Kulturë

Gratë triumfojnë në ceremoninë e çmimeve “Tony”

Tony Awards

Në këtë edicion të ceremonisë gjithashtu u shënua histori, teksa çmimet kryesore për regji dhe skenar shkuan për gratë që janë pjesë e industrisë së “Broadwayt”. Shfaqja më e mirë , “Stereophonic”, shfaqja më e nominuar në historinë e shpërblimeve “Tony”, fokusohet në emocionet dhe rrezikun e bashkëpunimit në art si dhe prek temat e kompromisit, egos dhe momenteve të lumtura. Ajo është shkruar nga David Adjmi, dhe përfshin këngë të ish-anëtarit të grupit “Arcade Fire”, Will Butler

Foto: Associated Press

“Stereophonic”, shfaqja e cila flet për një bend që e incizon një album muzikor gjatë një viti të turbullt dhe që ua ndryshon jetën përgjithmonë, gëzoi suksese të mëdha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Tony” të dielën, duke fituar Çmimin: shfaqja më e mirë. Në këtë edicion të ceremonisë gjithashtu u shënua histori, teksa çmimet kryesore për regji dhe skenar shkuan për gratë që janë pjesë e industrisë së “Broadwayt”.

“Stereophonic”, shfaqja më e nominuar në historinë e shpërblimeve “Tony”, fokusohet në emocionet dhe rrezikun e bashkëpunimit në art si dhe prek temat e kompromisit, egos dhe momenteve të lumtura. Ajo është shkruar nga David Adjmi, dhe përfshin këngë të ish-anëtarit të grupit “Arcade Fire”, Will Butler.

Danya Taymor, mbesa e Julie Taymor, gruas së parë që fitoi çmim “Tony” për regjinë e një shfaqjeje muzikore, u bë gruaja e 11-të që shpërblehet me po këtë çmim. Ajo e ka bërë regjinë e “The Outsiders”, një shfaqje muzikore e adaptuar nga romani klasik me të njëjtin titull.

“Për të gjithë artistët e rinj që duan të krijojnë ju them që, ajo që të tjerët mund ta perceptojnë si dobësi te ju, mund të pikërisht jetë superfuqia juaj”, ka thënë Taymor gjatë fjalimit të saj në skenë. “Mos kini frikë t’i besoni intuitës suaj. Rreziqet artistike sjellin gjithmonë shpërblime”.

Dy të ftuar specialë e elektrizuan turmën në ngjarjen që zuri vend në qendrën “Lincoln” në New York. Ata ishin, Jay-Z dhe Hillary Rodham Clinton.

Në performancën e parë të mbrëmjes, Alicia Keys u shfaq në skenë në piano, teksa ekipi i mjuzikllit të saj gjysmëbiografik, “Hell’s Kitchen”, i prezantoi disa këngë. Ajo filloi me interpretimin e hitit të saj dhe reperit Jay-Z të lansuar në vitin 2009, “Empire State of Mund”.

Pak minuta më vonë, Hillary Clinton, e cila shërben si producente e shfaqjes “Suffs”, u shfaq në skenë për ta prezantuar projektin.

Prezantuesja e ceremonisë, aktorja Ariana DeBose, e filloi ngjarjen e transmetuar drejtpërdrejt me një pikë muzikore origjinale dhe mjaft akrobatike. Mbrëmja vazhdoi me shpalljen e fituesve, në mesin e të cilëve edhe aktori Jeremy Strong, i cili e rrëmbeu çmimin e parë të madh të mbrëmjes, atë “Aktori më i mirë në shfaqje”, për punën e mrekullueshme në shfaqjen politike, “An Enemy of the People”. Gjatë karrierës ai gjithashtu ka fituar çmim “Emmy”, “SAG” dhe Globi i Artë”.

“Kjo shfaqje është një thirrje nga zemra dhe përpjekja e radhës për t’u përballur me të vërtetat e vështira që po na rëndojnë. Ka qenë një privilegj që përmes shfaqjes ta paralajmëronim publikun, por edhe t’u jepnim atyre shpresë. Për fund, mami dhe babi faleminderit që më lejuat të imagjinoj”, ka deklaruar aktori me ta pranuar çmimin.

Ylli i filmave “Harry Potter”, Daniel Radcliffe e vulosi karrierën e tij si aktor i skenës duke e fituar çmimin, “Aktori më i mirë në rol dytësor”, për performancën në projektin teatral “Merrily We Roll Along”. Ky ishte roli i tij i pestë në një shfaqje të “Broadwayt”.

Aktorja më e mirë në rol dytësor u shpall Kara Young, derisa Sarah Paulson u nderua me çmimin Aktorja më e mirë në shfaqje.

Në kategoritë “Aktori dhe aktorja më e mirë në mjuzikëll” sivjet triumfuan, Maleah Joi Moon dhe Jonathan Groff.

“U zhvendosa këtu në New York saktësisht para 20 vjetëve dhe fillova të punoj si kamerier. Po ashtu u bëra vullnetar në organizatën joqeveritare ‘Broadway Cares/Equity Fights AIDS’ dhe gjithçka që doja ishte të jem pjesë e këtij komuniteti. E falënderoj ekipin e shfaqjes ‘Spring Awakening’, të cilët jo vetëm që e kanë bërë ëndrrën time realitet, por gjithashtu më kanë inspiruar të deklarohesha rreth seksualitetit tim kur isha vetëm 23-vjeçar. Tani jam 39 vjeç, dhe shfaqjet muzikore vazhdojnë ta shërojnë shpirtin tim”, tha Groff para të pranishmëve.
Ylli amerikan i muzikës, Nicole Scherzinger, e cila i fitoi disa çmime në ceremoninë “Olivier Awards” për rolin e saj në shfaqjen “Sunset Boulevard”, solli performancë të fuqishme në segmentin ‘in-memoriam’ kushtuar yjeve të Broadwayt që kanë vdekur. Në mesin e atyre që u kujtuan ishin, Sir Michael Gambon, Glenda Jackson, Bill Kenwright, Louis Gossett Jr dhe Ron Cephas Jones.

Gjatë mbrëmjes po ashtu u nderua aktorja e njohur hollywoodiane, Angelina Jolie, e cila e rrëmbeu çmimin e parë “Tony”, falë vajzës së saj të vogël, Vivienne, e cila e kishte frymëzuar për ta prodhuar shfaqjen, “The Outsiders: A New Musical”. Ky projekt rrëmbeu gjithsej katër çmime, duke përfshirë edhe kategorinë “Mjuziklli më i mirë”.