Në shikim të parë ekspozita e Elmedina Arapit dhe Sibel Sumuç, që nëpërmjet aparatit fotografik portretizojnë në dipktik tetë gra të suksesshme, duket krejt e thjeshtë, por para secilës fotografi është një biografi, një rrëfim. Krejt bashkë ndërtojnë tregimin që në esencë s’ka thirrjen për t’i njohur vetëm personazhet, por kontributin e grave në përgjithësi
Fotografitë e tetë grave të suksesshme janë shpalosur në galerinë e improvizuar brenda shtëpisë së “Shani Efendiut” në qendër të Prizrenit. Ekspozita prezanton imazhet e grave që kanë lënë gjurmë në shoqëri me veprimtarinë e tyre, duke filluar nga politika e deri te sporti, përkatësisht ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e deri te kampionia në automobilizëm, Blerta Bytyqi. Ato janë realizuar nga fotografet prizrenase, Elmedina Arapi dhe Sibel Sumuç, të cilat kësisoj kanë realizuar ekspozitën e parë të përbashkët të titulluar “Gratë e suksesshme”.
Dy artistet kanë filluar punën në këtë projekt me idenë që dita e grave shënohet më 8 mars dhe për këtë janë përcaktuar për të përzgjedhur 8 gra të suksesshme, por që gjatë angazhimit në terren kanë vërejtur se numri i tyre është shumëfish më i madh.
“Si dy fotografe ndoshta kishim pasur qejf edhe ne që të lansohemi diku si gra të suksesshme. Me këtë ide nisëm me gjetë kush janë tek, disa gra që edhe i njohim, edhe që plot dolën që nuk i kemi njohur më herët. Kështu lindi ideja”, ka thënë fotografja Elmedina Arapi. Sipas saj, hulumtimi është realizuar në komunikim me persona të ndryshëm, që kanë ndihmuar identifikimin e grave të suksesshme në lëmenj të ndryshëm. Sipas saj, ky angazhim ka lindur si nevojë për të vënë në pah sukseset e grave në shoqërinë kosovare.
“Ne si gra jemi të suksesshme, jemi pak më të veçanta, por mendoj se duhet pak më shumë me e nxjerrë jashtë, me pranu njerëzit, me i pa njerëzit sukseset e grave”, është shprehur Arapi.
Ndërsa Sibel Sumuç është pajtuar me vlerësimin e bashkëpunëtores se ka shumë gra të suksesshme, dhe se pikërisht për këtë fakt po shqyrtohet mundësia që në të ardhmen të zgjerohet ekspozita me më shumë gra të suksesshme. Në të njëjtën kohë ka theksuar se realizimi i fotografive të prezantuara në këtë ekspozitë nuk ka qenë i vështirë, pasi që të gjitha pjesëmarrëset në këtë projekt kanë qenë bashkëpunuese dhe shumë lehtë e kanë pranuar mundësinë për fotografim.

“Falënderoj krejt gratë që kanë pranuar t’i fotografojmë”, ka deklaruar Sumuç.
Ndërsa njëra prej protagonisteve të kësaj ekspozite, kampionia në automobilizëm, Blerta Bytyqi, ka theksuar se bashkëpunimi me dy fotografet ka qenë i lehtë, porse realizimi i fotografive ka marrë kohë. “Fotografia nuk ka qenë e lehtë derisa e kemi gjetur momentin se si do të jetë, momentin e duhur për shembull me çmimet që kanë qenë. Jam e lumtur në përgjithësi”, ka thënë ajo.
Ndërsa kuvendarja Dafina Alishani u ka bërë thirrje artdashësve që ta vizitojnë ekspozitën dhe ta përkrahin punën e dy fotografeve prizrenase, që, sipas saj, janë shembull i mirë dhe mjaft aktive në mbulimin e jetës kulturore në qytet.
“Përveçqë është synuar fuqizimi i grave përmes këtij projekti është shumë me rëndësi të kihet parasysh që është bërë nga dy artiste të Prizrenit, të cilat janë edhe si një rol-model mundem me quajt në qytet, që janë tepër aktive dhe profesionalisht e kanë zhvilluar veten bashkë me kulturën e Prizrenit dhe me punët apo aktivitetet që janë pjesë e Prizrenit. Kështu që është shumë me rëndësi me i përkrahë këto artiste dhe me rëndësi me i vizitu punët e tyre”, ka thënë Alishani.
Edhe drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka vlerësuar fotografitë e shpalosura në këtë ekspozitë, duke pohuar se gratë e suksesshme janë prezantuar me nga dy imazhe.
“Mendoj se është një shtesë e mirë për jetën ta them kështu të vobektë kulturore sidomos gjatë dimrit. Më pëlqeu mjaft edhe mënyra, edhe forma se qysh i kanë prezantuar gratë e suksesshme, sidomos me dy fotografi, njëra portret klasik dhe njëra prej vendeve të punës. Mendoj se është mjaft mirë dhe mundësi për artistët e rinj me u prezantu, mundësi për artdashësit e Prizrenit që të shohin diçka”, ka thënë Nurkollari.
Ekspozita e fotografive “Gratë e suksesshme” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe do të qëndrojë e hapur deri më 17 shkurt.