Kulturë

“Gratë artiste për komunitet” u japin zë viktimave të trafikimit

Në ndihmë të viktimave të trafikimit dhe ngritja e zërit për kauza të tilla ka bashkuar gratë në gala-koncert, i cili artin e vë në shërbim të aktivizmit. Organizimit i është bashkuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cika ka thënë se nisma e artistëve për të kontribuuar për komunitetin e viktimave të trafikimit vjen në kohën e duhur dhe është tejet e çmuar. “Për aktivitete bamirësie dhe për kauza që e ndihmojnë shoqërinë asnjëherë nuk është vonë. Gjithnjë është momenti i duhur”, ka thënë ajo

Gala-koncerti “Gratë artiste për komunitet” ka ardhur si dëshmi e aktivizmit me art. Presidentja Vjosa Osmani, gazetarja e aktivistja Kristale Rama dhe profesoresha e artistja Besa Luzha, kanë qenë bartëse të këtij organizimi me një kauzë të fuqishme e të qartë: në ndihmë të viktimave të trafikimit.

Nëntë artistet e mbrëmjes kanë dalë njëra pas tjetrës në skenë dhe ngjyrat që kanë përçuar qenë ato të grave që lirinë mundohen ta dhurojnë me forma të buta dhe të këndshme. Skena në “Klan Arena” ka qenë krejt minimale dhe kjo ka mundësuar një lloj raporti intim me publikun. Mbushej plot kur artistet këndonin, luanin në instrumente, a recitonin vargje dedikuar gruas. Mbushej edhe me emocionet e secilit nga të pranishmëve kur kujtoheshin për temën që koncerti trajton. Raste e kujtime, emra njerëzish e në veçanti të grave, sallën e kanë bërë që pos art, të mbante edhe diçka që lidhet me jetën sociale. Mbante dhimbjen e pafundme të atyre që emrin e kanë të rëndë, viktima.

Programi artistik qe i menduar në atë mënyrë që mbrëmjen ta nisë me tinguj të butë e të qetë, për t’u dinamizuar më pas. Nisi me “Tristesse” të Frederic Chopinit e me “Elegie” të Jules Massenetit dhe përfundoi me “Je ve ux vivre” të kompozitorit francez Charles Gounodit. Gjatë performancës u inkuadruan edhe poezi. Aktorja Igballe Qena erdhi me interpretoi “Grua” të Suela Bakos dhe “Anabel Lee” të Edgar Alan Po. “Schon Rosmari” nga Kreisler interpretuar nga pianistja Lejla Pula dhe violinistja Sihana Badivuku-Hoxha kishte edhe një mysafir më shumë. Në skenë interpretoi balerina Vjollca Llugiqi. Performuan edhe vepra shqip. “N’jat zaman t’asaj furie” e Çesk Zadesë e “Agimet shqiptare” nga Avni Mulës sollën në skenë thesarin e muzikës shqipe.

Image
Skena ka qenë krejt minimale dhe kjo ka mundësuar një lloj raporti intim me publikun

Të gjithë ata që qenë të pranishëm, me biletat e blera kontribuuan në ngritjen e fondeve për Qendrën për mbrojtjen e këtyre viktimave.

Koncertit i parapriu fjalimi i presidentes Vjosa Osmani, e cila bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme në këtë aspekt.

“Ky aktivitet i sotëm është në ngritje të vëmendjes të shoqërisë sonë për këtë dukuri të rrezikshme jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe për të gjithë globin. Nisma e artistëve për të kontribuuar për komunitetin e viktimave të trafikimit vjen në kohën e duhur dhe është tejet e çmuar. Për aktivitete bamirësie dhe për kauza që e ndihmojnë shoqërinë asnjëherë nuk është vonë. Gjithnjë është momenti i duhur. Çdo ditë duhet të jetë në funksion të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët tanë pa dallim”, ka thënë presidentja Osmani. Ka shtuar se për arsye si këto, i është bashkuar kësaj ngjarjeje për të kërkuar që të ndihmohen ato që në këto momente nuk mund ta ndihmojnë veten e tyre për shkak se u është rrëmbyer liria.

Në mbrëmjen që shërben për ta rritur vetëdijesimin rreth një teme, presidentja e Kosovës ndau me të pranishmit shifra dhe informacione lidhur me personat e trafikimit. Bëri vazhdimisht thirrje për ta luftuar këtë dukuri.

“Fatkeqësisht edhe Kosova sikurse çdo vend tjetër në botë është prekur shumë nga ky fenomen i tmerrshëm. Miliona vajza e gra, miliona të rinj janë viktima të trafikimit çdo vit. Diku mbi dy të tretat janë vajza të mitura dhe fëmijë. Viktimat e trafikimit janë të pambrojtur”, ka thënë presidentja.

Image
Raste e kujtime, emra njerëzish e në veçanti të grave, sallën e kanë bërë që pos art, të mbante edhe diçka që lidhet me jetën sociale...

Bashkimi i nëntë artisteve e bëri mbrëmjen të larmishme në performancë. Programi ka qenë i pasuruar me vepra të muzikës klasike. Me to edhe u vallëzua, përderisa edhe poezia kishte vendin e vet. Gruaja ka qenë kryefjalë e vargjeve poetike.

“Edhe programi është i tillë që i është përshtatur temës. Në fillim është pak më dhimbshëm, më butësisht, për të ardhur në fund te një ‘gëzuar’. Ky është edhe një mesazh që këto viktima do t’ia dalin, do të tejkalojnë dhimbjen, vështirësitë dhe do të mund të arrijnë deri në fund që edhe të gëzojnë jetën përkundër të gjitha dhimbjeve që i kanë pasur. Kështu që edhe artistikisht, edhe përmes simbolikës, edhe përmes ftesës, përmes bashkimit të forcave të presidentes, Kristales, grave artiste, kemi dashur që këtë mesazh ta përçojmë. Ato nuk janë vetëm dhe po shpresoj se do ta vazhdojmë një traditë të tillë”, ka thënë profesoresha dhe artistja Besa Luzha, njëherësh bashkorganizatore e koncertit.

Image

Organizimit iu bashkua edhe Kristale Rama, bashkëshortja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ndonëse organizon ngjarje të rëndësishme arti çdo vit, marrja pjesë në “Gratë artiste për komunitet” ka thënë se është privilegj, duke veçuar kauzën që ka.

“Jam shumë e nderuar. Besa është duke e bërë këtë për shumë vjet me radhë. Secilën herë ajo bashkon talentet më të mrekullueshme nga e gjithë bota. Ajo dëshmon një platformë të lartë për audiencën. Është e mrekullueshme të kombinosh qëllimet për të mbështetur atë që po mbështesim ne, në këtë mbrëmje, viktimat e trafikimit njerëzor. Shumë nga ta besoj që janë vajza dhe gra nga Kosova. Plotësimi i saj me muzikë dhe shtimi i argëtimit është shumë i mirë. Shpresojmë se do të vazhdojmë në vende të ndryshme gjithandej”, ka thënë Rama.

Për sopranon Ulpiana Aliaj ishte hera e parë e paraqitjes para publikut kosovar. Ndonëse shquhet për çmimet ndërkombëtare të marra për zërin dhe këndimin, kësaj radhe paraqitja ishte e veçantë.

“Ishte një pjesëmarrje me shumë dëshirë, shumë e ndier dhe shumë me zemër, jo vetëm për kauzën që përcillte ky event kaq i rëndësishëm, por mbi të gjitha për të bërë bashkë të gjitha ne zonjat apo femrat të artit të cilat nëpërmjet përçueshmërisë së tingullit tonë duam ta përcjellim atë mesazh: për të mbrojtur, për të qenë më dinjitoze dhe më të pavarura, të lira në fund të gjithçkaje”, ka thënë Aliaj.

Me tinguj të pianos gala-koncertin e pasuroi edhe interpretimi i pianistes Lejla Pula. Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest” solli veprën e përzgjedhur enkas e që përçon mesazh.

“Mendoj se vërtet edhe ne si artiste e kemi parë që duhet të jemi pjesë e eventeve të tilla. Ishte kënaqësi për mua. Ishte vepra të cilën e kam përgatitur enkas për këtë rast, ‘Polonaise Heroic’ nga Chopin. Mendoj se e ka një porosi më vete që mund të flasë përmes tingujve muzikorë”, ka thënë Pula. Ajo potencoi se Kosova ka shumë artistë me vullnet për të performuar dhe e vetmja gjë që u mungon është salla koncertale. Bëri apel që një e tillë të bëhet sa më shpejt.

“Gratë artiste për komunitet” u organizua në kuadër të asociacionit kosovar “Chopin”.