Galeria “Qahili”, e zhytur në nuancat e ngjyrës së kaltër, ka hapur ekspozitën e përvitshme “Hijet e bardha”. Dhe edicioni i shtatë temën e ka “Blu”. Janë 53 artistë, të cilët në lojë me të kaltrën krijojnë një hapësirë dinamike ku arti jo thjesht vëzhgohet, por edhe përjetohet. Ekspozita tradicionale sivjet ka rikthyer edhe çmimin, të cilin e mori skulptori Avni Demiri
Ekspozita vjetore kolektive “Hijet e Bardha” është kthyer tashmë në një festë krijimtarie dhe të fundivitit. Derisa edicioni i 7-të lundron në “Blu”, u bën thirrje artistëve të eksplorojnë mundësitë e panumërta në këtë ngjyrë në dukje të ftohtë, por jashtëzakonisht të gjithanshme.
Galeria “Qahili” shërbeu si hapësira ku u bashkuan 53 artistë, secili në mediumet e veta duke sjellë krijime unike që futën ngrohtësi, forma e nuanca të ndryshme në thelbin e ngjyrës së kaltër. Ekspozita e këtij viti, e hapur zyrtarisht të enjten mbrëma, qëndron si një dëshmi e fuqisë së interpretimit artistik dhe aftësisë së një ngjyre të vetme për të ngjallur një spektër emocionesh.
Vendimi për t’u fokusuar në një ngjyrë për një ekspozitë të tërë nxit reflektimin mbi fuqinë e kufizimit në krijimtari. Duke ngushtuar paletën në nuancat e së kaltrës, “Hijet e bardha” sfidon artistët të gjejnë risi brenda kufizimeve duke i shtyrë ata të eksplorojnë nuancat dhe hollësitë e një ngjyre në dukje të thjeshtë.
“Në këtë rast i kemi 53 artistë, të cilët janë të ekspozuar dhe ka qenë ideja që secili nga artistët ta kenë ngjyrën e kaltër të përfshirë në punimin e vet. Kjo ngjyrë e kaltër edhe këtu në galeri nuk është ajo ngjyrë e kaltër qysh mundet me qenë e paramenduar, por në anën tjetër është një nuancë e kaltër që çdoherë do të pësojë ndryshime. Nëse i merrni për t’i analizuar punimet do të vëreni së kjo e kaltër i ka pësuar ato ndryshime varësisht se si është realizuar punimi”, ka thënë Nita Qahili, kuratore e ekspozitës.
Artistët pjesëmarrës në ekspozitë e kishin pranuar sfidën duke paraqitur një sërë krijimesh artistike, secila me nuancën e saj unike të së kaltrës. Piktura, skulptura, instalacione e të tjera shpalosën një botë të pasur të shprehjes artistike duke demonstruar mënyrat e pakufishme në të cilat mund të interpretohet e kaltra. Nga kobalti i thellë deri te e kaltra e çelët, spektri i kësaj ngjyre pasqyron pa probleme mjeshtërinë e artistëve.
Qahili ka theksuar se ekspozita e përvitshme “Hijet e bardha” vjen edhe si përmbyllje e një viti plot me ngjarje e aktivitete kulturore në kuadër të Galerisë.
“Është edicioni i shtatë i ekspozitës ‘Hijet e bardha’ dhe tematika e këtij viti është ngjyra e kaltër ose blu. E dimë që është pak deformim i gjuhës shqipe, por në anën tjetër e ka një domethënie tjetër mbrapa krejt kësaj. ‘Hijet e bardha’ është një ekspozitë tradicionale që e kemi bërë prej kur e kemi hapur galerinë në vitin 2013. Ideja është të mblidhen artistë të shumtë, të mediumeve dhe fushave të ndryshme dhe t’i ekspozojnë punët e tyre çdoherë duke sjellë diçka tjetër, qoftë në aspektin e krijimit, mediumit dhe mënyrës së qasjes së krijimit”, ka thënë Qahili.

Ky edicion shënon vetëm herën e dytë që ka shpallur një fitues. Hera e parë ishte 2013-a kur nisi rrugëtimi për ekspozitën kolektive “Hijet e bardha”.
“Çmimin e parë e kemi dhënë në 2013-n e që e ka fituar Agron Mulliqi, të cilin e patën përzgjedhur vetë artistët. Kësaj radhe për herë të dytë po e bëjmë këtë çmim dhe kësaj radhe me juri e cila ka qenë e përbërë prej Naser Shatrollit, Faton Velajt dhe unë. E kemi dërguar listën e punimeve por jo emrat, e kemi dërguar me numra”, ka bërë të ditur Qahili.
Skulptori Avni Demiri u shpall fitues i edicionit të shtatë të “Hijet e bardha”. Në qendër të krijimit të tij është një shtëpi gjysmë e ndërtuar prej betoni, e vulosur me një shenjë dalluese ngjyrë të kaltër. Kjo skulpturë, më shumë se një pjesë statike, përmbledh temën duke përfaqësuar dritën, rritjen dhe ciklin e përhershëm të ndërtimit dhe rindërtimit. Demiri ka theksuar se shtëpia gjysmë e ndërtuar bëhet një metaforë për udhëtimin e vazhdueshëm të jetës, një dëshmi e qëndrueshmërisë së njeriut. Ka thënë se ndihet i nderuar të jetë fitues në mesin e shumë artistëve të suksesshëm.
“Kjo është një prej skulpturave që është vazhdimësi e punimeve të mia. Paraqet një detaj të kaltër që e tregon një dritë brenda shtëpisë, e cila është e ndërtuar në gjysmë, e cila tërë kohën evoluon dhe ngrihet më lart, edhe ndërtohet më lart dhe për këtë arsye kam përzgjedhur të paraqitem me këtë skulpturë. Ndihem shumë mirë, sepse përzgjedhja ka qenë shumë korrekte, më ka pëlqyer mënyra se si e kanë bërë përzgjedhjen. Ndihem i nderuar që punimi im është zgjedhur nga juria”, ka thënë Demiri.
Si pjesë e jurisë, dramaturgu Naser Shatrolli ka treguar se relacionet e tij me artistët vijnë tërësisht në një kontekst të ndjeshmërisë ndaj punës që ata bëjnë.
“Ka vite që shkruaj për artet pamore dhe në këtë ekspozitë ka shumë përzgjedhje, shumë krijime dhe krijues që ne i kemi shikuar një nga një dhe është një ekspozitë tematike që e ka qiellin përmbi. Artisti që e ka fituar çmimin e ka marrë votën e të treve dhe e mbaj mend që e ka pasur numrin 39”, ka thënë Shatrolli. Ekspozita “Blu” do të qëndrojë e hapur deri më 20 janar 2024.