Ekrani i kinemasë ktheu publikun në vitet ’90, kur shfaqjet e filmat ishte e vështirë të jepeshin në Kosovë. Asokohe, sipas të pranishmëve, sallat e ndryshme në Luginën e Preshevës luanin rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e artit. Pas më shumë se dy dekadave, historia është përsëritur, veçse tashmë, Prishtina i bën vend artit të Preshevës. Shkaku është i njëjtë: Ndalesat e Serbisë.
Me “Heshtja vret” është pagëzuar filmi dyzet minutash që publikut i përçon emocion me anë të një drame familjare. Themelet e historisë shkunden kur të shtyrë nga lakmia për pasuri, ndodh vrasja mes familjarëve. Fshihet për njëzet vjet me radhë, derisa barra e heshtjes vret thellë njërin nga protagonistët. Dyshimi qëndron në marrjen ose jo të hakut.
Me “I pabesi”, regjisori sjell para publikut edhe një tjetër lidhje të ngushtë familjare që po ashtu lidhet me tradhtinë. Dy shokë vëllazërohen, por ky nuk është kushti që parandalon përçarje. Bëhet fjalë për shqiptarë të Preshevës dhe pushtetit shtypës e krejt të padrejtë. Në skenat e filmit shihet maltretimi dhe shtypja fizike krejt afër vdekjes së personazhit kryesor.
Drama e tretë vjen për publikun, kur para secilit shkruhet “bazuar në histori të vërtetë”. E treta dhe jo e fundit. Edhe një tjetër krejt reale qëndron në faktin që filmat që u japin zë ndodhive të shqiptarëve të Preshevës nuk shfaqen në atë vend, por në Prishtinë.
Filmat me regjisor Musa Isufin e skenarist Shkëlqim Islamin bashkë me kastën prej 10 aktorësh, e me ekipin në përbërje rreth 100 vetë, zbarkuan në Prishtinë, ndonëse nuk planifikohej të ndodhte kjo. Përderisa për publikun ishin premierë, gjykata serbe i kishte parë, diskutuar dhe ndaluar shfaqjen e tyre në komunat me shqiptarë në Serbi.
“Është kënaqësi që filmat të jepen në Kosovë. Por paraprakisht këta filma janë dedikuar për Preshevën, por për shkaqe politike, për shkaqe të paimagjinueshme filmat nuk janë dhënë në Preshevë dhe as në Bujanoc. Në vend që filmi të diskutohet në tryeza të rrumbullakëta për artistët, këta filma diskutohen nëpër gjyqet e Serbisë”, ka thënë Isufi.
Shkak për këtë ndalim u bë përmbajtja e tyre. Rrëfejnë për marrëdhënien e shqiptarëve mes njëri-tjetrit, por prekin edhe karakteristikat e pushtuesit.
“Këta dy filma janë tregime popullore të bazuara në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në rrethinën e Luginës së Preshevës. Filmi i parë ‘Heshtja Vret’ bëhet fjalë për nipat që shkojnë te daja për të vjedhur diçka dhe aty ndodh një vrasje, e pas saj edhe një hakmarrje. Te filmi i dytë bëhet fjalë për dy shokë që kanë qenë bashkë qysh nga fëmijëria. Njëri e blen një armë dhe tjetri e lajmëron në shtet. Burgoset dhe maltretohet. Edhe në fund të saj ndodh një vrasje”, ka thënë regjisori i tyre.
Historia e shqiptarëve të Luginës nuk u la pa u shfaqur dhe treguar nëpër ekrane. Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Kosovës e bënë të mundur që premiera e tyre të jepet në kryeqytetin me histori shtypëse mbrapa. Fundja, Presheva e Bujanoci janë copëza të kësaj historie.
“Ministria e Kulturës dhe Qeveria e Kosovës është financuese e këtyre dy filmave. Unë jam shumë falënderues. Presheva është e lënë pas dore. Me anë të projekteve që mbështeten dhe financohen ngrihet kultura, morali, vetëdijesimi në Preshevë. Unë edhe vetë jam me prejardhje nga Presheva, por jetoj në Kumanovë”, ka thënë regjisori Isufi.
Falënderues për mbështetjen e këtij projekti u shpreh edhe producenti i filmave, Gani Veseli, i cili po ashtu pati role në to. U shpreh i gëzuar që “gojët e liga”, siç u shpreh ai nuk ndikuan në pushtetin e Kosovës për ndalimin e tyre.
“Isha më i lumturi në botë, sepse në çdo përfundim të secilit episod kemi qenë të lidhur mes vete. Aktorët kanë dhënë maksimumin vetëm e vetëm që t’ia dalin, sepse për tre muaj u sulmova pafund nga disa gojë të liga. Po më vjen mirë për dy arsye: që sonte po jetësohet premiera e këtyre filmave; dhe se fjalët nga gojët e liga nuk mbërritën deri në qeveri këtu dhe mbetën përtej kufirit serb”, ka thënë Veseli.
Në Prishtinë erdhën edhe aktorët. Për Faton Ibrahimin nuk është hera e parë që vjen në Kosovë me rol, ndonëse jeton në Maqedoni të Veriut. Këtë histori ka thëne se e ka dëgjuar më herët.
“Unë mora pjesë në “Heshtja Vret”, në të cilin bëhet fjalë për një dramë familjare. Ndërsa filmi i dytë është përfolur shumë dhe nuk është lejuar në Preshevë. Mendoj se është situata si para 20 vjetëve në Kosovë. E njëjta temë që është bërë në Kosovë kohë më parë tash ndodh në Preshevë dhe Bujanoc”, ka thënë Ibrahimi.
Pjesë e organizimit ishin edhe udhëheqësit institucionalë. Kryeministri Albin Kurti e ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ishin në publik kur u dha premiera. Madje, pas premierave kanë bashkëbiseduar me aktorët e pjesën tjetër të ekipit.
Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, para se të jepen filmat ka mbajtur një fjalë rasti.
“Kjo sot më rikthen në vitet ‘90. Ishte periudha kur unë isha gjimnaziste. Serbia kishte filluar të ashpërsonte masat ndaj popullatës në Kosovë. Ishin vitet kur arsimi, zhvillimi i artit dhe kulturës ishte i ndaluar në Kosovë nga pushteti i asaj kohe. E pikërisht pamundësia që të mbahen shfaqje dhe programe kulturore në Kosovë, Luginën në përgjithësi e Preshevën në veçanti e rikthyen në vatër të artit dhe kulturës kombëtare shqiptare”, ka thënë Sinani.
Ajo ka ftuar që filmat të përdoren edhe si mësim, për të mos harruar disa të vërteta.
“Uroj që të kalojmë çaste të mira duke parë dy filmat që do të shfaqen sonte. Le të shohim filmin ‘Heshtja vret’, por duke u zotuar se nuk do të heshtim as tash sikur nuk kemi heshtur kurrë ndaj shtypjes dhe diskriminimit. Le të shohim filmin “I Pabesi”, duke qenë çdoherë të vetëdijshëm që si më parë edhe tash, do të ketë të pabesë që Serbia i quante shqiptarë të ndershëm”, ka thënë ajo.