“Dredhe duhanin” është një përkthim i lirë i emrit të grupit hungarez “Besh o droM”. Anëtarët e tij tash e 20 vjet udhëtojnë nëpër vende të ndryshme për të përhapur tingujt e muzikës ballkanike. Fuqia e muzikës së tyre qëndron te bashkimi i muzikës folklorike, me instrumente bashkëkohore, tinguj jazzi, punk, rock, reggae e blues.
Grupi në performancat tij përzien këto zhanre të muzikës me meloditë dhe ritmin i cili nuk është aq shumë i kompozuar në letër, më shumë është një improvizim live. Me muzikën e tyre është njoftuar edhe publiku i Prishtinës. Të mërkurën e 16 tetorit “Besh o droM” performoi në “Rockuzinë”. Ardhja e tyre u bë në kuadër të aktivitetit “Javët e kulturës hungareze” në Kosovë.
“Besh o droM” është themeluar në vitin 1999 në Budapest. Që atëherë ka kaluar nëpër shumë ndryshime të formacionit mirëpo dy themeluesit janë akoma aty: këngëtari Pettik Ádám që i bie darabukut dhe Barcza Gergö që i bie kavallit dhe flautit, e po ashtu edhe EWI-it një instrument i lidhur me kompjuter, dëshmi e mbulimit të hapësirës në mes të muzikës tradicionale dhe zhvillimet të reja në fushën e muzikës. Emri i grupit është një lojë me fjalët, prandaj mund të përkthehet edhe si “ndiqe rrugën tënde”.
Ndikimi nga tingujt ballkanikë
Themeluesi Pettik Ádám thotë se “Besh o droM” u lind me një yll në ballë. Sipas tij, muzika e tyre u pranua shumë mirë nga publiku që në fillim. Ádám gëzohet që nuk e kanë pasur fatin e disa grupeve të cilave u duhen vite për t’u bërë të njohur. Një ndihmëse e konsideron suksesin e filmit “Underground” të regjisorit serb, Emir Kusturica, një dramë-komedi e viti 1995. Filmi ka në qendër dy miq dhe portretizon historinë e Jugosllavisë që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore deri në luftërat brenda Jugosllavisë. Një film i gjatë 163 minuta, i cili fitoi “Palmën e artë” në vitin 1995 në Festivalin e Filmit në Cannes... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)