Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës ka bërë bashkë artistë nga 3 vende të globit. Veprat në teknika të ndryshme i kanë dhënë tjetër dimension galerisë “Kadri Kadriu”. Në një ambient ku tensionet ndëretnike kanë bërë që shpesh ajo pjesë e Kosovës të jetë edhe vatër konfliktesh, artistët nëpërmjet veprave të tyre kanë krejt tjetër mesazh. I bashkon thirrja për paqe
Në lagjen “Kroi i Vitakut”, në Mitrovicën e Veriut, të hënën mbrëma u shpalos një ngjarje unike. Bota e artit grafik shpërfaqi paletën e saj të gjallë, ndërsa edicioni i dytë i bienales ndërkombëtare të grafikës “Mitrovicaprint” hapi ekspozitën e punimeve me stile, forma e teknika të ndryshme.
Kjo ngjarje jo vetëm që festoi shprehjet e ndryshme të artit grafik, por gjithashtu shënoi një moment të rëndësishëm kulturor për rajonin. Zgjedhja e Mitrovicës së Veriut si lokacion për këtë bienale ishte simbolike, duke kapërcyer kufijtë, jo veç të artit. Kulla historike e Kadri Kadriut – një pjesë e së cilës është shndërruar në galeri dhe bart emrin e vetë piktorit të vrarë nga forcat serbe në mars të 1999-s – një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së pasur të rajonit shërbeu si vendi i ngjarjes, duke ia shtuar një shtresë të rëndësishme tërë organizimit.
Tafil Peci, organizator dhe kurator i ekspozitës, ndër të tjera, ka folur edhe për vështirësitë e organizimit dhe mungesën e përkrahjes nga institucionet.
“Ky është edicioni i dytë i bienales së grafikës. Është organizuar me shumë vështirësi. Unë jam kurator dhe nuk më qëndron mbrapa ndonjë institucion. Mbështetjen nga Ministria e Kulturës e kemi pasur sa për një ekspozitë personale dhe nga Komuna e Veriut kemi pasur po ashtu mbështetje. Pjesëmarrja ka qenë jashtëzakonisht e madhe, për fillim kanë qenë 45 shtete por pas një përzgjedhjeje tash kemi pjesëmarrës nga 35 shtete, janë 100 autorë, emra të zgjedhur dhe artistë të njohur të skenës botërore”, ka thënë Peci.
Në mesin e bollëkut të artistëve të talentuar nga 34 vende të botës, Rita Vandevorst nga Belgjika u shpall fituese e Çmimit të madh, duke kapur thelbin e frymës ndërkombëtare që përcakton “Mitrovicaprint”. Puna e saj spikati jo vetëm për shkëlqimin e saj teknik, por edhe për aftësinë për të kapërcyer kufijtë kulturorë dhe për t'u lidhur me një audiencë globale. Daniela Savini e Italisë fitoi çmimin e parë, krijimi i saj rezonon me bukurinë e nuancuar të artit grafik.
“Të gjithë këta artistë i kanë zgjedhur nga dy – tri punë origjinale dhe i kanë sjellë këtu në Mitrovicë. Kam zgjedhur prej jurisë ndoshta më të mirë, prej emrave më të përzgjedhur që ka Kosova dhe rajoni. Përbërja e këtyre anëtarëve të komisionit normalisht që e ka lehtësuar procesin e përzgjedhjes së veprave më të arritshme, të cilat janë teknika të ndryshme e të vështira dhe unë mendoj që përzgjedhja ka qenë shumë e mirë. Ata të cilët i kanë fituar këto çmime me të vërtetë janë emra të njohur”, ka thënë kuratori Peci.
Çmimi i dytë shkoi te profesori i grafikës në Fakultetin e Arteve, Basri Mekolli, si një dëshmi e talentit vendas që e plotësoi kuptimin e Bienales. Mekolli ka vënë theksin te rritja e kualitetit të punimeve pjesëmarrëse në edicionin e dytë të bienales së grafikës “Mitrovicaprint”.
“Sivjet vërehet një numër më i madh i pjesëmarrësve, mirëpo e veçanta është se sivjet edhe është shtuar kualiteti i punimeve pjesëmarrëse. Në përgjithësi ka shumë punime të mrekullueshme që cilado që do të fitonte nga juria nuk do të ishte gabim. Ndihem i vlerësuar që juria e ka vlerësuar punën time të cilën e kultivoj me dashuri dhe pasion për dekada me radhë. Në këtë rast kam marrë pjesë me ciklin e grafikeve ‘Memoria e drurit 2’, sepse e kam këtë cikël i cili e ka filozofinë e vet të paraqitjes përmes ideve të mia. Është materializuar dhe është një teknikë më specifike dhe është teknikë premierë e paraqitur këtu në Kosovë”, ka thënë Mekolli.
Sezin Türk Kaya nga Turqia fitoi çmimin e tretë me një krijim që dukej sikur fliste me gjuhën universale të artit duke iu përshtatur kësisoj edhe konceptit të vetë ngjarjes. Në shenjë të kontributeve të jashtëzakonshme, Bienalja prezantoi Çmimin e Nderit, një mirënjohje që i është dhënë Rasim Vllasaliut. Shkathtësia artistike dhe përkushtimi i Vllasaliut ndaj zanatit ia dhanë atij këtë vlerësim.
Vllasaliu ka theksuar se pos çmimit është ndier i nderuar edhe të ekspozohet në mesin e artistëve të njohur nga mbi 30 vende të ndryshme.
“Jam tepër i nderuar për pjesëmarrjen në këtë Bienale dhe me grafiket e mia kam marrë pjesë nëpër shumë ekspozita të ndryshme, mirëpo tani, në këtë hapësirë, me këtë audiencë jam tepër i përkushtuar dhe ndiej kënaqësi të paraqitem në mesin e këtyre artistëve botërorë. Unë kësaj here kam prezantuar dy grafika sidomos këtë që e paraqet bletën dhe kullën dhe çdoherë motivet i marr prej vendlindjes”, ka thënë Vllasaliu.
Juria është përbërë nga ilustruesi dhe grafisti Fatmir Krypa, artisti Fehim Huskoviqi dhe piktori nga Maqedonia, Burhan Ahmeti. Ekspertiza e tyre kolektive siguroi që çmimet të pasqyronin jo vetëm shkëlqimin teknik, por edhe një kuptim të thellë të nuancave kulturore dhe artistike të ngulitura në secilën pjesë.
Krypa ka bërë të ditur se përzgjedhja e fituesve nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Të them të vërtetën dy orë kemi punuar, jo që nuk kemi ditur, por ka pasur aq shumë punime të mira saqë sapo vendosnim për njërën dukej se ia kemi bërë të padrejtë tjetrës dhe ka qenë shumë e vështirë ta ndajmë njërin nga tjetri dhe duke bërë krahasime. Besoj se me këta fitues të cilët i kemi zgjedhur jemi treguar objektiv”, ka bërë të ditur Krypa në hapjen e ekspozitës ku punimet do të jenë në dispozicion të publikut deri me 20 dhjetor.
Tafil Peci, kuratori që organizoi këtë ngjarje, thuri së bashku një rrëfim që shpërfaqi pa probleme një laramani stilesh dhe artistësh të ekspozuar në një hapësirë që e njeh mirë artin për tash e sa vjet. Kurimi i Pecit e çoi “Mitrovicaprintin” përtej një ekspozite të thjeshtë, duke e shndërruar atë në një dialog kulturor që i përcjell ata që shëtisnin nëpër dhomën e kullës së Kadri Kadriut. E ai ka thënë se ky organizim e bën të ndihet krenar.
“Unë kur e kam bërë edicionin e parë të Bienales është e vetmja që bëhet në Kosovë dhe Shqipëri dhe është shumë e vështirë të bëhet një bienale ndërkombëtare. Ka kritere, nuk mund të konkurrojë dhe të aplikojë çdokush. Shpallim konkurs ndërkombëtar 2 muaj, duhet të kemi komision seleksionues i cili i merr punimet, por unë e organizoj dhe ndihem krenar që e bëj”, ka thënë ai.
Ngjarja i kapërceu kufijtë gjeografikë duke krijuar një hapësirë ku arti u bë gjuha universale që bashkoi njerëzit nga Belgjika, Turqia, Italia, Koreja, Suedia, Polonia, Franca, Kanadaja deri në Kosovë e Shqipëri. Suksesi i edicionit të dytë të “Mitrovicaprint” nuk u mat vetëm në çmime dhe vlerësime, por edhe me përvojën e përbashkët të eksplorimit artistik. Përtej kësaj kjo ngjarje mbahet në një vend ku telashet midis etnive nuk janë të vogla. Prej përfundimit të luftës më 1999, ajo pjesë Kosovës qe vatër konflikti dhe për shqiptarët tejet e vështirë për t’u kthyer në vendbanimet e veta. Galeria por edhe Bienalja më vete bartin edhe një mesash. Atë të paqes, siç zakonisht bën arti.