Prishtinë, 4 dhjetor – Ishte gazeta e parë shqipe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të mbetura nën Jugosllavi.
Prej numrave të saj të parë, që dilnin vetëm në katër faqe, në ditët e saj më të mira “Rilindja” shitej deri në 234 mijë kopje në ditë. Me historinë e gazetës është e nyjëtuar edhe veprimtaria e dendur e shtëpisë botuese “Rilindja” dhe shtypshkronjës me po të njëjtin emër. Për ata që punuan aty, historia e zhvillimit intelektual e kulturor të Kosovës është e lidhur ngushtë me atë që është vlerësuar si një prej organizimeve më të forta ekonomike në vend krahas fabrikave metalurgjike të dikurshme.
As sa hija e dikurshme, sot “Rilindja” nuk e ka as arkivin dhe shumëçka prej asaj që krenohej. Sipas një rregulloreje që ia jepte të drejtën UNMIK-ut për të menaxhuar pronën e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruar në emër të ish-Jugosllavisë, ky mision ia dha administrimin e “Rilindjes”, Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e më pas asaj të Privatizimit.
Me rrëfime personale të shkrimtarëve Nazmi Rrahmani, drejtor i redaksisë së botimeve në “Rilindje” dhe Musa Ramadanit, redaktor i rubrikës së kulturës në gazetë, është zëruar një histori e tërë e kësaj ndërmarrjeje brenda dokumentarit “N’Rilindje”, që u shfaq mbrëmjen e së hënës në “Kino Armata”. Ky ishte vetëm prologu i lansimit të platformës digjitale “Arkivi Rilindja” të poetes Ervina Halili, në zemër të të cilit ishte ideja e rindërtimit të një arkivi për “Rilindjen” përmes atyre që ruajnë ende dëshmi të kësaj ndërmarrjeje botuese.
I realizuar në kuadër të platformës “Heritage Spacce”, që zbatohet nga “CHwB Kosova”, ky aktivitet ishte pjesë e projektit “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore” i zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Paqe dhe Stabilitet, si dhe Qeveria Suedeze.
Sociologia dhe aktivistja, Sibel Halimi, e cila drejtoi panelin e diskutimit pas shfaqjes së filmit dokumentar, ka thënë se kjo nismë është një “rebelim poetik” ndaj mosruajtjes së trashëgimisë kulturore. Madje, ajo e ka quajtur nëpërkëmbjen e “Rilindjes” si “uzurpim i historisë” dhe “kujtesës kolektive” nga e tashmja.
“Transicioni ndërtoi një marrëdhënie komplekse me të kaluarën sa kujtesa kolektive nisi të uzurpohej nga e tashmja. Mosnjohja e dimensionit të historisë ka bërë që ne të përpiqemi të hapim arkivin nga folderët e pluhurosur”, ka thënë Halimi. “Në trashëgimi kulturore është edhe dimensioni i letërsisë, e cila është arkiv i ngjarjeve”.
Ndërkaq, ideatorja e projektit “Arkivi Rilindja”, Ervina Halili, ka thënë se ideja është ruajtja e shtresëzimeve kulturore para se ato të zhduken krejtësisht.
Sokol Çunga, specialist i arkivave në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë, ka folur për çështjen e hapjes së dokumentacionit kundrejt zhvillimeve shoqërore. Ka thënë se prej vitit 1993 arkivat në Shqipëri konsiderohen ligjërisht të hapura për këdo që disponon një letërnjoftim.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}