Klasës intelektuale të Pejës iu deshën pesë tentativa që të nisin të bëjnë bashkë në një vend historinë mijëravjeçare të Pejës, prej kohës kur ka nisur të bëhet një katund i vocërr e deri më sot, që është bërë një qytet i madh.
Përpjekjet e para janë bërë në vitin 1995, në qindvjetorin e Lidhjes së Pejës. Tri herët e tjera kanë qenë vitet e pasluftës, por gjithnjë kanë dështuar në mungesë të financimit, shkruan sot Koha Ditore.
Tentativa e pestë ka nisur në fillim të vitit 2013 me iniciativë të ish-kryetarit të Pejës, Ali Berisha, dhe të Drejtorisë së Kulturës.
Fillimisht ishte menduar se ndoshta mund të përfundojë deri në fund të vitit 2013. Kjo nuk ka ndodhur deri të premten, kur në teatrin e qytetit “Istref Begolli” u promovua “Monografia Peja”.
Për ta futur brenda dy kopertinave tërë historinë mijëravjeçare të Pejës, mbi 20 autorëve të fushave të ndryshme dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të tjerë, iu deshën mbi katër vjet e gjysmë punë në disa faza të këtij projekti 30 mijë eurosh, të financuar nga Komuna. Pjesën historike e shoqërore, autorët në monografi e kanë paraqitur Pejën prej parahistorisë e deri në ditën e Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, ndërsa për fushat e tjera ka vazhduar deri në ditët aktuale.
Në manifestimin e mbajtur për promovimin e këtij libri, kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se “Monografia Peja” do të jetë një monument, që do t’i shërbejë qytetit në të ardhmen. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)