Prishtinë, 29 tetor – “Homo sapiens” dhe “Transcendence” janë termet latine që e kanë nxitur artistin kosovar Shuk Orani, i cili vepron në Gjermani, që përmes artit të eksplorojë më shumë rreth tyre. Pas disa vjet pune, si një pikënisje për eksplorimin e mëtejshëm ai do të hapë ekspozitën “Homo sapiens in Transcendence”. Ajo përmban dy cikle dhe do të hapet më 2 nëntor në atelienë e artistit në Hamburg të Gjermanisë.
Orani ka thënë se beson që këto dy cikle ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe, sipas tij, përmes pikturave është e rëndësishme që të krijohet një komunikim dhe të vërehen aspektet shoqërore që nuk janë duke shkuar mirë. Për të “Homo sapiens” është një sinonim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore në suaza të ndryshme të evolucionit të tij.
“Në këtë rast më tepër jam koncentruar në ‘Zeitgeistin” e momentit apo në çoroditjen e qenies njerëzore të kohës sonë bashkëkohore”, ka thënë ai. Ndërsa transcendenca, sipas tij, është një temë që e ka përcjellë me vite të tëra.
“‘Transcendencën’ unë e shoh vetëm në aspektin filozofik, edhe pse përdoret në fusha të tjera, në dimensione të ndryshme”, ka thënë ai.
Kuratorja e ekspozitës, Julia Eckhardt, e cila është historiane e artit, ka thënë se imazhet nga ciklet “Homo sapiens” dhe “Transcendence” tregojnë fazat e hulumtimit artistik në dy fusha në përzierje.
“Nga njëra anë është ekzistenca e njeriut e vizualizuar në imazh si një formë e lakuar, e mbivendosur. Nga ana tjetër ngjyra e pastër, e cila në varësi të detyrës zhvillon një pavarësi dërrmuese dhe arrin pikën e mishërimit”, ka thënë ajo. Sipas saj, interesi artistik dhe ai shoqëror i artistit Shuk Orani është një proces i vazhdueshëm i njohjes, zhvillimit, shndërrimit të njerëzve.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)