Kulturë

“Green Festi” thërret për t’iu bashkuar në Mitrovicë me “Lum Na”

Lum na

Posteri i edicionit të sivjetmë të “Green Festit” ndjell freskinë e lumenjve, por në esencë ngre alarmin nëse qytetarët mund të thonë “Lum Na” për gjendjen e tyre

“Lum Na” është tema edicionit të sivjetmë të “Green Festit” që luan me dykuptimësinë e një shprehjeje si kjo, përderisa shpjegohet si “iniciativë që synon të ndërgjegjësojë publikun për ndotjen e ujit dhe lumenjve në Kosovë”. “Përmes pyetjes reflektive, ‘A mund të themi ‘Lum Na’?’ ky edicion i festivalit synon të theksojë gjendjen alarmante të lumenjve të Kosovës. KOHA të martën ka biseduar me Lulzim Hotin, drejtor i “GreenFestit”, jo vetëm për festivalin po edhe për atë nëse besojnë që një ngjarje si kjo mund të ketë peshë përballë një çështjeje alarmante për botën

Është një festival që pa shumë bujë a glamur, rrotullon sivjet edicionin e 14-të me synime të qarta e pa pretendime madhore, por që pesha e tij matet tjetërsoj: te ndërgjegjësimi për natyrën, mbrojtjen e saj. Efektin e përkthen me punë konkrete dhe s’e ka ndër mend të ndalet. “Green Festi” në dukje një ngjarje lokale – në Mitrovicë – ndikimin e ka pikërisht ashtu siç përthekohet çdo matricë e çështjeve globale për ndryshimet klimatike: që secili të marrë rolin e vet. 

Të martën “Green Festi” ka bërë publike temën për edicionin e sivjetmë që mbahet prej 14 deri më 18 gusht në Parkun e Qytetit të Mitrovicës. “Lum Na” është tema që luan me dykuptimësinë e një shprehjeje si kjo përderisa shpjegohet si “iniciativë që synon të ndërgjegjësojë publikun për ndotjen e ujit dhe lumenjve në Kosovë”. 

“Përmes pyetjes reflektive, ‘A mund të themi ‘Lum Na’?’ ky edicion i festivalit synon të theksojë gjendjen alarmante të lumenjve të Kosovës, të cilët janë ndotur rëndë nga mbetjet industriale e bujqësore, nga mungesa e infrastrukturës adekuate për trajtimin e ujërave të zeza, të cilat mbi të gjitha janë ndotur dhe degraduar nga faktori njeri”, shkruhet në komunikatën e “Green Festit”. 

Por konceptimi i temës nuk ndalet me kaq. “Përveç ndotjes, ndryshimet klimatike pritet të shkaktojnë thatësira dhe shpeshtim të përmbytjeve përgjatë viteve në vijim”, shkruhet në komunikatë. 

Alarmi i “GreenFestit” është në sinkron edhe me raporte organizatash botërore si puna e NATO-s. Javën e kaluar, nëpërmjet një raporti të nënshkruar nga sekretari i saj i përgjithshëm për operacionet e aleancës në zonat që rrezikohen nga ndryshimet klimatike, tërhoqi vërejtjen edhe për Kosovën. 

“Krimi mjedisor, si për shembull, prerjet e paligjshme të drurëve dhe hedhja e mbeturinave, janë sfida serioze për ekosistemin dhe mjedisin. Këto aktivitete, jo vetëm që i degradojnë burimet natyrore dhe ekosistemet, por edhe i përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke i rritur nivelet e ndotjes dhe reduktimin e aftësisë së pyjeve për të vepruar si absorbues karboni”, shkruhet ndër të tjera në Raport. Po aty shkruhet se krahas përmbytjeve, edhe nxehtësia ekstreme e grimcat në atmosferë konsiderohen sfidë për misionet dhe asetet e NATO-s. 

“Green Festi” nuk ka të bëjë gjë me alarmin e NATO-s, por kaherë i ka kuptuar brengat si këto dhe është futur në aksion. 

“Duke ofruar një program të pasur pesëditorë, me aktivitete edukative dhe rekreative, festivali synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së lumenjve, si dhe të nxisë veprime konkrete për mbrojtjen e mjedisit në mbarë Kosovën”, shkruhet në komunikatë. 

“Green Festi” në dukje një ngjarje lokale – në Mitrovicë – ndikimin e ka pikërisht ashti siç përthekohet çdo matricë e çështjeve globale për ndryshimet klimatike: që secili të marrë rolin e vet (Foto nga edicioni i kaluar i festivalit “Green Fest) 

KOHA të martën – pas bërjes publike të temës – ka biseduar me Lulzim Hotin, drejtor i “GreenFestit” udhëheqës i organizatës “7Arte” që është organizatore e festivalit. Ka folur edhe për atë nëse besojnë që një festival si ky mund të ketë peshë përballë një çështjeje alarmante për botën. 

“Për këta 14 vjet, ‘Green Fest’ ka arritur gradualisht të japë frytet e veta në qytetin e Mitrovicës. Fillimisht, janë të rinjtë që, duke kontribuar si vullnetarë që nga viti 2010, e kanë përkrahur me krenari si koncept dhe si festival identifikues të qytetit të Mitrovicës. Përgjatë viteve janë realizuar programe të vazhdueshme edukative mbi çështjet mjedisore në vend, krahas tyre kanë pasur edhe aksione mjedisore të cilat kanë lënë gjurmë të dukshme në hapësirat e qytetit”, ka thënë Hoti. Ka shembuj konkretë për këtë që “Green Festin” s’e lënë në kufijtë e një ngjarjeje argëtuese. Vetëm vitin e kaluar, sipas Hotit, janë mbjellë një mijë e 7 pemë në hapësirat publike të qytetit si dhe janë instaluar kopshte urbane në qytet. 

“Përveç këtyre, ‘Green Fest’ ka stimuluar edhe shfrytëzimin e hapësirave të gjelbra të qytetit për realizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e artistike, si dhe ka fuqizuar Grupet e Gjelbra nëpër shkollat e ndryshme të Mitrovicës. Me një fjalë, ngjyra e gjelbër tashmë është pjesë e shumë nismave të të rinjve dhe, krahas Trepçës, mban me vete edhe vizionin për ta bërë Mitrovicën qytet të gjelbër dhe të jetueshëm për të gjithë”, ka thënë Hoti. 

Vjet, temë e festivalit kishte qenë “Imagine”, si një qasje inkurajuese për qytetarët që të bashkohen dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një mjedis paqësor, një qytet dhe një botë më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë.

Programi i edicionit të sivjetmë të “Green Festit” është në këtë frymë. Përpilimi është në fazë finale dhe u është dedikuar fëmijëve, të rinjve e deri te të moshuarit. 

“Me një fjalë, ‘Green Fest’ sivjet vjen si festival familjar”, ka thënë Hoti duke shtuar se përveç aktiviteteve rekreative e sportive si: kajak, ecje malore, çiklizëm, joga dhe pilates, programi përmban edhe anën edukative ku do të prezantohen raporte nga studiues të ndryshëm që janë marrë me gjendjen e ujërave e lumenjve në Kosovë. 

“Gjithashtu, është paraparë të ketë dhe diskutime pas shfaqjes së filmave me të njëjtën tematikë. Njëherazi, do të ketë ekspozitë artistike, natë poetike, video instalacion dhe punëtori për fëmijë. Krahas këtyre, në bashkëpunim me Profesionistët e Rinj të Ujit në Kosovë, do të organizohet edhe një ecje përgjatë lumenjve për të ndërtuar një narrativë dhe hartëzim të lumenjve të Mitrovicës, me të gjitha sfidat dhe potencialet që kanë”, ka thënë ai. E natyrshme, festivali është festë dhe “çdo natë programi parasheh përmbylljen me net muzikore”. 

“Green Fest” kur ka zbërthyer temën, ftesën dhe thirrjen i ka të prera: të gjithë qytetarët, organizatat dhe institucionet të bashkohen në këtë iniciativë për të mbrojtur lumenjtë. 

“Le të bashkohemi për të bërë ndryshim dhe për të thënë me krenari: ’Lum Na’”, shkruhet në komunikatë. 

Është po ajo që e thotë vetë Hoti “për ta bërë Mitrovicën qytet të gjelbër dhe të jetueshëm për të gjithë”. 

Lulzim Hoti është aktivist i njohur jo vetëm në qytetin e tij. “7Arte” ka vite që vepron nëpërmjet artit dhe jo vetëm. Ka definicion unik për qasjen ndaj kulturës. Atë e sheh si veprim. 

“Organizata ‘7Arte’ është organizatë kulturore dhe ne besojmë se çështja mjedisore fillimisht është çështje kulturore, që ka të bëjë me mënyrën se si ne sillemi me mjedisin që na rrethon. Ne besojmë në fuqinë e artit dhe besojmë se përmes shprehjeve të duhura artistike mund të prekim më lehtë zemrat dhe mendjet e njerëzve, gjë të cilën nuk mund ta arrijnë statistikat shkencore apo faktet nëse mund t’i quajmë të thata”, ka thënë Hoti. Ka shtuar se shfaqjet artistike dhe ekspozitat mund të nxisin diskutime të cilat çojnë në reflektim dhe veprime qoftë edhe të mëvonshme. 

“Mbi të gjitha, arti ka aftësinë unike për të bashkuar njerëzit dhe për të krijuar një ndjenjë të përbashkët përgjegjësie ndaj mjedisit dhe shoqërisë”, ka thënë ai. 

E, “Green Festi” synon pikërisht këtë: t’i bëjë bashkë njerëzit për “Lum Na”.