Driton Selmani, artist nga Kosova shndërroi si rrallëherë një pub lokal diku në skutat e qytetit, në një hapësirë ekspozuese. Ambienti, shtëpi e një koleksioni të pasur pllakash gramafoni, nën tingujt e muzikës së zgjedhur, me një atmosferë tipike të pubeve angleze u bë dhe hapësirë ekspozimi për disa punë të Selmanit. “How To Tilt Time?” (Si të anoni kohën?) vjen si një ekspozitë, e cila dyzon artin e Selmanit me ndikimin e muzikës në procesin e krijimit të artit
Skena kulturore në kryeqytet të premten mbrëma krahas ritualit të daljes kafehaneve u shënjua dhe me një eksperiment artistik të pazakontë. Driton Selmani, artist nga Kosova, shndërroi si rrallëherë një pub lokal diku në skutat e qytetit, në një hapësirë ekspozuese. Ambienti, shtëpi e një koleksioni të pasur pllakash gramafoni, nën tingujt e muzikës së zgjedhur, me një atmosferë tipike të pubeve angleze u bë edhe hapësirë ekspozimi për disa punë të Selmanit.
“How To Tilt Time?” (Si të anoni kohën?) vjen si një ekspozitë e cila dyzon artin e Selmanit me ndikimin e muzikës në procesin e krijimit të artit për të. Ai përmes tre bezeve shfaq po kaq mesazhe të cilat ndërthurin një lloj refleksiviteti të artistit karshi rrjetëzimeve shoqërore të ndryshme, duke filluar nga sfera sociale e politike e deri te muzika. Artisti, në bashkëpunim me një rrobaqepës lokal, qëndis mesazhe në tre “flamuj” të ekspozuar, si parulla me mesazhe të fuqishme artistike, të cilat lënë hapësirë për interpretime nga këndi personal i gjithsecilit, por aty gjen vend edhe vetëdija kolektive. Njëri mban mesazhin “Friday is like a tattoo, it only hurts tmrrw” (E premtja është si një tatuazh, dhemb të nesërmen”, tjetri, “Kill em all” (Vritni të gjithë) në të dyja artisi nuk e lë me kaq. Tek e para ai intervenon duke bërë një djegie në të, ndërkaq tek i dyti ai ngulit një shtizë tek shkronjat “LL” dhe rivendos dy “SS”, të cilat automatikisht ndryshojnë mesazhin në bez në “Kiss em all” (Puthni të gjithë). Përmes këtyre intervenimeve, artisti shfaq njëfarë investigimi që ai u bënë si fuqisë punëtore kur vjen fjala te bashkëpunimi me një rrobaqepës lokal, ndikimi i muzikës në inputin artistik, dhe mesazhet kundër luftërave aktuale në botë. Por ai e trajton edhe një anë personale të tijën, të lidhur ngushtë me hapësirën në të cilën ai vendosi të realizonte këtë ekspozitë. Ai vëmendje u jep edhe kulturës së “pubeve” dhe bisedave që zhvillohen në to krahas muzikës, në një të premte mbrëma.
Këto tri vepra ofrojnë një alternativë të domosdoshme për “status quo-në” e artit bashkëkohor dhe një këndvështrim që ofron një klimë për të riimagjinuar mënyrat se si e kuptojmë botën përmes artit.
“Fokusi i ekspozitës është tek arti dhe tekstili, ekspozita shërben gjithashtu si një përshkrim kronologjik i metodave të fundit të të menduarit të artistit. Një manifestim vizual i interesave dhe avokimit të tij të vazhdueshëm. Përafrimi i poetikës me polemika, flamuri i Selmanit dhe punimet e banderolave kanë marrë gjithnjë e më shumë një dimension më urgjent edhe politik: evident në ekspozitat e tij të fundit në Vjenë, Budapest, Ghent dhe Vilnius...”, thuhet në konceptin e ekspozitës, të shkruar nga kuratori Alex F. Koenig.
“Është një ekspozitë shumë jokonvencionale, në një hapësirë ‘offspace’, dhe vjen si një seri e punëve, e cila është e natyrshme në praktikën time të deritashme dhe vjen si rrjedhojë e diskutimeve mes meje dhe pronarit të lokalit. Këtu paraqitet relacioni mes muhabeteve që bëhen në një pub të lagjes, relacioni im me pllakat e muzikës, historisë së muzikës dhe ndikimit të saj në mënyrën e të menduarit dhe të shprehurit artistik”, ka thënë Selmani duke folur mbi konceptin përmbajtjesor të ekspozitës.
Ndërkaq për titullin e ekspozitës ai tregoi mbi lidhjen që ka emri me vendin ku zgjodhi të realizonte ekspozitën - një pub në të cilin ai kalon shumë kohë.
“Vjen me këtë titull pasi që lidhet edhe me emrin e ‘vinyl barit’ dhe radios ‘Tillt’. Është pjesa e parë prej serisë prej tri ekspozitave që do të vijnë në vazhdim si një cikël kalendarik, të cilat janë mendu me pasë këtë shtrirje për shkak të shumë arsyeve, ndoshta duke u nisur dhe nga neglizhenca apo pamundësia për me sjellë ‘gjak të ri’ në hapësira nga të cilat artistët e rinj nuk ishte dashtë me u frikësu”, ka thënë Selmani duke theksuar dhe rolin që kjo ekspozitë synon të ketë dhe si ftesë për artistët e rinj për t’u hapur karshi hapësirave jokonvencionale të ekspozimit, jashtë galerive të rëndomta.
Kjo ekspozitë, komplekse në kuptimin e saj, përfshin në vete edhe relacionet e ndërthurura të artistit me hapësirën, mesazhet dhe detajet e tjera përcjellëse. Por, idenë që këtë reflektim ta shfaqë përmes porosive e kishte nisur qartë, duke luajtur me vetë rolin që ka rëndom një objekt i tillë.
“Është inspirim prej kulturës së kopertinave të pllakave muzikore, pastaj ndërlidhet dhe me faktin se kur ti krijon një baner apo flamur, automatikisht e përcjell një mesazh zyrtar, sepse flamujt janë simbole të shoqërive, shteteve e organizatave të ndryshme. Pastaj është dhe ideja e prodhimit nga konteksti se ku ndodhemi, është një rol relacioni mes kontekstit politik shoqëror bashkë me disa qëndrime të miat që vijnë dhe si rezultat i ndikimit të muzikës, me pak fjalë një lloj pingpongu”, u shpreh artisti Selmani, në një tentativë për të shpjeguar ekspozitën.
Selmani i qaset idesë së realitetit të perceptuar duke dekonstruktuar formacione të temave sociale, politike dhe kulturore që janë mishëruar rreth tij gjatë formimit si individ. Ai, në vend që të përshtatet me normat e zakonshme që shtyjnë kah galeritë tradicionale, zgjedh një hapësirë të veçantë të qytetit për të shprehur vizionin e tij artistik karshi qëndrimeve të tija politike mbi realitetin e vendit dhe botës. Kështu ai ofron një dritare në mundësitë që ofron arti bashkëkohor si mënyrë për të interpretuar botëkuptime, ndjenja apo perceptime.