Kulturë

“Hana” nga Kosova gjen në Trieste shtegun drejt audiencës botërore

Projekti filmik “Hana” nën regji të Ujkan Hysajt është mbështetur për zhvillim të mëtutjeshëm në forumin e “When East Meets West”, i cili organizohet nga fondi audiovizual “Friuli Venezia Giulia” në bashkëpunim me “Alpe Adria Cinema” dhe “Trieste Film Festival”. Është një ngjarje unike dhe novatore në peizazhin e industrisë së festivaleve evropiane dhe regjisori Hysaj e ka vlerësuar si mundësi të mirë për filmin “Hana”

Filmi i metrazhit të gjatë “Hana” i regjisorit Ujkan Hysaj, që ka përfunduar xhirimet në qershor të vitit të kaluar, ka marrë hapat e parë drejt suksesit. Është mbështetja nga programi “First Cut +” që bashkëpunon ngushtë me forumin “When East Meets West”, nga i cili projekti kinematografik është përzgjedhur për zhvillim të mëtutjeshëm.

Regjisori Hysaj e ka bërë të ditur lajmin nëpërmjet llogarive të tij në rrjetet sociale. Ka theksuar se “First Cut+” në forumin “When East Meets West” në Trieste të Italisë është një mundësi e mirë për filmin “Hana”.

“’First Cut+’ në WEMW është një mundësi që filmi ‘Hana’ të shikohet prej selektorëve të festivaleve, distributorëve dhe ekspertëve të industrisë”, ka thënë Hysaj.

“First Cut+” është një program i nisur në vitin 2020 për nxitjen e strategjive të promovimit dhe angazhimit të audiencës së filmave artistikë që kanë marrë pjesë më parë në një seminar të “First Cut Lab”. “First Cut+” operon dy herë në vit, duke punuar në bashkëpunim të afërt me dy platforma dinamike dhe të mirëpërcaktuara të industrisë së filmit: “When East Meetd West” dhe “Karlovy Vary IFF’s Eastern Promise”. Çdo vit promovohet një përmbledhje me 16 filma artistikë: 8 filma gjatë sesionit dimëror në “When East Meets West”, dhe 8 filma gjatë sesionit veror në “Karlovy Vary IFF’s Eastern Promise.

Projektet pjesëmarrëse përfitojnë nga leksionet dhe konsultimet individuale të mentorimit mbi promovimin, marketingun, shtypin, festivalet dhe strategjinë e shitjeve nga konsulentë të ndryshëm të industrisë së filmit. Kjo pasohet nga një punë në vazhdim e organizuar nën etiketën “First Cut+”, e hapur për vendimmarrësit e përzgjedhur.

Në sesionin e dimrit të vitit 2024 në Trieste, një juri ndërkombëtare e përbërë nga Esra Demirkiran (TRT), Paolo Bertolin (Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia), Clément Chautant (Indie Sales) do t’ia japë çmimin TRT njërit prej filmave. Çmimi shpërblehet me 5 mijë euro. Edicioni i 35-të i Festivalit të Filmit në Trieste mbahet prej 19 deri më 27 janar.

Në mesin e formacionit dimëror të “First Cut+” përpos filmit “Hana” bëjnë pjesë edhe filmat “Celebration” i regjisorit Bruno Ankoviq nga Kroacia, “Continent” nën regji të Davi Prettos nga Brazili, “Hunger strike breakfast” i Karolis Kaupinis nga Lituania, “March to May” i Martin Repka nga Republika Çeke, “Tropicana” nën regji të Omer Tobi nga Izraeli, “Wishing on a star” i Peter Kerekes nga Italia dhe “(The) White Flash” me regjisore Laura Hermanides nga Holanda.

Image
Sheshxhirimi i filmit “Hana” me skenar të Fadik Hysaj nën regji të Ujkan Hysajt

Filmi i metrazhit të gjatë “Hana” trajton historinë e Sarës, një aktore që sulmohet seksualisht gjatë luftës në Kosovë dhe bëhet protagoniste e një filmi të huaj që trajton temat e sulmit seksual. Derisa është në proces të xhirimit të filmit dhe luan situata të ngjashme me të saj, ajo kapërcen traumën e saj.

Regjisori Hysaj, duke marrë për bazë prezencën e kësaj teme në projekte të shumta kinematografike, ka theksuar se në filmin “Hana” i ofrohet një qasje e re temës së viktimave të dhunës seksuale.

“Tema është e ndjeshme, sepse trajton traumat e dhunimit seksual të 20 mijë grave që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Nëntemat e figurave tona të cilat janë politike, intelektuale, të cilat me doemos kanë qenë të përfshira në luftë dhe të afektuara nga ngjarjet e ndryshme. Qasja jonë në këtë temë është diçka e re. Për mua si autor i filmit nuk është e domosdoshme me tregu vetëm atë çka ka ndodhur me këtë kategori, por se si kjo kategori me u shëru nga traumat. Filmi e ka një skenar në të cilin këto gra janë pjesë e një programi që quhet ‘Art terapi’ dhe aty këto janë në proces të shërimit nga traumat”, ka thënë Ujkani.

Është realizuar nga shtëpia filmike “Ajo Pictures” me skenar të shkruar nga Fadil Hysaj dhe për producentë ka Ujkan Hysajn dhe Kushtrim Koliqin. Në rolet kryesore vijnë aktoret Sheqerie Buqaj dhe Ilire Vinca, derisa filmi “Hana” është xhiruar në 15 lokacione gjithandej Kosovës.

“Një punë shumë e madhe për një periudhë shumë të gjatë, më shumë se gjashtë muaj intensivë për parapërgatitje dhe një punë mbi pesë vjet në zhvillim skenari, përgatitje, komunikime, hulumtime mbi tematikën e ndjeshme që e ka filmi dhe më në fund është kurorëzuar me një xhirim prej 26 ditësh, në krejt Kosovën, mbi 15 lokacione, me një kastë shumë të madhe, me një ekip shumë të mirë dhe me shumë energji kemi mbërri që më në fund ta përmbyllim një projekt që është shumë kompleks”, ka thënë Hysaj.

Nuk ka një periudhë të caktuar kohore për premierën botërore të filmit “Hana”, mirëpo regjisori Ujkan Hysaj i ka përmendur disa nga festivalet më prestigjioze ku presin që të gjejnë rrugë për ta dërguar filmin.

“Në proces filmi është zgjeruar shumë dhe ka kaluar të gjitha parashikimet tona të buxhetit, ku në këtë rast ne kemi arritur ta përmbledhim një ekip i cili nuk ka shikuar sa janë honorarët, por vetëm kanë dashur të jenë pjesë e filmit. Për një premierë të denjë do të shikojmë në ndonjë prej festivaleve më të mëdha. Qoftë në Berlin, qoftë në Cannes apo Venedik. Për mua është Venediku më shumë, sepse filmi ka elemente estetike shumë dhe i ngjason shijes së festivalit që ata e kërkojnë”, ka përfunduar Hysaj.

Hysaj njihet edhe për filma të tjerë, kryesisht të metrazhit të shkurtër, si “Kolona”, “Mist”, “Kaona”, “Windows XP” dhe së fundi për filmin dokumentar “Në kërkim të Burbuqe Rushitit”, projekt për jetën dhe trashëgiminë e reporteres së guximshme të luftës nga Kosova.