Kulturë

“Histori e shqiptarëve” që nga fillimet deri në kohët moderne

Për gjysmën e parë të shekullit të kaluar, shqiptarët ishin shërbyer vetëm me tekste joakademike për historinë e tyre. Naim Frashëri, Mehdi Frashëri e Tajar Zavalani ishin autorë të tyre. Por prej vitit 1959, vëllimi i parë i “Historisë së Shqipërisë”, i ndjekur nga i dyti më 1965, solli orvatjen e parë të kërkimit akademik për një histori të shqiptarëve nga lashtësia deri në modernitet. Por me projektin më të ri “Histori e shqiptarëve”, dy institucionet më të larta akademike në Tiranë dhe Prishtinë synojnë një histori jo vetëm politike të shqiptarëve. Në Kosovë shprehen të gatshëm të japin hisen e tyre në këtë nismë

Gati dy dekada më parë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë nxori në dritë edicionin më të përditësuar të “Historisë së Popullit Shqiptar” në dy vëllime. Por një projekt për një histori gjithëpërfshirëse të shqiptarëve është synimi i radhës për të cilin dy institucionet më të larta akademike në Shqipëri dhe Kosovë – ASh dhe ASHAK – janë pajtuar në një protokoll bashkëpunimi të nënshkruar në fillim të vitit të kaluar. Tok me të, dy akademitë synojnë të botojnë edhe “Enciklopedinë shqiptare” dhe “Fjalorin e madh të shqipes”.

Të enjten, grupi i hartuesve të projektit “Histori e shqiptarëve”, në Akademinë e Shkencave në Tiranë, është takuar për të diskutuar mbi paraqitjen dhe përmbajtjen e tekstit, përcaktimin e autorëve dhe temave të veçanta, si dhe qasjen metodologjike.

Sipas njoftimit të ASh-së, në këtë takim – ku morën pjesë akademikë e profesorë si Pëllumb Xhufi, Beqir Meta, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ferid Duka, Ledja Dushku e Sonila Boçi – është diskutuar edhe për një “paraqitje sa më sintetike” e të mbështetur në burime arkivore e bibliografike.

“Vepra do të ketë karakter gjithëpërfshirës dhe do të ketë jo vetëm karakter të historisë politike, por edhe histori ekonomike, histori arti, të kulturës dhe qytetërimit, histori e institucioneve etj. Do të jetë një histori e cila do të ketë objekt rrugëtimin historik të popullit shqiptar që nga fillimet deri në kohët moderne”, thuhet në njoftimin e ASh-së.

Gjithnjë sipas grupit punues, ky botim do të jetë i pajisur me referenca shkencore dhe i bazuar në arritjet më të mira të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj.

Gjatë ditës, KOHA ka provuar pa sukses të kontaktojë zyrtarë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Pa përgjigje kanë përfunduar edhe e-mailat e dërguar në adresë të institucionit më të lartë akademik, si dhe profesorëve të përfshirë në këtë projekt.

Ndërkaq muajin e kaluar ASHAK-u kishte shprehur vendosmërinë e vet për mbështetjen e tri projekteve të përbashkëta me simotrën e vet në Shqipëri.

Në një prononcim për KOHËN, kreu i institucionit më të lartë akademik të Kosovës, Mehmet Kraja, kishte thënë se faza e parë e punës është menduar të jetë hartimi i platformave të përbashkëta për projektet në fjalë.

“ASHAK-u konsideron se me këto tri projekte bashkëpunimi ndërmjet dy akademive hyn në një fazë të re të nismave dhe ndërmarrjeve të përbashkëta, duke konkretizuar idenë e afrimit më të madh dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ndërshtetërore në fushën e shkencës dhe të dijes”, kishte thënë ai.

Sipas Krajës, tri projektet e propozuara pasqyrojnë një fazë të re të arritjeve në fushën e shkencës shqiptare, “duke bërë depërtime të rëndësishme në fushën e dijes enciklopedike, leksikografike dhe në fushën e studimeve albanologjike”.

Nga Naim Frashëri deri te përpjekjet e para akademike

I bërë më 1899 në Sofje si tekst për nevojat e shkollave fillore, “Istori e Shqipërisë” me autor Naim Frashërin është përpjekja e parë për të ravijëzuar një histori të shqiptarëve.

Në këtë përmbledhje, e cila u ribotua më 1914, narracioni del si një përzierje mes të dhënave historike e atyre imagjinare, miteve e të vërtetave, historisë e folklorit. Më 1928, Mehdi Frashëri do të autoronte një tjetër histori që u botua si “Histori e Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Po kështu edhe publicisti Tajar Zavalani më 1957 botoi në Londër pjesën e parë të “Histori e Shqipnis”, kurse të dytën më 1966.

Më 1959, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës botoi vëllimin e parë të “Historisë së Shqipërisë”, derisa gjashtë vjet më vonë nxori në dritë vëllimin e dytë.

Fryt i një pune kolektive, ku ishin të përfshirë Selim Islami, Muzafer Korkuti, Frano Prendi dhe Skender Anamali, vëllimi i parë përfshinte një vijë kronologjike prej periudhave më të hershme të shoqërisë njerëzore, historisë ilire e deri te mesjeta e hershme shqiptare. Disa vjet më vonë, dy vëllimet në fjalë u botuan edhe në Kosovë nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të KSA të Kosovës me titull “Historia e popullit shqiptar”.

Me disa ndryshime e plotësime, dy vëllimet e “Historisë së Shqipërisë” do të botoheshin edhe më 1977 dhe 1985 (në këtë vit u botua edhe në versionin frëngjisht si “Les Illyriens: aperçu historique”).

Më 2002, Akademia në Tiranë nxori një botim të ri të “Historisë së popullit shqiptar” në dy vëllime që përfshinte periudhat historike nga ilirët e deri te Rilindja Kombëtare. Historiania dhe arkeologia nga Prishtina, Edi Shukriu, kishte shkruar pjesën për mbretërinë dardane me njësitë për territorin, popullatën dhe kulturën e Dardanisë paraurbane. Më 2007 dhe 2009, përkatësisht me vëllimin e tretë dhe të katërt, ishin përfshirë edhe periudhat nga pavarësia deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar.

Syla: “Jemi të gatshëm të kontribuojmë”

Në një prononcim për KOHËN, drejtori i institutit të historisë “Ali Hadri”, Sabit Syla, ka thënë se tashmë janë në kontakt me Akademinë e Shkencave në Tiranë për projektin më të ri për një histori të re të shqiptarëve.

“Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në këtë drejtim”, ka thënë shkurt Syla.

Por ky institut që nga viti 2016 i ka hyrë një ndërmarrje të ngjashme për shkrimin e “Historisë së Kosovës” në katër vëllime. Sipas Sylës, redaksitë e ngushta profesionale janë duke punuar ende në këtë projekt.

“Besoj se në fund të këtij viti do t’i kemi të gatshme sidomos tri vëllimet e para, por botimi do të bëhet në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.

Ndryshe ky projekt, në të cilin janë përfshirë mbi 50 studiues të fushave të ndryshme, përfshin hulumtimin dhe grumbullimin e dokumenteve nëpër arkiva të ndryshme; përzgjedhjen, përpunimin dhe botimin e tyre, si dhe procesin e shkrimit të “Historisë së Kosovës” që nga parahistoria deri në shpalljen e pavarësisë më 2008.