Ka pak detaje, lajmi ka arritur edhe në Kosovë, e arkeologët “lexojnë” shenjat e hedhin teza se çfarë mund të dëshmojë helmeta e zbuluar të fundmi në Kroaci tok me të tjera artefakte të gjetura nën rrasa guri, rrethuar me një mur të thatë. Për një arkeolog, është shenjë e ekzistencës së aristokracisë ushtarake, thirrje për të gërmuar tutje
Helmeta ilire e zbuluar në Kroaci e kthen kohën dy mijë e 500 vjet prapa, për aq sa lokaliteti Zakotorc i Peleshacit në zemër të Dalmacisë, kishte fshehur këtë artefakt me peshë. Arkeologët dhjetë ditë më parë i ranë në gjurmë nja katër vjet pas zbulimit të helmetës së tjetër pak më të re në moshë. Përderisa ajo e para do të ekspozohej në publik edhe në marsin e vjetëm si “Helmeta ilire e Zakotorcit” – e cila hedh poshtë edhe emërimin e të dytës si helmetë iliro-greke, siç iu referuan disa media kroate – kjo e radhës e shekullit V – VI, i është nënshtruar analizave të detajuara.
Ka pak detaje, lajmi ka arritur edhe në Kosovë, e arkeologët “lexojnë” shenjat e hedhin teza se çfarë mund të dëshmojë një helmetë si kjo, tok me të tjera artefakte të gjetura, nën rrasa guri, rrethuar me një mur të thatë.
Për një arkeolog, është shenjë e ekzistencës së aristokracisë ushtarake ilire.
Sedat Baraliu, profesor në Departamentin e Historisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, teksa konstaton se zbulimi i një helmete të tillë është ngjarje e rrallë, u jep peshë artefakteve të gjetura bashkë me të.
“Prezenca e artefakteve të tjera si kopsat, rruazat e qelibarit dhe përkrenarja, ndoshta i takojnë ndonjë personi i cili kishte një status të lartë në hierarkinë e atëhershme. Këto gjetje janë të rëndësishme pasi që tregojnë që ka ekzistuar një aristokraci ushtarake ilire”, ka thënë Baraliu, i magjistruar e doktoruar në “Universite Pierre Mendes” në Grenoble të Francës. Ka theksuar rëndësinë e shtyrjes para të këtyre gërmimeve.
“Kroacia është e pasur me trashëgimi arkeologjike dhe duke pasur parasysh që edhe atë territor e banonin ilirët, do të ishte shumë i rëndësishëm këmbimi i ekipeve të arkeologëve”, ka thënë Baraliu, i cili ligjëron edhe lëndët arkeologji e arkitekturë ilire.
Zbulimet si ky përbëjnë rëndësi që ndihmojnë në ndërtimin e narrativeve të së kaluarës, kështu duke u mbështetur në fakte arrihen të kuptohen më qartë dhe aspektet kulturore ilire.
Një gjë të tillë e potencon Ilir Culaj, asistent në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Sipas të cilit ky lajm ka rendësi për arkeologjinë e rajonit. Ka rikujtuar se helmeta të tipit ilir janë zbuluar në regjione të ndryshme të Mesdheut duke filluar nga Iliria e lashtë, Greqia dhe Italia. Ato janë prej bronzi dhe kanë një shpërndarje kohore sidomos nga shekujt VII-IV p.e.s. Sipas tij, deri më tani janë gjetur një numër i konsiderueshëm i helmetave ilire në vendet e rajonit si: Kroaci, Bosnje, Serbi, Rumani, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut e në vende të tjera.

“Shpërndarja e kësaj helmete në këto territore, flet për një prezencë të konsiderueshme të këtij tipi të helmetës në territorin e dikurshëm të cilin në masë të madhe e banonin fiset ilire, nga ku edhe e mori emrin ky tip i helmetës. Konteksti votiv apo funerar i kësaj helmete mbetet të sqarohet në të ardhmen nga arkeologët që edhe e kanë gjetur. Megjithatë, nëpërmjet kësaj helmete, padyshim që arrijmë t’i njohim më mirë aspektet kulturore ilire. Kuptojmë më shumë rreth aspekteve ushtarake te popullatat ilire e sidomos rreth riteve të tyre të varrimit në këtë kontekst”, ka thënë Culaj, duke theksuar se çdo njohje më e mirë e këtyre aspekteve të popullatave ilire, rrjedhimisht nënkupton më shumë informacione edhe për dardanët, gjë e cila me metoda të krahasimit do të mundësonte rindërtimin e saktë të organizimit politik dhe kulturor të ilirëve.
Ka qenë Hrvoje Potrebiq nga Departamenti i Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik në Zagreb, ai cili e gjeti helmetën bashkë me ekipin e përbërë prej Marta Kalebota, arkeologe e Muzeut të Qytetit të Korçulës, Domagoj Perkiq nga Muzetë e Dubrovnikut, që udhëheq ekipin dhe financon gërmimet e shumë të tjerë. Ka vjet që po ky ekip gërmon në po të njëjtin vend dhe për ta, arsye e dëshmuar se përse helmeta kaq të vlefshme gjenden në Zakotorc, është sigurisht Kanali i Peleshacit.
Sipas shënimeve për mijëra vjet, kanali detar 12 kilometra i gjatë që ndan ishullin e Korçulës dhe gadishullin e Peleshacit, ishte dhe mbetet rruga më e sigurt dhe më e shkurtër tregtare dhe e udhëtarëve për në Dubrovnik. Kanali i Peleshacit është edhe arsye e shumë lokaliteteve të tjera arkeologjike në ishull e gadishull dhe njerëzit që jetonin aty ishin rëndom të pasur, sa për shkak të piraterisë aq edhe të tregtisë, e që dëshmohet nga artefaktet e gjetura, shumica objekte të shtrenjta. Arkeologët kanë arritur në përfundimin se përkrenarja e parë me shumë gjasa u përkiste plerejëve (ose pyrejëve) ilirë.
Vitet e fundit duket të kenë qenë të frytshme për Ballkanin sa i përket zbulimeve arkeologjike. Në korrik të vitit të kaluar qe zbuluar vendbanimi më i vjetër në Evropë. Në Lin të Pogradecit u gjetën shenja që dëshmonin ekzistencën e një vendbanimi të tipit palafit që kthen plot 8500 vjet prapa në kohë. Ky zbulim kishte rezultuar si fryt i një procesi katërvjeçar kërkimi.
Në Kosovë, rreth një muaj pas, në gusht të vitit 2023, në lokalitetin arkeologjik Ulpiana ishte zbuluar mbishkrimi i perandorit Justinian. Si i tillë kishte fituar vëmendjen, mjaftueshëm sa të bëhej pjesë e diskursit për disa ditë me radhë. I vlerësuar si ndër zbulimet më me rëndësi në Ulpianë, iu dhanë epitete të ndryshme të cilat interpretojnë rëndësinë e gjetjeve të tilla në zbulimin e evidencave të rëndësishme për historinë e vendit. Dhe ato nuk hasen shpesh. Kur ngjajnë, ilustrojnë mirë sakrificën e cila karakterizon shkencën e arkeologjisë, e cila pos tjerash kërkon durim të vazhdueshëm në pritje të sukseseve të tilla.
“Hrvoje e ngriti gurin dhe nisi të thërrasë se ka gjetur edhe një helmetë! Është pak të thuhet se është ndjenjë fenomenale”, do ta përshkruante arkeologia Marta Kolebota reagimin e kolegut Hrvoje Potrebiq e të sajin. E, Potrebiq nuk është emër i panjohur për arkeologët në Kosovë.
Konferenca ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në nëntorin e vitit 2022, organizuar nga Departamenti i Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe “Ecole Normale Supérieur” e Parisit, bëri bashkë mbi 30 studiues të arkeologjisë për të nxjerrë në pah veprimtarinë e tyre hulumtuese e shkencore.
“Vlen vetëm të theksohet fakti që arkeologu, i cili e ka gjetur këtë helmetë, dr.sc. prof. Hrvoje Potrebic nga Departamenti i Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik në Zagreb, ishte pjesëmarrës dhe udhëheqës i një paneli në konferencën ndërkombëtare ‘Arkeologjia e Ballkanit’. Ndërsa disa kolegë kroatë kemi pasur nderin që t’i kemi mysafirë edhe në kuadër të Seminarit të Antropologjisë. Në të ardhmen do të mundohemi që ta thellojmë bashkëpunimin edhe më tutje sidomos në rrafshin e gërmimeve arkeologjike, ku do angazhohemi që studentët tanë të mund të gërmojnë me kolegët tanë në Kroaci dhe anasjelltas”, ka thënë Ilir Culaj.
Helmeta është dëshmi se ka çfarë të zbulohet.