Kulturë

“Hardh Fest” me jehonën e rockut në promovim të vreshtarisë

Festivali, i cili si qëllim parësor ka promovimin e rrushit, verërave dhe rakisë që bëhen nga rahovecianët, ndër vite ka sjellë edhe disa nga rock bendet më të mira shqiptare e të huaja. Në këtë edicion pjesë e listës së artistëve ishte edhe një prej emrave më me nam të rokut, Kip Winger. Pos tij, në tri mbrëmjet e Festivalit organizatorët kanë qenë nikoqirë të shumë emrave të artit vendor e rajonal. Sipas organizatorëve, ky është një prej edicioneve më të suksesshme

Sa herë që në Kosovë përmenden rrushi, hardhia apo vreshtat, gjëja e parë që të bie ndërmend është Rahoveci, e bashkë me të edhe “Hardh Festi”. Kolona të gjata, të cilat zinin dy skajet e rrugëve që nga qyteti i Rahovecit e deri te fushat e Bërnjakut, ku edhe po mbahej ky festival, si dhe njerëz të shumtë të cilët po bënin rrugën në këmbë, ishin një dëshmi e gjallë e interesimit të madh për këtë ngjarje.

Dritat e gjata të një skene të madhe ku pritej të performonin artistët e ndryshëm ishin një sinjal lajmërimi që të drejtonte për në “Hardh Fest”. Skena reflektonte larg deri në një kilometër. Përreth skene shtëpizat e vogla prej druri të prodhuesve të shumtë të verës kanë mbledhur të pranishmit. Aty mysafirët shijonin verërat dhe rakitë e llojllojshme të shërbyera nga dora e vetë prodhuesve të saj.

Sikurse edhe edicionet e kaluara, edhe kësaj here në kuadër të Festivalit u organizuan aktivitete të ndryshme, si: gara e pirjes së rakisë, gara e shtrydhjes së rrushit, udhëtimet me “tren” nëpër vreshta, “Hardh mini maratona” e cila iu kushtua fëmijëve me fibrozë cistike, punëtoritë, e shumë aktivitete të tjera.

Ky festival i cili si qëllim parësor ka promovimin e rrushit, verërave dhe rakisë që bëhet nga rahovecianët, ndër vite ka sjellë edhe disa nga rock bendet më të mira shqiptare e të huaja. Në këtë edicion pjesë e listës së artistëve ishte edhe një prej emrave me nam të rokut, Kip Winger.

Winger doli në skenë pak para orës 00:00 të së premtes mbrëma dhe para publikut këndoi për rreth një orë. Pas përfundimit të performancës, 61-vjeçari Kip Winger, i cili kishte qenë pjesë e rock grupit të famshëm “Alice Cooper”, u shpreh shumë i gëzuar që kishte qenë pjesë e këtij festivali.

“Energjia e publikut ishte shumë e mirë. Kosova ishte shumë e mirë. Është një festival që më pëlqeu shumë. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë ai derisa ka ngritur dorën lart dhe ka bërtitur “yeaa rock n’roll maaan”.

Por kjo nuk është hera e parë që Winger ka shkelur në këto anë të botës. Në fillim të viteve ‘90, atëherë kur Kosova ishte nën regjimin e Serbisë, Winger kishte ardhur në atë që ende ishte Jugosllavi me rock grupin e famshëm “Scorpions”.

“Më 1991 unë kam performuar me ‘Scorpions’ në këtë pjesë të territorit, por atëherë ishte Jugosllavi. Shumë kohë më parë unë kam udhëtuar këndej, por kjo është hera e parë pas 30 vjetësh”, tregoi ai për KOHËN.

Kip Winger ka qenë pjesë e disa prej grup bendeve më të njohura, si “Alice Cooper”, “The Mob”, “Fiona”, “Blackëood Creek” e të tjera. Në natën e dytë të “Hardh Fest”, Winger performoi disa nga këngët e tij më të njohura si: “Miles aëay”, “Headed for a heartbreak”, “Seventeen” pastaj “Helter Skelterthe” dhe “She said, she said” të “The Beatles”, “Rock & Roll” të Led Zeppelin e të tjera.

Kosovë ai nuk ka ardhur me bendin e tij, por performoi me bendin grek “Toublemaker”, me të cilin kishte performuar edhe herë të tjera në Greqi. Pavarësisht kësaj, Winger ka thënë se do të kishte dëshirë që një ditë ta sillte bendin e tij në Kosovë dhe të rrinte këtu edhe më gjatë.

“Do të doja ta sillja bendin tim një herë këtu në Kosovë. Do të ishte një gjë e mrekullueshme. Audienca ishte shumë e mirë, kishim shumë fansa këtu. Do të doja të kthehesha përsëri dhe t’i vizitoja vendet përreth, por koha ime është shumë e kufizuar kësaj here, por duhet të kthehem prapë për një vizitë më të gjatë”, ka përfunduar Winger.

Nëse kemi parasysh karrierën e tij artistike, Kip Winger ishte artisti më i madh i këtij edicioni, megjithatë publiku u pa më entuziast gjatë kohës kur performoi artisti grek George Gakis së bashku me bendin e tij “Troublemaker”.

vokalit të tij të pasur dhe energjisë pozitive që përçonte te publiku, Gakis i rrëmbeu zemrat e publikut kur nisi t’i këndonte disa nga rok këngët më të njohura si; “It’s my life” të Bon Jovit, “Another brick in the ëall” të “Pink Floyd”, “Crying in the Rain”, “Kashmir” të Led Zeppelinit, “Tutti fruti” të Little Richard e të tjera.

Refereni “It’s my life/ It's noë or never/ I ain't gonna live forever/ I just want to live while I'm alive” u këndua pothuajse vetëm nga publiku i cili përveçse këndonte dhe vallëzonte pa pushim.

“Ishte një natë e mrekullueshme, publiku ishte shumë i mirë”, ka përshkruar atmosferën Gakis.

Ai ka treguar se si kjo nuk ishte hera e parë që ai kishte ardhur në Kosovë dhe se madje këtu ai ka edhe shumë miq.

“Për herë të parë kam ardhur këtu më 2017 dhe isha shumë i impresionuar. Gjëja më e mirë për mua ishte që bëra shumë miq këtu në Kosovë. Kështu, që nga atëherë unë kam ardhur disa herë në Prishtinë dhe jam shumë i nderuar për miqësinë që kam krijuar këtu”, tregoi ai.

Në fund të performancës së tij, Gakis u shpreh para publikut se “muzika është ajo që na bashkon” dhe nisi të këndonte një këngë greke të cilën ai e quajti ballkanike dhe e cila u mirëprit edhe nga publiku.

“Kënga e fundit është një këngë tradicionale ‘Mi me kitas’. Unë vij nga Janina, por mendoj se muzika është një gjë e cila i lidh njerëzit në mes vete. Unë nuk besoj në dallime. Jam shok i të gjithëve dhe përmes muzikës ne mund ta bëjmë ndryshimin. Ajo ishte një këngë greke, një këngë ballkanike”, ka thënë ai derisa ka shtuar se “neve nuk na intereson politika, neve na intereson rock n’rolli”.

Por në natën e dytë të edicionit të 21-të të “Hardh Festit” performuan edhe rok grupet shqiptare TNT dhe “Magnituda”.

Porsa doli në skenë TNT-ja këndoi ca vargje të këngës “Destan Begu”, ku përmendej konaku i Rahovecit dhe e cila i elektrizoi rahovecianët e pranishëm. Tutje mbrëmja vazhdoi me hitet “O atdhe”, “Njëqind ditë”, “Le të qeshin sytë e tu”, “ S’ka me shqipen tonë” e shumë hite të tjera të njohura nga publiku shqiptar.

Megjithatë, siç edhe pritej, kënga “Moj bjondinë” ishte ajo që e bëri publikun të tundej e të vallëzonte pa pushim. Refreni i saj, i cili përsëritet disa herë, u këndua njëzëri nga publiku i cili në fund kërkoi nga vokalisti Bekim Hallaqi të këndonte edhe një këngë para se të shkonte.

Pas përfundimit të performancës, Hallaqi u shpreh se ata kanë qenë edhe herë të tjera në “Hardh Fest” dhe se për shkak të mikpritjes që u bëhet nga rahovecianët, por edhe nga publiku i Festivalit, performimi në këtë ngjarje është gjithmonë kënaqësi për ta.

“Në ‘Hardh Fest’ kemi qenë edhe në 2019 dhe gjithmonë kalojmë mirë, sepse është një organizim fantastik dhe rahovecianët janë njerëz shumë mikpritës. Grupi TNT është grup i popullit, këngët janë të popullit, kështu që gjithmonë kalojmë mirë kudo që jemi, por sidomos në ‘Hardh Fest’ ku është një numër i madh njerëzish dhe sigurisht është një ndjenjë shumë e veçantë kur të gjithë këndojnë me ty”, ka thënë vokalisti i grupit TNT, Bekim Hallaqi.

Tutje ai theksoi edhe punën e madhe që ata kishin bërë si grup për t’u rikthyer dhe për t’i kënduar para gjeneratave të reja disa prej këngëve më të mira të grupit TNT, si dhe rëndësinë e madhe që ka mbajtja gjallë e këngëve të rok grupeve më të njohura shqiptare.

“Para katër vjetëve kur e rikthyem, ka qenë një sfidë për neve dhe për atë arsye kemi punuar shumë që gjeneratës së re t’ia mësojmë muzikën e viteve ’80 e ‘90 me një ripërtëritje të orkestrimeve dhe besoj se ja kemi arritur qëllimin, siç edhe u pa sonte. Besoj se secili prind, si prindërit e mi, por edhe të tjerët i kanë rritur fëmijët e tyre me këngët e grupit TNT, ‘Minatori’, ‘Elita 5’ e shumë e shumë grupe të tjera. Kështu që unë mendoj që këto bende dhe këto këngë nuk duhet kurrë të zhduken, sepse janë këngë tona autoktone”, përfundoi ai.

Image
Sikurse edhe edicionet e kaluara, edhe kësaj here në kuadër të Festivalit u organizuan aktivitete të ndryshme, si: gara e pirjes së rakisë, gara e shtrydhjes së rrushit, udhëtimet me “tren” nëpër vreshta, “Hardh mini maratona”, e cila iu kushtua fëmijëve me fibrozë cistike, punëtoritë, e shumë aktivitete të tjera

Një grup tjetër i cili vjen nga po ky vend ku mbahet “Hardh Festi” dhe i cili ka performuar sa herë që është organizuar ky koncert është grupi “Magnituda”.

“Jemi grupi i vetëm që kemi performuar në çdo edicion. Madje është edhe histori, kështu që jemi bendi i parë që kemi performuar në ‘Hardh Fest’ qysh më 2015. Është nder dhe privilegj të marrim pjesë në ‘Hardh Fest’ sidomos para këtij publiku kaq të mrekullueshëm në këtë skenë madhështore ku sot kanë performuar edhe shumë yje të rokut, por edhe ndër vite”, ka thënë vokalisti i këtij grupi, Gardalin Shtavica.

Grupi performuan këngë nga “The Door”, “White Snakes”, Marilyn Manson pastaj nga muzika shqipe, nga grupi “Oda”, “Era”, “Nuk i dua retë”, këngën “Moj e mira te pojata” e të tjera.

Këtë vit “Konaku” i Rahovecit ishte mbushur plot e përplot njerëz dhe sipas fjalëve të drejtorit të festivalit, Agron Sokoli, organizimi i ka tejkaluar edhe pritshmëritë e stafit dhe pjesëmarrja ka qenë më e madhe se herëve të tjera.

“Për dy vjet pandemi kemi mbajtur aktivitete sa për ta shënuar Festivalin dhe pas përfundimit të pandemisë jemi kthyer fuqishëm dhe kemi synuar dhe punuar që t’i tejkalojmë të gjitha përmasat. Tani Festivali i ka kaluar të gjitha përmasat, është një festival ndërkombëtar. Kemi shumë vizitorë nga rajoni dhe gjithë bota”, ka thënë ai.

Sa i përket vështirësisë që artistë të njohur të skenës botërore të sjellin në Kosovë, Sokoli ka thënë se një gjë e tillë nuk përbën problem, duke pasur parasysh edhe faktin se Festivali tashmë ka krijuar një traditë disavjeçare.

“Meqenëse jemi një festival tradicional që mban edhe koncert të muzikës rock, kemi krijuar kontakte shumë të mira me artistët ndërkombëtarë. Sapo kryhet një edicion ne hyjmë në bisedime për edicionin e ardhëm dhe jemi të lumtur që po na përgjigjen gjithmonë pozitivisht”, u shpreh ai.

Megjithatë, ajo pa të cilën nuk mund të mendohet “Hardh Festi” është prania e vertarëve dhe prodhuesve të rakisë. Në të dy anët e “Konakut” shihen njëra pas tjetrës shtëpizat prej druri të cilat shërbej verë e raki.

Në shtëpizën e kompanisë “Daka” publiku mund të shohë procesin e pjekjes së rakisë.

Për këta verëtarë, mbajtja e “Hardh Festit” është një gjë pothuajse esenciale e cila e ndihmon zhvillimin e ekonomisë së tyre për gjatë tërë vitit.

“Ky festival nuk është vetëm i Kosovës, por edhe i rajonit, festival që vijnë njerëz nga i gjithë rajoni e edhe nga shtetet e jashtme. Për Rahovecin kjo do të thotë shumë, shini çfarë ambienti, çfarë atmosfere që është. Ky është një promovim tepër i madh. Njerëzit përveçse blejnë edhe i shohin produktet, dhe ky është një marketing tepër i madh për ne”, ka thënë Gazmend Daka nga “Daka Wine”.

Këtë vit “Hardh Festi” u organizua nën sloganin “Ca kokrra rrushi”, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar të lindur në Rahovec, Xhevdet Bajraj, i cili vdiq në qershor të këtij viti. Ky slogan kishte për bazë librin poetik të Bajrajt, “Ca kokrra rrushi Rahoveci”, i cili ishte promovuar më 2019 në po këtë festival. Në këtë edicion Bajraj edhe është kujtuar nëpërmjet orës poetike kushtuar poetit, që prej luftës së fundit në Kosovë ka jetuar në Meksikë. Edicioni i sivjetmë për tri ditë ka sjellë emra me nam të muzikës vendore e rajonale. Në natën e fundit të Festivalit, të dielën mbrëma, midis të tjerash, kanë performuar edhe Bojken Lako e “Minatori”.