Kulturë

“How sad, how lovely” që eksploron botën e brendshme dhe të jashtme, fituese e “Artistët e së nesërmes”

Instalacioni “How sad, how lovely”

Instalacioni “How sad, how lovely” (Sa e pikëlluar, sa e bukur) i Mimoza Sahitit trajton luftën e njeriut me vetveten dhe me atë çfarë e rrethon

Vepra që eksploron identitetin e njeriut dhe është si një lloj paraleleje midis botës së jashtme dhe të brendshme, ka triumfuar në “Artistët e së nesërmes”.  Instalacioni “How sad, how lovely” (Sa e pikëlluar, sa e bukur) i Mimoza Sahitit trajton luftën e njeriut me vetveten dhe me atë çfarë e rrethon. Njëra pikturë me ngjyra vaji në pëlhurë paraqet imazhin e një njeriu që ngjan në kauboj. Piktura tjetër pranë saj e definon dhe e bën të qartë identitetin e tij, por aty koka është një kafkë duke mbajtur dy armë. Njëra është e drejtuar kah vetja, tjetra kah të tjerët. 

Tjetër sekuencë e veprës është dera e instaluar, në të cilën është e varur xhaketa e qëndisur me penj të kuq me fjalët “How sad, how lovely”. Vepra vjen si përsëritje e asaj çfarë vesh protagonisti në dy piktura.

“Artistët e së nesërmes” me juri të përbërë nga artistja gjermane, bashkëthemeluese e redaktores së “e-flux”, Julieta Aranda, artistja e drejtoresha e qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Miljana Dungjerin, sociologia e profesoresha e asociuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Vjollca Krasniqi, turku Alper Turan – kurator e shkrimtar si dhe artisti e kuratori Lulzim Zeqiri për këtë edicion shpallën fituese artisten e re. 

Fituesen e çmimit, Mimoza Sahiti, e ka motivuar albumi i Connie Converse, ‘How sad, how lovely’ me titullin e njëjtë si vepra e saj e ekspozuar. 

“E gjitha ka filluar me albumin e Connie Converse-it të vitit 1950, e cila ka filluar të këndojë dhe të luajë në kitarë para Bob Dylanit. Ajo i vë emrin albumit ‘How sad, how lovely’ dhe e tërë ideja më pastaj është lidhur me ekspozitën. Dy pikturat me kauboj janë bërë para një viti, pastaj këtë xhaketë e kam blerë para tre muajsh në një ‘second hand’ dhe kur e kam parë pikturën me kauboj, e kam parë xhaketën e ngjashme që e kam punuar. Krejt fryma e ‘How sad, how lovely’ dhe teksti që e ka në këngë më lidhet me idenë e jetës së jashtme me atë të brendshme”, ka thënë Sahiti. 

Sahiti ka treguar se si është inspiruar mbi temën. Kishte shkuar të jetojë në fshat e vetme. 

“Nga pamja e bukur, qetësia e natës me plot yje dhe ikja nga zhurma e qytetit më bëri të filloj dhe të reflektoj. Ajo çfarë më ka inspiruar më së shumti është Connie Converse - ‘How sad, how lovely’, një këngëtare e cila për një kohë të gjatë është harruar, por ka qenë këngëtarja e parë që ka perfomuar me kitarë në prani të Bob Dylanit. Pikërisht edhe tema e ekspozitës sime në këtë ngjarje titullohet sipas albumit të këngëtares ‘How sad, how lovely’”, ka thënë ajo.

Ka treguar të jetë ndier shumë afër kësaj gruaje dhe aty ka filluar të pikturojë. Kishte punuar 19 piktura të vogla me idenë t’i ekspozonte. 

“Por më vonë i kam parë edhe disa punime që i kam bërë edhe më herët, siç është njëra prej pikturave me kaubojin dhe motivi më ka ardhur për këto dy piktura, duke parë filma ‘western’ për pothuajse dy vjet”, ka thënë ajo.

Artistja e re Sahiti ka treguar se i linte përshtypje estetika e kaubojve si të vetmuar e të rrethuar me bukuritë e natyrës. 

“Lidhja me ekspozitën ishte se kudo që shkon, prapë kthehesh te vetja, prapë merresh me veten, pavarësisht se del dhe ke komunikim me njerëz prapë se prapë ndalesh dhe pyet veten kush jam unë, çka jam, çka dua, dhe ky ishte kërkim i identitetit se kush jam unë?”, ka thënë ajo. 

Në lidhje me pikturën e dytë, ajo ka treguar se ka të bëjë me dyshimin në veten dhe me botën, dhe se njeriu duhet të gjejë një bashkëpunim me veten. 

“Dera dhe kjo xhaketë është instalacioni i parë që e kam bërë. Xhaketën e kam blerë në një ‘second hand’ dhe e pata veshur tërë kohën tre muaj dhe filloi të gërvishtej e unë fillova ta qep. Më bëri të mendoj pse nuk e marr këtë xhaketë ta ekspozoj se pikërisht po e shpjegon idenë e botës së jashtme, sepse e vesh dhe ndihesh rehat, dhe për ta arritur ndjenjën e qetësisë në shoqëri dhe me botën jashtë, duhet të përballesh me veten dhe duhet të zbulosh disa gjëra me çfarë ndihesh rehat, kush mendon që je dhe mund ta shfaqësh në botën e jashtme”, ka thënë Sahiti. 

Sahiti më tutje u shpreh se piktura tjetër me kaubojin e bën ta konsiderojë veten fituese me luftën e brendshme për të qenë e gatshme të përballet me botën e jashtme. 

“Është e rëndësishme se një artist kur bashkëpunon me një institucion ose me një galeri që ta japin hapësirën dhe besimin se ti mund të bësh diçka që është afër teje dhe autentike dhe për ta bërë një ekspozitë të tillë të duhet liria si artist. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që të vij në pikë qe të bëj diçka çfarë kam dëshirë të bëj unë”, ka thënë ajo. 

Finalistja tjetër Luiza Thaqi ka theksuar se kjo ishte hera e parë që arrin në këtë nivel. Vepra e saj ka një qasje ekologjike. Është një intervenim artistik në pjesën e jashtme të “Klubit të Boksit”. 

“Ideja për punën time ka qenë të mund të shikoj praktikat e reja, pasi ne si shoqëri i qasemi lidhjes që ndërtojmë me natyrën po që këto lidhje munden lirisht edhe të përkthehen edhe si lidhjet gjithashtu në shoqëri dhe qasjet tona ndaj problematikave, të cilat i kemi në përditshmëri. Pak a shumë kjo ka qenë puna ime”, ka thënë Luiza Thaqi. 

Ajo më tutje shtoi se gjatë procesit të punës është munduar të përdorë materiale natyrore. 

“Çfarë kam bërë unë është analiza e dheut dhe e bimësisë në një hapësirë ku është e rrethuar komplet me ndërtesa të larta dhe prej gjendjes aktuale që është aty, e ka bërë të pamundshme të zhvillohet një jetë në mënyrën  e duhur dhe qasja ime përkthehet edhe te titulli i punës ‘Vend i drejtuar nga toka’. Jam munduar t’i thyej këto hierarki dominuese që i kemi ne si shoqëri dhe të përçoj mesazh se si pozicionohet njeriu mbi natyrën, ku në fakt ne jemi pjesë e natyrës.

Tjetër rrëfim i veçantë ka qenë vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, i cili sjell dy pjesë të saj. E para është skulptura prej gjipsi në formë truri, por me format rrethore më të theksuara, të cilat lënë hapësirë për të perceptuar të tjera imazhe. Duket se ky tru del nga muri. 

“Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës”, shkruhet në vlerësimin e jurisë për këtë vepër. Ajo përfshin edhe një tjetër pjesë, audio-instalacionin prej mbi 24 minutash që ilustron një lloj përditshmërie urbane. Artisti Dion Zeqiri ka hezituar të flasë për veprën e tij. 

“Artistët e së nesërmes” si ngjarje është një lloj pasqyre e krijimtarisë së artistëve të rinj. Në esencë është edhe njohja me skenën ndërkombëtare. Ky edhe është shpërblimi për çmimin e parë - rezidenca artistike dymujore në Nju-Jork. 

Albert Heta, i cili drejton qendrën për art bashkëkohor “Stacion” që e organizon çmimin në Kosovë, ka thënë se artistët aplikojnë me tri vepra paraprake të realizuara në tri vitet e kaluara. Ka sqaruar se çmimi është themeluar pas shembjes së Murit të Berlinit, ku presidenti i asokohshëm i Çekosllovakisë, Václav Havel, kishte synim të krijonte mundësi për artistët e rinj për ta parë perëndimin.

“Mendimi i tyre në atë kohë ishte se këto dukuri kanë ekzistuar vetëm në bllokun lindor, por në fakt kanë ekzistuar edhe në perëndim, por nuk ka më ndarje të tilla se këtu është më mirë, kurse atje më keq. Ne tentojmë misionin e çmimit ta mbajmë, ta fuqizojmë, në të njëjtën kohë ta shtrijmë në gjithë Kosovën edhe duke u munduar ta përkrahim potencialin e ri”, ka thënë Heta.