Kulturë

Heroi Rexho, përballë ikjes së të rinjve në kërkim të fatit

Ekipi i filmit “Everybody calls Redjo” – që zbuloi krejt pak detaje dy muaj më parë – tashmë është në ditët e fundit në shesh xhirimi dhe po punohet intensivisht për t’i dhënë formë rrëfimit për ikjen e të rinjve. Rexhep Nushi, portretizuar nga Afrim Muçaj, është emri i personazhit që shndërrohet në hero. Teksa xhirimet e filmit nën regji të Ibër Dearit janë në përfundim e sipër, aktorët me role kryesore – Muçaj e Adriana Matoshi – e kanë vlerësuar filmin si prej më të mirëve që kanë luajtur në karrierën e deritanishme. Regjisori njëherësh edhe bashkëskenarist, bashkë me pjesëtarë të tjerë të stafit zbulojnë edhe detaje të tjera

Të gjithë janë në ikje. Pakënaqësia e madhe që i ka kapluar nga rrethanat jetësore i bën që shpresat t’i lidhin drejt vendeve të tjera. Një jetesë më e mirë është qëllimi i ikjes. Mirëpo, ajo që lënë prapa vetes nuk është veç familja e gjithsecilit, por një pamje e ndryshuar e shtëpive.

Ikja masive e rinisë drejt shteteve evropiane ka për pasojë zbrazjen e vendit. E ajo që vërehet më së shumti është te kuadrot profesionale. Në rastin e rrëfimit mungojnë punëtorët apo mjeshtërit, ashtu siç u referohet regjisori.

Në këtë situatë i gjithë fshati ka një adresë. Ai është Rexha apo Rexhep Nushi, i cili bëhet shpëtimtari i çdo shtëpie në fshatin që në film ka emërtim fiktiv, Sllupkovë në Maqedoninë e Veriut. Tashmë ai e merr rolin e një heroi të çdo familjeje. Portretizohet nga aktori Afrim Muçaj. Në çdo nevojë ai është zgjidhje dhe ndreq çdo gjë të prishur nëpër shtëpi të ndryshme.

Kjo është edhe arsyeja pse filmit të metrazhit të gjatë regjisori Ibër Deari ka vendosur t’ia lërë emrin “Everybody calls Redjo”.

Me skenar të Dearit e Artin Selmanit, për jetësim të rrëfimit ata kanë përzgjedhur një kastë tejet profesionale të aktorëve. Pjesa edhe më e veçantë qëndron tek energjia e tyre dhe mënyra se si janë lidhur brenda tri javëve të xhirimeve. Ekziston një komunikim shumë i mirëfilltë që vërehet edhe përgjatë prapaskenave dhe mënyrave se si i ndihmojnë njëri-tjetrit.

Secili nga ta çmon diçka përbrenda filmit. Dikush skenarin e dikush mënyrën e të bërit regji. Mirëpo, tash që kanë mbetur veç edhe një javë xhirime e që për disa prej aktorëve skenat e tyre veçse janë përfunduar, emocionet e shkëputjes nga ky rrugëtim para kamerave thonë të jetë jo i lehtë.

Përveç Muçajt, rol tjetër kryesor ka edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila e luan gruan Hirë. Ndërkaq djali i tyre Niku vjen me aktrimin e Ledion Mulakit. Pjesë tjetër të kastës janë edhe: Adem Karaga, Ledion Mulaki, Labinot Raçi, Bujar Ahmeti, Adrian Aziri, Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Daniela Markaj e emra të tjerë.

Aktori që po e jetëson kryeprotagonistin e filmit, Afrim Muçaj, ka thënë se ky është skenari më i mirë që i ka ofruar gjatë karrierës së tij të deritanishme.

“Jam shumë me fat për besimin e madh që ma ka dhënë Ibra. Po mundohem me mish e shpirt që të mund të nxjerr sa ma mirë që të paktën t’ia kthej Ibrës besimin”, ka thënë ai. Muçaj ka thënë se është duke punuar me shumë dashuri e angazhim në këtë rol. Tutje ka përmendur se produksioni është tejet serioz.

“Rexha është kudo, kështu që edhe unë jam munduar të jem kudo ku është kërkuar”, ka thënë Muçaj nga sheshi i xhirimeve.

Për ta portretizuar sa më mirë Rexhon, ka thënë se s’ka kursyer asgjë nga vetja. Ka çmuar edhe kastën e aktorëve të cilët, sipas tij, kanë qenë fantastikë.

“Po shkojmë kah fundi i xhirimeve edhe po mërzitem, por aq bukur ka qenë sa të lë për një kohë të gjatë me atë ëmbëlsi”, ka thënë ai.

Përkrah Rexhos, në film është gruaja e tij, Hira, portretizuar nga Adriana Matoshi. Aktorja ka vlerësuar se ky film ka qenë mundësi njohjeje me njerëz të zotë dhe energjikë.

“Kjo është dita ime e fundit që po xhiroj edhe hiç s’i du lamtumirat”, ka thënë ajo gjatë intervistës. “Kur përfundojnë xhirimet është njëfarë mërzie se po ndahesh nga ekipi, partnerët e filmit, regjisorin, jo që s’ke me i pa asnjëherë, por nuk ke me qenë në proces të punës, sepse familjarizohesh me të gjithë dhe të mungon intensiteti i punës”.

Sipas saj, gjatë xhirimeve gjithçka ka shkuar mirë dhe mbarë. Këtë film e ka parë si një derë të hapur në Maqedoninë e Veriut dhe një përpjekje që idetë mos të lihen veç të tilla, por të jetësohen në film.

“Bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm fillimisht me regjisorin, që ka qenë shtylla dhe shtysa që unë jam këtu. Mos ta harroj edhe partnerin tim Afrim Muçaj, aktorin e mirënjohur, sepse edhe ai ka qenë një nga motivet që të jem pjesë e filmit”, ka vlerësuar Matoshi.

E për vetë regjisorin dhe skenaristin Ibër Deari, procesi ka qenë intensiv, me shtrirje të xhirimeve në fshatrat e Komunës së Likovës në Sllupçan, Mateq dhe Likovë, teksa ngjarja në film zhvillohet në fshatin i cili emërtimin e ka imagjinativ, Sllupkovë.

“Xhirimet e filmit kanë shkuar tepër mirë, pavarësisht ditëve të gjata të filmit që i kemi dhe ekipit të madh, të gjitha skenat kanë arritur të xhirohen në kohën e duhur. Shpresojmë që deri në fund të kemi një ritëm të tillë dhe të përfundojë gjithçka me sukses”, ka thënë ai.

Sa i përket temës, burimin e ka tek ikja e të rinjve drejt Evropës dhe zbrazja e vendit.

“I vetmi mjeshtër që ndodhet në Sllupkovë është personazhi me emrin Rexhep, dhe ai kudo që shkon në shtëpi të ndryshme ne shohim ngjarje të ndryshme”, ka thënë ai, duke zbuluar edhe frymëzimin për emërtimin e filmit. “Të gjithë kanë ikur, i vetmi ka mbetur Rexho. Të gjithë që kanë nevojë në shtëpi ose pavarësisht nevojave të tyre s’kanë mjeshtër tjetër përveç Rexhos”, ka thënë Deari.

Për të pjesë e rëndësishme e filmbërjes ka qenë edhe përzgjedhja e aktorëve dhe ky kapitull ka thënë t’i ketë marrë jo pak kohë.

“Jam munduar që përveç të jenë aktorë të mirë, të jenë edhe të ngjashëm me njëri-tjetrin, për shembull për ta krijuar familjen e Rexhës”, ka thënë ai, teksa ka vlerësuar faktin e të qenit të Matoshit, Muçajt, Mulakit e të tjerëve pjesë e filmit. “Kur ke aktorë të mirë ta realizojnë punën për ta bërë filmin. Jam shumë i lumtur për këtë kastë”.

Tutje filmin e pret edhe një javë xhirim. Pas saj pritet që të hyjë në fazën e postproduksionit. Ndërkaq shpresat janë të larta që viti i ardhshëm ta gjejë filmin me premierë në festivale e kinema.

Shefi i produksionit, Ilija Ciriviri, ka thënë se sfidë e vetme gjatë xhirimeve kanë qenë ndryshimet klimatike, të cilat e kanë ndryshuar rrjedhën e planifikimeve.

“Shumë ditë xhirimesh ne i kemi shtyrë, disa i kemi xhiruar më herët. Kjo nënkupton që kemi pasur vështirësi, por jemi adaptuar me pjesën kreative të stafit. Është dashur të jemi të shpejtë, ta përgatisim lokacionin e ardhshëm, është dashur për shembull ta xhironim fundin e filmit dy javë më herët dhe kjo nënkupton që i gjithë ekipi është dashur të jetë gati. Është dashur të marrim vendime të shpejta”, ka thënë ai.

Pjesa më e mirë e filmit për të është fakti i trajtimit të një problematike, e cila s’është aktuale veç në Maqedoninë e Veriut, por në të gjitha vendet e Ballkanit.

“Filmi është dramë, por ka edhe elemente të komikes, të rinjtë mund të lidhen me të, gjithkush që e kupton”, shprehet ai.

Ndërkaq kameramani Dario Sekulovski ka thënë se xhirimet kanë qenë aq të mira saqë në periudhën e kontrollimit të pamjeve nuk kanë hasur në ndonjë problem.

“Ky film është shumë emocionues për nga perspektiva e kamerës. Kemi pasur xhirime të gjata më shumë se katër minuta në një sekuencë me aktorë të shumtë. Por, fatmirësisht, kemi pasur aktorë profesionistë që s’kanë bërë gabime”, ka thënë ai.