Portretet shumëngjyrëshe që zënë shkronjat nga ana e përparme e NEWBORN-it janë gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa janë lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave. “Winged Women” (Gratë me krahë) është tema për këtë vit dhe kuptimi i shtrihet në dualizëm. Për çdo vit, prej 2015-s, monumenti që feston ditëlindjen e 14-të bashkë me shtetin e që u bë imazh nëpër botë prej ditëlindjes së tij përcjell mesazhe
Pa sy, buzë në formë zemre dhe kokë shumëngjyrëshe – janë imazhet të cilat kanë pushtuar monumentin e Pavarësisë së Kosovës këtë vit. Njëlloj si vitet e shkuara, edhe sivjet NEWBORN-i është transformuar për të shënuar edhe një ditëlindje dhe për të përçuar mesazhin e vitit. Në 14-vjetor ka gruan në fokus. Apo më saktë, i dedikohet asaj dhe për këtë ka disa arsye.
Kjo faktikisht nuk është hera e parë që gruaja është në qendër të monumentit, mirëpo këtë herë, dualizmi që zakonisht karakterizon temën e NEWBORN-it është paraqitur në një formë tjetër. Portretet shumëngjyrëshe që zënë shkronjat nga ana e përparme janë gratë e suksesshme që ia zbardhin fytyrën këtij vendi. Nga prapa, janë lënë të zeza si një lloj homazhi për viktimat a thirrje kundër dhunës ndaj grave.
Të mërkurën në mesditë po punohej vrullshëm që monumenti që lindi bashkë me shtetin, më 17 shkurt të 2008-s, në ditëlindjen e 14-të të jetë gati me pamjen e re.
Autori i monumentit, Fisnik Ismaili, bashkë me grupin e tij ishin në dyshim mes dy temave të ndjeshme, të cilat ishin relevante gjatë vitit 2021, asaj të COVID-it dhe të grave. Mirëpo me gjithë suksesin që femrat e Kosovës kanë treguar vitin që shkoi, e njëherësh edhe dhunës dhe vrasjeve që fatkeqësisht ishin në numër po ashtu të madh, ata vendosën që të vendosnin çështjen e gruas në qendër të vëmendjes.
“Tema e grave, që gjithmonë është temë e ndjeshme, tash po përputhet mirë; fituam medaljen e artë në Olimpiadë, gati shkuam në ‘Oscar’ me film, skiatorja e parë mori pjesë, çikat atje në Angli po shkojnë po fitojnë ‘Grammys’, edhe disi krejt këto gra kanë marrë krahë. Në anën tjetër të monumentit është krejt zi, aty është ana e errët e shoqërisë sonë, ku gruaja hala abuzohet, hala po vritet”, ka thënë Ismaili, të mërkurën. Vetë ai nuk është përfshirë fort në punën konkrete të ngjyrosjes së monumentit. Ia ka lënë këtë punë partneres së tij, Nita Qena, po ashtu disenjatore me profesion, e cila ka pasur jo pak punë bashkë me vullnetarët.

Siç e shpjegon Ismaili, del se tema që do ta mbajë NEWBORN-i për një vit ka kuptime të shumëfishta.
“Nëpërmjet monumentit po duam t’i vetëdijesojmë e t’u themi: Që shikoni, këto gra që po kanë sukses, nuk e kanë bërë se na si shoqni u kemi dhënë krahë, edhe duhet me u dhënë krahë edhe grave që keqtrajtohen, edhe grave që dalin në punë prej 09-05, gratë që rrisin fëmijë, i rrinë gati familjes, edhe ato janë heroina, edhe ato duhet me përkrah, ky qe mesazhi”, ka thënë Ismaili.
Në shikim të parë duket punë e thjeshtë ngjyrosja e monumentit. Por prapa secilit transformim qëndron një alamet ekipi, kryesisht vullnetarë, e një punë e përpiktë që bazohet në planifikime e skica të sakta.
Nita Qena edhe sivjet është motori i punës. E përsërit se NEWBORN-i është simbol i rritjes së shtetit të Kosovës dhe problemeve me të cilat ai përballet, e për këtë vit tema e cila më së mirë përfshinte këto dy elemente ishte ajo e gruas.
“Tema sivjet u dedikohet grave – punës së grave pasi që ato më së shumti vitin e kaluar kanë paraqitur Kosovën, dhe jo veçqë e kanë bërë Kosovën të njihej nëpër botë, e kemi dëgju ma shumë për të vitin e kaluar, e na kanë bërë krenarë. Por tash kur erdhi puna me i paraqitë dhe me fol për pozitën e gruas në shoqëri, nuk mundesh me i paraqitë vetëm sukseset”, ka thënë Qena për KOHËN, midis një pauze të shkurtër nga puna. Ka thënë se fatkeqësisht ka ende shumë probleme sa i përket pozitës së gruas në shoqëri.

“Kështu vendosëm me ia dhanë dy fytyra NEWBORN-it – kjo përpara tregon suksesin dhe ngjyrat që gratë i japin jetë shoqërisë, në anën tjetër është zi, gjë që tregon pozitën e gruas në shoqëri, që domethënë ende është e errët, ende i duhet kohë mu ndriçu, sepse ende kanë dhunë”, ka thënë Qena.
Veçuar nga gjashtë shkronjat e tjera të monumentit, mbuluar në ngjyrë të zezë dhe e pikturuar me krahë që ngjasojnë me ato të një engjëlli, shkronja W shpreh të njëjtin dualizëm. Ajo qëndron si W për Wing (krahë) dhe Woman (grua). Krahët në të, po ashtu kanë rol të dyfishtë.
“Krahët përpara janë për ato gra që vitin e kaluar morën krahë, ndërsa krahët në anën tjetër janë për t’u dhënë krahë grave dhe për ato gra të cilat kanë humbur jetën nga dhuna”, ka thënë Qena.
“Gratë me krahë” me qëllim nuk përdor asnjë identifikues për të dalluar një grua kundrejt tjetrës, sepse siç shprehen edhe krijuesit e tij, të gjitha gratë janë heroina dhe duhet bërë një përpjekje më e madhe për përfshirjen, mbrojtjen, shtyrjen dhe përkrahjen e tyre në shoqëri.

Procesi i punës, ngjashëm me vitet e tjera, edhe këtë vit ka filluar pak para datës së pavarësisë.
“Zakonisht e lëmë për moment të fundit, se krejt e bëjmë në baza vullnetare, edhe duhet me burime vetjake, për atë vetëm kur e shohim se është afruar data, 10-12 ditë para pavarësisë, na kujtohet m’u çu peshë. Idetë na sillen gjatë tanë vitit, por mandej përcaktohen çfarë temash, qysh kena me realizu, e vizatojmë, e bëjmë gati, e çojmë në institute për miratim, e në ndërkohë shohim çfarë ngjyrash me i dhanë. ‘Deutch Color” na përkrah çdo vit me ngjyra dhe me skele, edhe kur vjen, i thërrasim dhe ata pastaj e dinë”, ka thënë autori i veprës, e cila që prej vitit 2015 u shpall monument dhe ndërhyrja në të bëhet me leje të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ismaili ka dhënë edhe detaje të tjera nga “prapaskena”.
“Është njëfarë procesi, pak i lodhshëm, por jena gëzuar që na ka mbajtë moti sivjet, se vjet jena mërdhi”, ka thënë Ismaili. Deri në -7 gradë celsius kishin shkuar temperaturat vitin e kaluar, kur NEWBORN-i nisi të marrë ngjyrat e ushtrisë nga vetë qytetarët që lanë me bojë shenjat e dorës në shkronjat e monumentit. Tema qe si kundërshtim i imazhit negativ të UÇK-së në skenën ndërkombëtare.

Për motin jo pak të lumtur ishin edhe vullnetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë. Disa prej tyre kanë thënë se kjo punë është krijuar në diçka thuajse të zakonshme për çdo vit, mirëpo ata shprehen të lumtur për faktin se këtë vit moti i ngrohtë ua ka bërë edhe punën e tyre më të lehtë.
Pavarësisht temës, ata thonë se janë gjithmonë të përkushtuar më shumë ndaj aspektit teknik, duke iu kushtuar rëndësi detajeve, me qëllim që rezultati në fund të duket sa më bukur.
E sa u përket qytetarëve, shumë prej tyre veçse janë mësuar me transformimet e monumentit për çdo pavarësi. Kalimtarë të rastit të cilët po vëzhgonin punën e vullnetarëve, edhe pa e ditur temën e sivjetshme, u shprehën të kënaqur me imazhet e reja që stolisnin shkronjat. Ngjyrat, vizatimet, dhe tema e këtij viti për ta është diçka e mirë, sepse sipas tyre në Kosovë ka nevojë për një përfaqësim të tillë pasi gratë nuk po gjejnë përkrahje të mjaftueshme.
Katër herë u është mundësuar qytetarëve që të lënë shenjat e tyre konform dizajnit të menduar. Për herë të parë u ishte lejuar në vitin 2008, më 17 shkurt, kur u bë inaugurimi i obeliskut, që menjëherë ishte shndërruar në brend të shtetit të ri. Edhe në shkurt të vitit 2015, Fisnik Ismaili i kishte ftuar qytetarët që ta ngjyrosnin si të donin. Asokohe, ndër të tjera, E-ja u bë e zezë, e këtë autori e kishte lidhur me eksodin, Evropën, ekonominë e EULEX-in. Hera e tretë ishte në vitin 2019, kur ngjyrosja u ishte lënë plotësisht në dorë të rinjve sipas dëshirës së tyre, si dhe vitin e kaluar me shenjat e pëllëmbëve që ia veshën uniformën ushtarake.
Më 2020 qe homazh për viktimat e përdhunimeve kur të shtatë shkronjat e monumentit të Pavarësisë – NEWBORN – sublimonin mesazhin në formë thirrjeje “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime dhe shpërfillje” (në anglisht “Never Ending Wars Bring Opression, Rape & Neglect”).
Në 10-vjetorin e Pavarësisë, monumentit në vend të shkronjës “B” i ishte vënë numri “1”, që bashkë me shkronjën “O” formonin numrin 10, që lidhej me dekadën e parë të Pavarësisë. Ngjyrosja më 2017-n ia kishte dhënë pamjen e një muri, dhe rrëzimi i dy shkronjave krijonte thirrjen “No Walls” (Pa mure). Për katër vjet NEWBORN-i kishte pamjen fillestare me shkronja të verdha. Më 2013-n, në pesëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për herë të parë ndërroi pamjen kur do të ngjyrosej me flamuj të shteteve që deri atëherë e kishin njohur shtetin. Më 2014-n u “vesh” me uniformë ushtarake e në vitin 2016, telat me gjemba i jepnin pamje të vrazhdë qiellit të kaltër.
“NEWBORN-i nuk është i imi apo i Fisit, ai është i Kosovës”, ka thënë Nita Qena dhe “Winged Women” – këtë vit me sa duket do të jetë i grave të Kosovës në veçanti.
