Historia e Lëvizjes Studentore të Kosovës së viteve 1997-’99, do të jetë e lexueshme edhe për publikun anglishtfolës. Në përvjetorin e 23-të të fillimit të kësaj lëvizje, nën kujdesin profesional të redaktorit gjuhësor Justin Elliott, Universiteti i Prishtinës do të botoi në gjuhën angleze një libër që përmbledh historinë e kësaj lëvizje.
“The Turning Point of 1 October”, është titulli i këtij libri, i cili mban nëntitullin e poshtëshënuar “The Student Movement in Kosovo 1997 – 1999”.
I shkruar nga profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Bujar Dugolli, ky libër përmbledh dokumente dhe fotografi autentike të kohës, nga aktivitetet protestuese të studentëve dhe takimet e krerëve të kësaj lëvizjeje me politikanë e diplomatë të huaj. Të rrëfyera nga një narracion që autori e ka shkruar edhe nga pozicioni i dëshmitarit të kësaj historie si akter i saj, ky libër është dhe një udhërrëfyes burimesh të dorës së parë për njohjen e Lëvizjes Studentore të Kosovës së viteve 1997-’99. Autori Bujar Dugolli, që në kohën e kësaj lëvizje kishte qenë Kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, e kishte shkruar dhe botuar këtë vepër fillimisht në gjuhën shqipe, me titullin “1 tetori i kthesës”, më 2013.
1 tetor 1997, dhjetëra mijëra qytetarë iu bashkuan studentëve të Universitetit të Prishtinës të prirë nga organizata UPSUP, në një protestë gjithëpopullore kundër regjimit të Serbisë së Millosheviqit dhe për tu kthyer në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, prej nga ishin dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë që më 1991. Protesta paqësore të studentëve vazhduan edhe gjatë viteve 1998 dhe 1999, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe duke ndryshuar realitetin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës ndaj politikave fashiste të Presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq. Lëvizja Studentore në Kosovës në vitet 1997-’99. ishte pjesë e luftës së shqiptarëve për liri dhe shkëputje nga Serbia.
{gallery}