Kulturë

“How long is now” reflekton mistershëm edhe në qendër të Prishtinës

Si mozaik pasqyrash, formësohet fjalia e cila tërheq edhe për faktin se hutimi është “takimi” i parë me të. Pa pikëpyetjen si zgjidhje e dilemës, dyshimi që lind është nëse pyet apo konstaton. Në fakt janë dyjat. “HOW LONG IS NOW”, vendosur në objektin banesor në sheshin “Zahir Pajaziti”, vjen si koncept nga Berlini, është vepër e grupit anonim “Globalodromia Filoart”. Edhe në kryeqytet, vepra e kuruar nga Arta Agani, ruan po atë mister e thellësi

Në zemër të qytetit, në një prej objekteve banesore në sheshin “Zahir Pajaziti” shkronjat reflektuese, lehtë marrin vëmendje. Lexohet qartë: “HOW LONG IS NOW”, me shkronja të mëdha. Vendosur në lartësi prej 12 metrash, tërheq edhe me faktin se hutimi është “takimi” i parë me të. Pa pikëpyetjen si zgjidhje e dilemës, dyshimi që lind është nëse pyet apo konstaton. Në fakt janë të dyja. Edhe pyet për të tashmen, por edhe pohon për kalimin e kohës. Është e pafiksuar dhe si e tillë i jep publikut lirinë e përgjigjes. Perceptimet përzihen në mes vete dhe secili rrugëton me bindjet e emocionet e veta. Përgjigjet të cilat janë të ngjitura afër kafeneve të ngushta poshtë objektit janë prej më të ndryshmeve. Diku dallohen përvojat personale, diku shtresohen dromcat sociale e ka edhe preokupime në nivel shtetëror e global.

Mirëpo, pjesë e projektit është edhe interaktiviteti me publikun virtual në kohën e pushtimit teknologjik.

Kuratorja Arta Agani ka bërë anketë në rrjete sociale dhe përgjigjet për “Sa gjatë është tani” kanë qenë prej më të ndryshmeve. “Sa 10 minutat e furraxhisë”, është njëri prej komenteve në rrjete sociale, i cili para audiencës që inauguron instilacionin vjen si printim fizik. “Qaq gjatë sa u bo lomsh”, thotë një tjetër përgjigje. “Sa çel e mshel sytë”, është e radhës. Por për veprën e grupit anonim “Globalodromia Filoart” me kaq s’përfundon komunikimi me audiencën.

Një njërën prej tavolinave të vargisura gjinden fletë e stilolaps e publiku prezent shkruan përgjigjet, prej së cilës kuptohen edhe përshtypjet e tyre për veprën. Ndërkaq artistët s’janë prezentë për t’i parë ato. Grupi vazhdon ta ruajë anonimitetin. Kështu i kushtojnë më shumë rëndësi veprës sesa vetë emrit të tyre.

Mirëpo, gjithë ajo që ia shton edhe më peshën e kësaj vepre është fakti i rrugëtimit të saj nga Berlini në Prishtinë.

Image
Pjesë e projektit është edhe interaktiviteti me publikun virtual në kohën e pushtimit teknologjik. Kuratorja Arta Agani ka bërë anketë në rrjete sociale dhe përgjigjet për “Sa gjatë është tani” kanë qenë prej më të ndryshmeve

Ishte viti 1997 atëherë kur njërën prej ekspozitave të grupit, vepra ishte prezente aty në një formë ndryshe. U ekspozua si instalacion drite, mirëpo jo me vëmendjen e madhësinë e tanishme. E njëjta do të shfaqej edhe në Prishtinë më 2001 në ekspozitën “Now” në Galerinë e Arteve të Kosovës, tash Galeria Kombëtare e Kosovës. Në vitin 2006 merr transformimin duke u shndërruar në instalacion në hapësirë publike, duke qenë deri më 2019 në fasadën e ndërtesës “Taschele” në Berlin. Kësaj radhe shkronjat i ka të ngjyrosura në mur. Kështu edhe rrjedh rrugëtimi i idesë së sjelljes së kësaj vepre në kryeqytetin e Kosovës, duke tërhequr paralele me atë të Gjermanisë.

“Ka një vlerë shumë të madhe, sepse tërheq një tangjente Berlin – Prishtinë. U jep rëndësi dy qyteteve. E bën një deklaratë se çdo gjë që vlen për Berlinin, vlen edhe për Prishtinën. Atëherë Prishtina është qytet po aq i madh e me njerëz të mëdhenj sa Berlini”, shprehet kuratorja Arta Agani.

Me natyrën e saj interaktive dhe introspektive, vepra njësoj siç ka liri krijuese, po njësoj edhe e ka perceptuese. Ka peshë filozofike në esencë, ndërkaq si përmbajtje fizike është punuar me material reflektues.

“Nëse ke ndonjë çështje që momenti i tashëm të mungon, atëherë përgjigja është siguri individuale. Por neve na mungojnë të gjithëve për shembull çështja e vizave, kemi ngecur në një moment. Shumë janë përgjigjur edhe asaj pyetjeje”, ka thënë Agani.

Qëndrimi planifikohet të jetë veç për një vit në ndërtesën H2 në sheshin “Zahir Pajaziti”. Agani shpreson që leja nga Komuna e Prishtinës të shtyhet për më gjatë.

“Filoart’ shqetësohet për çështje globale, lokale e individuale. Në përditshmërinë tonë që është shumë e vështirë, për gjeneratat e reja që po rriten në një inteligjencë artificiale, çdo gjë është në ndryshim e sipër. Vetë sistemi arsimor po ndryshon, individi po mbetet si një status quo në mesin e këtyre ndryshimeve. Prandaj është pyetja që ia kemi bërë vetes e shoqërisë kosovare”, ka thënë Agani.

Mos prezencën fizike grupi e zëvendësoi me një deklarim audio digjital. Duke ruajtur konfidencialitetin e krijuesve, thuhet se kjo vepër trajton një prej çështjeve themelore të njerëzimit dhe misterin e tyre.

“Mjedisi i pasqyruar në vepër përfshihet në vetë pyetjen që shtron vepra. Kjo do të thotë se gjithçka që e rrethon këtë vepër pyet, është e lidhur me të dhe manifestimet e saj”, thotë zëri i improvizuar që dëgjohet nga altoparlanti.

Skulptori Luan Mulliqi pas observimit të veprës, ka përthekuar qasjen e tij ndaj veprës. Në një fletë shkroi fjalën “infinit” si përgjigje se “Sa gjatë është tani”. E ka cilësuar si vepër me koncept interesant, ndërkaq ka thënë se ka qenë koha e duhur për të pushtuar hapësirat publike me art pas ikjes së “Manifestas”.

“Pyetja është më tepër virtuale, çka mendoni sa është gjatë. A është gjatë sa i përket sistemit metrik, a sistemit kohor, a është gjatë sa i përket vetë qëndrimit të kësaj vepre arti dhe natyrisht a është gjatë sa ne vetë mendojmë. Është diçka universale, është vështirë të përshkruhet”, u shpreh Mulliqi për shkrimin e tij.

Artistët i ka vlerësuar si ndër më të mirët e gjeneratës së re, të cilët trajtojnë tema universale.

“Kësaj radhe ka ardhur me një koncept shumë interesant, me kuptim të gjerë dhe po kërkohen mendime të ndryshme prej vetë vizitorëve që e vizitojnë aty”, përfundoi Mulliqi.

Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se është i duhur komunikimi i veprës nga Berlini te publiku në Prishtinë.

“Kjo porosi është shumë atraktive dhe mundet me nxjerrë fraza e mendime të lirshme të njerëzve. Po më pëlqen ku është zgjedh lokacioni dhe vendi, këtu frekuentohet dhe shihet”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se përgjigja e saj është: “Unë kisha thanë nëse jemi në këtë kohë pa kohë dhe teknologjia ecën në kohë marramendëse, nuk ka kufij”.

Ka theksuar se mënyra se si po bëhen veprat e artit po ndërrojnë mënyrën e prezantimit. Nga performancat në hapësira të mbyllura, tashmë po pushtohen hapësirat publike.

“Njeriu e artisti ndihet ndryshe, kështu që eksploron ku ta vendosë veprën e vet. Na duhet arti në publik”, ka thënë Prelvukaj.

Nertila Furriku, drejtoreshë e “Goethe Institut” që e ka përkrahur realizimin e veprës e ka përgëzuar grupin e artistëve dhe kuratoren.

“Më pëlqen shumë ideja që ke arritur të sjellësh një vepër si në metropolin e Berlinit edhe në Prishtinë. Dhe me e futë Prishtinën në mendime se është vepër filozofike, jam e interesuar të di çka ju lidh me këtë pyetje”, ka thënë ajo.

Realizimi i veprës në Prishtinë, është mbështetur nga Komuna e Prishtinës, “Goethe Institut” Prishtinë si dhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Për të parën herë grupi “Globalodromia Filoart” është shfaqur në Kosovë në vitin 1987, përmes ekspozitës “Kjo nuk është ekspozitë, por e kundërta e saj” në hapësirën e atëhershëm të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve.