Kulturë

“Heritage Space” në pritje të projekteve për dokumentim të së kaluarës

Platforma “Heritage Space” ka vite që synim e ka inkurajimin e artistëve, studiuesve dhe profesionistëve të tjerë që veprojnë në fushën e kulturës, industrisë kreative dhe shkencave humane digjitale, që të punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes hulumtimit dhe dokumentimit. E iniciuar në vitin 2016 nga “CHwB Kosova”, nëpërmjet mentorimit profesional dhe mbështetjes teknike, kjo platformë nxit qasje të reja në trajtimin e trashëgimisë kulturore, me qëllim të krijimit të bisedave kuptimplota mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Tashmë ka hapur edhe thirrjen për edicionin e saj të 6-të. Do të mbështesë projekte që lidhen me tri temat e sivjetshme: Arkivimi i shkëputjeve, trashëgimia e krizave dhe rrëfim e interpretim.

Sa i përket temës së parë, stafi ka bërë të ditur se ftojnë propozime që kanë për qëllim shqyrtimin e arkivave dhe aktivizimin e tyre për të ofruar mënyra të reja të të menduarit mbi të kaluarën dhe të tashmen, duke hedhur dritë mbi histori të ndryshme lokale të panjohura ose të harruara. Projektet mund të përfshijnë hulumtime mbi formimin historik të institucioneve, si për shembull lindja dhe vdekja e institucioneve kulturore, historitë sociale të fabrikave, organizatat e pakicave kombëtare dhe platformat feministe.

“Gjithashtu inkurajojmë hulumtime që trajtojnë arkivat e opozitës apo ‘kundërarkivat’, siç mund të jenë platformat alternative të të mësuarit, grevat e punëtorëve dhe lëvizjet subkulturore dhe ‘underground’, si dhe metodologjitë alternative të hulumtimit (shembull: taktikat queer ose strategjitë feministe), të cilat janë zhvilluar si përgjigje ndaj mungesës së qasjes në arkiva ose përjashtimit nga të dhënat historike”, është shkruar në njoftimin e publikuar që bënë të ditur më shumë detaje për këtë thirrje.

Kurse sa i përket temës së dytë është shkruar se shumica e shoqërive bashkëkohore jetojnë me plagë të historisë që nxisin apo janë rezultat i luftërave, trazirave civile, dhunës sistematike shoqërore dhe diskriminimit. Sipas së njëjtës, këto periudha krizash prodhojnë pasoja shoqërore, psikologjike dhe historike që mund të gjurmohen në një sërë ngjarjesh, hapësirash apo praktikash, të cilat në kontekstin tonë mund të përfshijnë vende dhe praktika të rezistencës, protestës dhe manifestimeve të tjera të mosbindjes civile.

“Trashëgimia e krizave mund të gjendet edhe në vende dhe ndodhi konkrete që ndërlidhen me kujtime të atrociteteve, siç janë masakrat dhe ekzekutimet, dhuna seksuale gjatë luftës, shtigjet e shpërnguljeve, vendndodhjet e zhdukjeve, humbjet materiale dhe jomateriale, vendet që lidhen me të burgosurit e luftës dhe burgjet civile apo politike. Inkurajojmë metodologji që synojnë të shënojnë, përkujtojnë, ruajnë dhe dokumentojnë, individualisht apo institucionalisht, tregimet, kujtimet dhe vendet e lartpërmendura, për të mundësuar perspektiva të reja në praktikat e hulumtimit, interpretimit dhe dokumentimit”, është shkruar në thirrje.

Po aty është sqaruar se rrëfime dhe interpretime mund të përfshijnë: histori individuale, kolektive dhe kombëtare, të ruajtura dhe të rrëfyera si tregime, narrativa të bazuara në fakte të hulumtuara mirë, njohuri lokale dhe thashetheme, përralla, mite, legjenda, fjalë goje, këngë, tregime vizuale, trillime të bazuara në të vërteta, të cilat në përgjithësi, përmes mediumeve të ndryshme, shpalosin perspektiva që kanë për qëllim të argëtojnë, edukojnë, ruajnë dhe pasurojnë kulturën e përbashkët.

“Heritage Space” në kuadër të kësaj thirrjeje ofron mentorim, konsultime dhe ekspertizë nga tre mentorët e përzgjedhur, të cilët do të ndihmojnë gjatë zhvillimit dhe prezantimit përfundimtar të projekteve të përzgjedhura. Mentorët e sivjetmë janë dramaturgia dhe skenaristja Doruntina Basha, hulumtuesi dhe redaktori Sezgin Boynik dhe kuratorja, shkrimtarja e pedagogia Arnisa Zeqo.

Ata do të asistojë në krijimin e një rrjeti të individëve dhe institucioneve të ndryshme të domosdoshme për zhvillimin e suksesshëm të projekteve të përzgjedhura. Projekti po ashtu ofron mbështetje financiare për palët e angazhuara në projekt. Shuma mesatare e grantit është 6 mijë euro, ndërsa shuma maksimale e grantit nuk mund të tejkalojë vlerën prej 10 mijë eurosh. Për prezantimin publik të projekteve përfundimtare do të ofrohet financim shtesë, po ashtu do të ofrohet edhe mbështetje në promovimin e projekteve të përzgjedhura gjatë gjithë procesit të zhvillimit dhe finalizimit të tyre, si dhe do të organizohen prezantime publike për projektet e përzgjedhura.

Projekti “Heritage Space” zbatohet nga “CHwB Kosova”. Aktiviteti i projektit financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. “CHwB Kosova” është pjesë e ILUCIDARE – një rrjet ndërkombëtar që do të ofrojë mbështetje dhe promovim për të gjithë përfituesit e mbështetur nga platforma “Heritage Space”. Formulari për aplikim, së bashku me dokumentet e kërkuara duhen të dërgohen para 10 janarit 2022. Formulari dhe detaje të tjera për aplikimin gjenden në ueb-faqen e “CHwB Kosova”.