Kulturë

Historia 170-vjeçare e briskpunuesve të Pejës

Në rendin e gjatë të dyqaneve në Çarshinë e Pejës, një është i veçantë. Është i vetmi që në tabelën e zezë që tregon veprimtarinë e atyshme shkruan: “Briskagji”. Tabela nuk thotë më shumë. Por brenda dyqanit është një histori rreth 170-vjeçare e këtij zanati. Janë katër breza të familjes Gorani që janë marrë me këtë punë.

Blerim Gorani është aktualisht personi përgjegjës. Nuk merret më me prodhimin e brisqeve apo gërshërëve. Bën kryesisht riparime e mprehje të tyre. Me 2020-n thotë se kjo zeje mund të përfundojë, por ka një ide. Dyqanin, që ka rreth 20 metra katrorë ta kthejë në një mini-muze të zejes e të familjes, shkruan KOHA. 

Katër breza briskpunues

Një numër telefoni është shkruar në një copë letër dhe është ngjitur për xhami të portës kryesore të dyqanit. Është numri i Blerim Goranit. Është dëshmia e parë që në këtë dyqan ka më shumë çka flitet për të shkuarën sesa për të tashmen.

{gallery}

Meqë ndodhet afër me shtëpi, Gorani nuk vonon shumë. Vjen në dyqan për të rrëfyer pjesë nga historia e gjatë e lidhjes së katër brezave me zejen e briskpunuesit.

“Unë jam brezi i katërt, dhe i fundit që merret me këtë punë. Po them i fundit, pa diskutim, sepse nuk ka kush merret me këtë punë”, thotë krejt në fillim të bisedës Gorani.

Shpejt tregon se këtë zeje e bëjnë afërsisht prej viteve ‘50 të shekullit XIX.

“Ne jemi në këtë punë prej 1850-s. Krejt në fillim kanë filluar të punojnë me pushkë të gjata të stilit otoman, punëdore, tyfek ju thoshin. Kësaj pjese i kanë thënë ‘Rrethi i tyfekgjive’, sepse shumica kanë punuar me armë”, tregon Gorani.

Ndërrimi i pushteteve do të ndërronte edhe veprimtarinë.

“Pas periudhës së otomanëve kanë filluar me gërshërë të dhenëve e me brisçë prej brinjëve. Atëherë ka qenë kërkesa më e madhe për gërshër të dhenëve”, thotë Gorani, që përshkruan fillimshekullin XX.