Një vepër e Banksyt që paraqet një djalosh duke luajtur me një infermiere lodër si superheroinë është shitur të martën për më shumë se 20 milionë dollarë, duke shënuar kështu një rekord për artistin e rrugës. “Game Changer”, që u shpalos në maj të vitit të kaluar në University Hospital Southampton, ishte një homazh për punëtorët e vijës së parë të frontit – National Health Service (NHS) – në luftën e tyre kundër pandemisë së COVID-19.
Vepra artistike bardhezi paraqet një djalosh që ngre lart një infermiere, me dorën e shtrirë dhe me kapele, derisa superheronjtë tradicionalë Batman dhe Spiderman rrinë në një kosh.
Nëpërmjet Southampton Hospitals Charity, mjetet e fituara nga shitja do të përdoren për “financimin e projekteve të mirëqenies për stafin dhe pacientët, si dhe do të shpërndahen për ofruesit e komunitetit të kujdesit shëndetësor brenda NHS-së dhe sektorëve të bamirësisë”, është thënë nga shtëpia e ankandeve “Christie’s”.
Në ankandin e “Christie’s” që u shfaq online, piktura është shitur për çmimin marramendës prej 14.4 milionë paundë (rreth 17 milionë euro). Tarifat shtesë dhanë një çmim përfundimtar prej 16.7 milionë paundë, që është një rekord botëror i Banksyt në ankande. Piktura ishte vlerësuar në një çmim prej 2.5 deri në 3.5 milionë paundë.
“Banksy është një artist i tejzakontë që është një barometër konstant i sentimentit gjithëkombëtar”, ka thënë Katharine Arnold, udhëheqëse e “Post-War and Contemporary Art” në “Christie’s”.
“Me imazhin e përkryer të një djaloshi të vogël që luan me kukullën e tij superheroinë; një infermiere e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ai në mënyrë të përsosur ka kapur thelbin e këtij momenti në kohë”.
David French, zyrtar i lartë në University Hospital Southampton, ka thënë: “Kjo dhuratë e pabesueshme do të jetë e paçmueshme për të na ndihmuar të fokusohemi në promovimin dhe mbrojtjen e mirëqenies së stafit tonë teksa ata shërohen e mëkëmben nga viti i kaluar”.
Shitja u bë teksa britanikë nga i gjithë vendi të martën shënuan njëvjetorin prej ditës kur kryeministri Boris Johnson urdhëroi që vendi të hynte në izolimin e parë.
Me këtë rast është bërë një minutë heshtje për të nderuar më shumë se 126 mijë njerëz që kanë humbur jetën prej virusit. \ Reuters