Kulturë

“Hapësira...” në horizontet e minatorëve që dridhën Jugosllavinë

Në ballë të ekspozitës është imazhi ikonik i minatorëve që kanë qëndruar në grevë prej 20 deri më 28 shkurt të vitit 1989

Ekspozita “Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989”, është prezantimi më unik që i është bërë deri më tash asaj që ka ngjarë në shkurt të vitit 1989. E hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës, nuk paraqet thjesht vetëm imazhe apo edhe xhirime të kohës e rrëfime të punonjësve. Shkon përtej

Togfjalëshi si “rrëfimet e nëntokës” do të mund të krijonte përshtypje sikur bëhet fjalë për ndonjë tregim ose inskenim të shërbimeve informative që përcjellin a kurdisin ngjarje e situata. Por në rastin e asaj që ka ndodhur në Kosovën e vitit 1989, rrëfimet e nëntokës janë të tjera. Janë prej horizonteve, veprim e zë i punonjësve të një gjiganti ekonomik, të cilët prej zgafelleve të minierës, kërkonin t’i mbronin të drejtat e njeriut.

Rëndom minatorët rebelohen ose shndërrohen në grevistë për kushte më të mira pune ose paga më të larta. Por në rastin e minatorëve të “Trepçës” më 1989, 1.300 veta bënë që jo vetëm në ish-Jugosllavi të çohej pluhur i madh. U alarmuan edhe vende të tjera.

Ekspozita “Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989” është prezantimi më unik që i është bërë deri më tash asaj që ka ngjarë në shkurt të vitit 1989. E hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës kjo ekspozitë, nuk paraqet thjesht vetëm imazhe apo edhe xhirime të kohës e rrëfime të punonjësve. Shkon përtej. Është një “libër” atraktiv i shpërndarë në mure e tavolinat ekspozuese të një prej këndeve të Pavijonit të Historisë. Mbishkrimi “Me fat!” që gjendet në hyrje të minierës në Stantërg është edhe në harkun në hyrje të ekspozitës. Në këtë rast, nuk hyhet në zgafellet e nëntokës, por vizitori futet në minierën e rrëfimeve të asaj që ka ndodhur këtu e 34 vjet më parë. Në ballë është imazhi ikonik i minatorëve që kanë qëndruar në grevë prej 20 deri më 28 shkurt të vitit 1989. Në njërën anë janë 10 kërkesat e tyre ku prinë: “Të mos preken parimet themelore të Kushtetutës së vitit 1974, por të bëhen aso ndryshimesh që vërtet na çojnë përpara që na mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të vëllazërimit e bashkimit, të bashkëjetesës”.

Hulumtimi dhe ekspozita e realizuar nga Iniciativa për Histori Gojore dhe “forumZFD” programi në Kosovë përtej filmimeve të kohës shfaq edhe intervistat me disa punonjës. Hulumtimet zbardhin dokumente prej kohës kur më 1927 Mbretëria e Jugosllavisë, po ajo që njihet si Jugosllavia e Vjetër ia dha me koncesion minierën e “Trepçës” Mbretërisë së Bashkuar deri te nacionalizimi i këtij aseti, marshi i minatorëve e greva që ka fokusin kryesor të hulumtimit e të prezantimit.

Kuruar nga Ermirë Krasniqi, ekspozita vjen me detaje deri te skica e Monumentit të Minatorëve, i projektuar nga Bogdan Bogdanoviq, arkitekti nga Serbia, i konsideruar si zëri i arsyes kundër shovinizmit ndaj shqiptarëve.

Kuratorja Erëmirë Krasniqi, njëherësh hulumtuese në këtë projekt, ka thënë se sa herë e konceptojnë, ekspozita nuk është ideja vetëm tek ekspozimi.

“Ideja është që të krijohen hapësira narrative ku një fakt, një pjesë e madhe e ekspozitës është dhomë e leximit pasi shumë prej materialeve të cilat kemi vendosur të prezantohen, janë shumë voluminoze. Për atë e kemi bërë edhe publikimin e librit. Ata që nuk mund të mbërrijnë të lexojnë këtu krejt çfarë duan, mund të marrin librin dhe të vazhdojnë leximin”, ka thënë ajo. Ka shpjeguar se ekspozita është njëfarë forme mënyrë për të aktivizuar kujtesë të caktuar, sidomos për periudhën e grevës së minatorëve më 1989 dhe fokusohet në historinë gati 100-vjeçare të komunitetit minerar.

“Mirëpo, fokusin në veçanti e ka në grevë pasi është pika kthyese ku minatorët e kanë përdorur kapitalin e tyre ekonomik për t’iu kundërvënë politikës jugosllave të asaj kohe që ka qenë duke i rishqyrtuar amendamentet kushtetuese dhe shqyrtimi është bërë për ta tërhequr autonominë”, ka thënë ajo. Në prizmin e saj, ekspozita ofron burime objektive që mund të përdorën më pas për interpretimin e ngjarjeve historike.

“Sot ngjarjet më shumë interpretohen sesa që krijohen narrativa të mëdha e absolutiste”, ka thënë Krasniqi. Hapësira për interpretim në këtë ekspozitë është e madhe. Secili detaj flet më shumë se tjetri. Lehtë kuptohet se minatorët nëpërmjet grevës kërkonin hiç më shumë se të drejtat që i takojnë një populli. Të dhënat e nxjerra tregojnë se pas tetë ditësh, minatorët ishin mashtruar duke u thënë se treshja e kupolës udhëheqëse të Krahinës së atëhershme të Kosovës Rrahman Morina, Hysamedin Azemi e Ali Shukriu ishin dorëhequr. Rreth orës 21:00 të 28 shkurtit 1989 minatorët do të nisnin të dilnin nga miniera.

Gani Osmani, i cili prej vitit 1981 punon në “Trepçë”, ka thënë se hulumtime të tilla është dashur të bëhen edhe më herët, pasi shumë minatorë kanë vdekur e bashkë me ata edhe shumë fshehtësi të grevës janë nën tokë.

“Në miniera janë kushtet e vështira, mirëpo vullneti për shtet na ka bërë të hyjmë në grevë. Çdo minator bën greva për çështje sociale, e kjo ishte greva e parë që nuk është mbajtur për çështje sociale, por për çështje politike”, ka treguar ai. Sipas tij, kanë qenë aq këmbëngulës sa që kur kanë hyrë në grevë ishin të vendosur edhe të vdisnin.

“Në luftë mund të luftosh e të ikësh e aty s’kemi pasur ku të ikim. Po të na ndalej rryma atje do të mund të vdisnim. Por regjimi komunist e fashist na ka mashtruar, na ka nxjerrë jashtë dhe Kushtetuta është ndryshuar. Në histori nuk ka grevë tetë ditë e tetë net”, ka thënë ai.

Image
Ekspozita “Hapësira e Përpjekjes Politike: Miniera e Trepçës 1989” është një “libër” atraktiv i shpërndarë në mure e tavolinat ekspozuese të një prej këndeve të Pavijonit të Historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Ekspozita vë në pah se një ditë pas përfundimit të grevës autoritetet e ish-Jugosllavisë kishin marrë vendim për mbylljen e minierës. Megjithëse greva nuk kishte “kokë”, por qe një organizim krejt horizontal, 14 veta do të arrestoheshin për të qëndruar në burg për 14 muaj. Në fund të marsit Kosovës do t’i merrej autonomia e në tetor prapë do të kishte grevë.

Korab Krasniqi, i cili në këtë projekt ishte hulumtues bashkë me Renea Begollin, Anita Susurin dhe Erëmirë Krasniqin, ka thënë se ekspozita ndërtohet mbi premisën e historive gojore të akterëve që kanë qenë pjesëmarrës në organizimin apo marshin e minatorëve të 1988-s e pastaj edhe grevat.

“Greva nuk ka organizator të veçantë, por është organizuar nga të gjithë. Kjo tregon solidaritetin dhe unitetin midis minatorëve e po ashtu edhe një nivel të horizontalitetit se këto kërkesa po dalin nga minatorët, nga populli”, ka thënë ai. Sipas tij, greva ishte një urë që u krijua midis sistemit jugosllav dhe atij paralel.

“U bë organizimi sindikal ku familjet ndihmojnë familjet, ku minatorët e larguar nga puna angazhohen nga familjet në Kosovë për punë sezonale në mënyrë që të ndihmohen. Pastaj dalin thirrje për ndaljen e gjakmarrjes”, ka thënë ai.

Një vit pas grevës do të niste përjashtimi i të gjithë shqiptarëve nga puna bashkë me përjashtimin e nxënësve e studentëve nga shkollat e universitetit. Pushteti i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90 nëpërmjet represionit serb mbi shqiptarët shkoi deri në nivelin sa më 1998-1999 shpërtheu edhe lufta. E në historinë e Kosovës, greva e minatorëve mbetet një akt sa unik, aq edhe hapësirë e përhershme për gërmimin e historisë e të kujtesës. Sikurse një minierë.