë pas fitores në Prishtinë, “Humbja” është përuruar në Malësi, aty ku e ka zanafillën romani, ku gjëllin tema e tij dhe që është vendlindja e autorit.

“Promovojmë ‘Humbjen’ e cila paradoksalisht solli fitoren. ‘Humbja’ e cila është skalitur mjeshtërisht duke u shndërruar në fitore vetëm kur origjinaliteti i idesë shtrihet në hapësirën e kontestuar të jetës. Fitorja mundi humbjen, sepse u rreshtua në perspektivën e së mundshmes, reales dhe objektives”, ka thënë Vasel Berishaj, drejtor i qendrës kulturore-informative “Malësia” në Tuz, ku është mbajtur përurimi të hënën mbrëma. Ka thënë se vepra s’e nderon vetëm autorin, por tërë Malësinë, dhe se shpërblimi për të dëshmon objektivitetin e jurisë, të botuesit KOHA.

”Është hera e parë që një autor nga Malësia të shpërblehet me një çmim kaq të lartë”, ka thënë Berishaj.

Botimet KOHA – siç bën tradicionalisht me veprat laureate të shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi – e ka botuar “Humbjen” si titullin e parë për sivjet.

Prania e Flaka Surroit, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, është çmuar në Tuz e Ulqin, jo vetëm për pjesëmarrjen në përurim e në përkrahjen e shkrimtarit nga këto anë, por për kontributin në përfshirjen e këtyre dy vendeve në hapësirë më të gjerë kulturore.

“Në garën e edicionit të 14-të merrnin pjesë madje 20 tekste, dhe në mesin e konkurruesve kishte autorë tashmë me disa botime dhe me një karrierë të pasur profesionale dhe letrare. Tekstet u shkuan anëtarëve të jurisë pa emra dhe pa tituj – ashtu që të eliminohej madje edhe mundësia më e vogël për ndonjë subjektivizëm eventual”, ka thënë Surroi. Përgjigjja që do të kthente juria pasi kishte diskutuar dhe vendosur, qe se fitues i shpërblimit ishte teksti me numrin rendor 14.

“Pra, juria nuk e dinte as gjininë e fituesit e as titullin e librit, porse një gjë që e dinte me siguri, se në atë garë ‘Humbja’ e Mark Pashkut ishte libri padiskutueshëm më i miri dhe se me meritë do të shpallej laureat për vitin 2021”, ka thënë Surroi. Fitores së Pashkut – i lindur më 1986 në Podgoricë, e që studimet për gjuhë e letërsi i kreu në Universitetin e Prishtinës, e ato posdiplomike në Shkodër – i ka dhënë edhe një tjetër kuptim.

“Paraqiste suksesin më të prekshëm të punës së palodhshme të atij brezi që kishte themeluar Universitetin e Prishtinës – si tempull dijeje për shqiptarët, pavarësisht se në cilin cep të trojeve tona jetonin”, ka thënë Surroi për laureatin e çmimit që mban emrin e shkrimtarit, gazetarit e diplomatit Rexhai Surroi, njëra prej figurave qendrore të themeltarëve të Universitetit të Prishtinës. Por s’është vetëm një vepër që i kthehet Malësisë si fitore. Ende pa u vënë guri themeltar, biblioteka në Tuzin e “pavarësuar” nga Podgorica më 2018 – kur u shpall Komunë pas kërkesës së shqiptarëve për më shumë se një çerekshekull – i ka të sigurt disa tituj librash.

“Me rastin e përurimit të librit ‘Humbja’, kemi marrë me vete edhe një numër librash në emër të përkrahjes së themelimit të bibliotekës në Tuz, që uroj të ndodhë shpejt. Kjo përkrahje nuk do të mungojë as në të ardhmen”, ka thënë Surroi, e cila në fund të përurimit ka dorëzuar donacionin me rreth 150 tituj të Botimeve KOHA.

Paneli në Tuz ka bërë bashkë kritikë, studiues e botues nga vendi nikoqir, Prishtina e Tirana.

“Nuk e ndaj dot veten nga ‘Humbja’ e Markut, duke theksuar që po, e kam gjetur në krejt simbolikën e Shqipërisë, anekënd, sepse te Marku e gjejmë atë të shprehur si në emra në vende ashtu edhe në territore të Shqipërisë”, ka thënë Denion Ndrenika, gazetar dhe publicist nga Tirana.

Tema e kësaj vepre është tjetër kapitull: ka të bëjë me fatin e qenies shqiptare, me ikjen, denigrimin dhe jo vetëm.

Studiuesi Nikollë Camaj e ka zbërthyer në detaje “Humbjen” e Pashkut, e në disa pjesë këtë e ka bërë edhe moderatori i panelit Idriz Gjokaj, regjisor.

“Ajo që e përshkon veprën që nga prologu e deri te epilogu, nuk është asgjë tjetër pos, sikurse edhe veprat paraprake, metaforë e të jetuarit nën trysninë e një bote të kriminalizuar, që shtrihet nga Ballkani deri në Evropë, por që në bazë të emrave kuptojmë se lidhet me botën e shqiptarëve”, ka thënë Camaj. Dhe një botë e tillë nuk është e panjohur për bashkëkohanikët, por autori nuk e prek vetëm atë.

“Ai e ballafaqon të tashmen e kriminalizuar me të kaluarën e miteve tona që lidhet me eksodin, me shpërnguljen, dhunimet, kryqin që mbanim mbi shpinë – dëshmi e sakrificave për të ruajtur atë që ishte më e shtrenjta për gjenerata të tëra – kombin, Arbërinë”, ka thënë Camaj, duke shtuar se Pashku thyen edhe tabutë lidhur me religjionin dhe vlerat e një familjeje tipike malësore në të kaluarën.

“Por edhe tabutë e së sotmes, për të cilat dinë që të gjithë, e që të thyhen ato duhet edhe guxim”, ka thënë ai.

“Humbja” tashmë është në dorë të lexuesit, dhe i mbetet atij të shëtisë e të zhvendoset në një rrëfim paralel midis së tashmes dhe së kaluarës. Albert Tivari e Mateo Labeati janë dy prej personazheve, e kryepersonazhi i përurimit ka qenë ai që u ka dhënë jetë në “Humbje”.

“Letërsia që nuk e ngacmon lexuesin, mendoj se nuk e ka arritur qëllimin e vet. Në libër jam munduar të tregoj vërtet atë që më shqetëson jo vetëm mua, por edhe shoqërinë e përditshme timen – është një dhimbje e jashtëzakonshme. Nuk e di se cila është rruga jonë, rruga e rinisë sonë”, ka thënë Mark Pashku teksa ka falënderuar “që një shkrimtari prej një vendi të vogël si Malësia t’i dëgjohet zëri pak më larg sesa mëhalla”.

Në “napolonin e bukur të shqiptarisë”

Mark Pashku ka folur i fundit edhe në përurimin në Ulqin, një ditë pas Tuzit.

“Ulqini është napoloni i bukur i shqiptarisë me të cilin jemi krenarë edhe ne malësorët. Si qytet, si histori kemi një krenari të jashtëzakonshme. Shpesh kur dalim jashtë na thonë ‘ulqinakë’ dhe nuk e marrim për ofendim. Madje, themi ‘a thua do të arrijmë një ditë edhe ne ta prekim historinë e Ulqinit’”, ka thënë Pashku në librarinë “Ulqini”, që ka edhe një tjetër peshë: e hapur në nëntorin e vitit të kaluar – si nismë e një grupi miqsh, konkretizuar prej Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi – është e para e tillë e librit shqip në këtë qytet. Këshilli ka marrë përsipër edhe organizimin e përurimit të martën mbrëma.

“Ky është një rast i mirë dhe një ambient i përshtatshëm për veprimtari të tilla kulturore, e në veçanti kur bëhet fjalë për ruajtjen e veprimtarisë dhe jetës kulturore, artistike të shqiptarëve në Mal të Zi, me theks të veçantë të identitetit. Kam një fjalë përshëndetëse për të gjithë kritikët e sigurisht për vlerësimin që një shqiptar nga Mali i Zi vlerësohet me këtë çmim kaq të lartë për krijimtarinë letrare e posaçërisht në prozë. E ky është një inkurajim për Markun dhe për të gjithë krijuesit potencialë”, ka thënë Faik Nika, kryetar i KKSHMZ-së.

Image
“Ulqini është napoloni i bukur i shqiptarisë me të cilin jemi krenarë edhe ne malësorët. Si qytet, si histori, kemi një krenari të jashtëzakonshme”, ka thënë Pashku gjatë promovimit të librit në librarinë “Ulqini”, që ka edhe një tjetër peshë: e hapur në nëntorin e vitit të kaluar – si nismë e një grupi miqsh, konkretizuar prej Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi – është e para e tillë e librit shqip në këtë qytet

Flaka Surroi, drejtoreshë e Grupit KOHA, ka pasur edhe një ftesë për krijuesit në qytetin bregdetar.

“Ashtu siç ky do të mund të konsiderohej triumf për Tuzin e Malësinë, shumë do të doja që në të ardhmen të kemi edhe garues, por edhe fitues nga Ulqini - sepse jam e sigurt se talenti është këtu, porse vetëm duhet guximi si i Markut për ta provuar fatin”, ka thënë Surroi. Ulqinin s’e ka vizituar tash e sa vjet. E ka rikthyer libri.

“Më vjen mirë që jemi mbledhur në Ulqin, për ta festuar librin në librarinë e parë të librit shqip këtu”, ka thënë ajo. “Humbjen” e ka cilësuar si roman përshkrues i një situate “që nuk ka nevojë të imagjinohet”.

“Sepse shumë thjesht mund të ndodhë, dhe ndodh, për fat të keq. Libri është aq interesant dhe dinamik, sa nuk të lë ta lëshosh nga dora derisa të mbërrish te faqja e fundit”, ka thënë Surroi.

Studiuesi e kritiku Nikollë Berishaj ka thënë se vjen një situatë kur për artistin fillojnë të zhduken kufijtë.

“Fillimisht ata lokalë e krahinorë, për të shpërthyer në rrafshin kombëtar duke gjetur vendin e vet ndërmjet të mëdhenjve. Pa dyshim, autori ynë Mark Pashku, për të cilin jemi mbledhur sot këtu, falë shpërblimit prestigjioz për letrat shqipe ‘Rexhai Surroi’ për romanin e vitit 2021 – të cilin përpos tij, mes të tjerëve e morën edhe Ismail Kadare, Agron Tufa, Fatos Kongoli, Ridvan Dibra, Ag Apolloni – e kapërceu këtë kufi”, ka thënë Berishaj.

Edhe me “Humbjen” Berishaj ka thënë se Pashku ia kujton se e ka të pamundur të shkruajë për malësorët – edhe intelektualë të mirëfilltë qofshin ata që e lidhin fatin e vet larg vendlindjes – e të mos shkruajë për Malësinë.

“Faleminderit shkrimtarit, por edhe botuesit që edhe kësaj radhe e pranoi thënien e mikut dhe shkrimtarit tonë të madh Ridvan Dibra, se ‘letërsinë e vërtetë e krijon rrethi, por e promovon qendra’”, ka thënë Berishaj.

Mark Pashku tashmë është shkrimtar i qendrës. I emocionuar ka qenë në të dy përurimet. Në Ulqin ka thënë se ngjarja ka domethënie jo vetëm për të.

“Vetë prania ime mes jush, vetë prania juaj krah meje, krah meje e librit, vetë prania e Flaka Surroit, e Kosovës, është një ngjarje e veçantë për të gjithë ne. Gjithmonë për ta mbërthyer këmishën duhet një pullë: Kosova gjithmonë e ka luajtur rolin për ta mbërthyer këmishën e shqiptarëve të Malit të Zi në të gjitha sferat, qoftë kulturore apo politike”, ka thënë ai.