Teatri rom “Nexhip Menekshe” si pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve sivjet ka realizuar shfaqjen eksperimentale “Hijet” të autorit dhe regjisorit Kaltrim Balaj. Në këtë performamcë, ku aktorët me lojën e tyre kanë portretizuar historitë e viktimave rome gjatë Holokaustit, ka çuar audiencën në një udhëtim të ndjeshëm dhe sfidues. Muzeu Arkeologjik nuk është zgjedhur rastësisht për këtë shfaqje, pasi krijon një efekt të fuqishëm emocional, kur në këtë hapësirë vihen në pah dhimbjet nga e kaluara e njerëzimit
Muzeu Arkeologjik i rajonit të Prizrenit për disa ditë është shndërruar në “kamp të përqendrimit”. Një gjë e tillë është bërë për nevojat e teatrit rom “Nexhip Menekshe”, që për 8 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve ka realizuar premierën e shfaqjes eksperimentale “Hijet” me tekst dhe regji të Kaltrim Balajt. Për shkak të ulëseve të kufizuara, premiera është ndarë në katër net dhe atë vetëm për audiencën e ftuar. Këta të fundit që prej hyrjes bëhen pjesë e shfaqjes. Aty ushtari rojë ndalon secilin person për t’ia dhënë një numër identifikues. Më pastaj shoqërohen në brendi të ndërtesës, ku edhe realizohet pjesa dërrmuese e lojës.
Muzeu nuk është zgjedhur rastësisht nga organizatorët, pasi krijon një efekt të fuqishëm emocional, kur në këtë hapësirë vihen në pah dhimbjet nga e kaluara e njerëzimit. Njëra prej këtyre historive tragjike është Holokausti, gjatë të cilit viktimat kanë vuajtur thellë në trup dhe në shpirt. Janë persekutuar, vrarë në kampet e përqendrimit apo të vdekjes. Por shpirtrat e tyre me gjasë nuk mund të zhduken, dhe në Prizren janë përkujtuar edhe një herë me një performancë të fuqishme artistike. Shfaqja “Hijet”, ku aktorët me lojën e tyre kanë portretizuar historitë e viktimave, ka çuar audiencën në një udhëtim të ndjeshëm dhe sfidues. Performanca e trupës teatrore ka synuar që të promovojë ndjeshmërinë, respektin dhe tolerancën ndaj popullit rom dhe të parandalojë që ngjarje të tilla të ndodhin në të ardhmen, duke vënë në pah nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Vjen si një thirrje për të mos harruar, e që historia të mos përsëritet.

Arritja deri në këtë pikë nuk ka qenë e lehtë, sipas aktorit të kësaj shfaqjeje, Sejnur Veshall, meqë realizimi i një performance më profesionale ka qenë sfidë për teatrin amator rom të Prizrenit, për më shumë duke marrë parasysh temën e rëndë të shfaqjes, respektivisht Holokaustin, ku viktimat rome nuk përmenden sa duhet.
është ndër temat më të rënda të historisë së njerëzimit, por shumë pak përmenden romët. Gjëja tjetër është se edhe kur përmenden, përmenden si shumë pak dhe të pavlefshëm. Sot ne treguam që jemi këtu me i përmend romët që kanë humbur jetën e tyre, edhe ata kanë pasur qëllime, kanë pasur familje. Ndoshta njëra prej ngjarjeve më prekëse ka qenë roli im, ku thotë: ‘m’i morën vajzat, ma morën familjen për një jetë më të mirë, për shtetin tim, por çfarë shteti, unë nuk kam shtet, unë jam rom’”, ka thënë Veshall.
Aktori tjetër i kësaj shfaqjeje, Fatmir Menekshe, ka theksuar se kjo performancë pos që ka shërbyer për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve ka mundësuar edhe fuqizimin e trupës së teatrit me një lojë më profesionale, me një tekst të veçantë dhe në një vend të jashtëzakonshëm si Muzeu Arkeologjik në Prizren.
“Kemi dashtë me i tregu botës, edhe pse dihet, por nuk është akoma shumë e ditur se edhe komuniteti rom ose nacionaliteti rom ka vuajtur gjatë Holokaustit, dhe pos hebrenjve dhe sllavëve edhe mbi romët është munduar të bëhet një spastrim etnik dhe ato dhimbjet e atyre që i kanë përjetuar jemi munduar pak a shumë t’ia përçojmë me emocione publikut”, ka thënë Menekshe.
Emocionet te publiku i pranishëm janë përcjellë nëpërmjet lojës së aktorëve, efekteve të dritës, por edhe muzikës së performuar në vendin e ngjarjes nga vokalisti Andi Kazazi dhe Muhammed Shatri në klarinetë dhe kitarë.

Madje ky ka qenë edhe qëllimi i autorit dhe regjisorit Kaltrim Balaj që shfaqja që paraqet një temë universale e ndoshta edhe të konsumuar, të mos ketë shumë tekst, por me një qasje më ndryshe të komunikojë në secilën gjuhë. Sipas tij, projekti është realizuar për 28 ditë, gjë që ka kërkuar punë të jashtëzakonshme me vetëmohim të të gjithë stafit të teatrit rom.
“Por çka kemi dashtë me paraqitë është që përmes disa figurave teatrore, me një gjuhë ndryshe teatrore, përmes shenjave, figurave, metaforave me e dhënë këtë temë, këtë çështje në mënyrë universale. Sot në Prizren si qytet shumetnik, që pikërisht sonte pati publik prej komunitetit turk, shqiptar, rom, e të tjerë dhe kjo shfaqje u bë për të komunikuar me të gjithë, në krejt gjuhët dhe në vende të ndryshme”, ka thënë Balaj.
Teatri rom i Prizrenit tradicionalisht ka shënuar 8 prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një shfaqje teatrore, me artistët romë, në gjuhën rome dhe për publikun rom. Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i Parë Botëror i Romëve në vitin 1971. Në këtë ditë kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome.