I riu nga Mitrovica është bërë pjesë e produksionit të katërt të kësaj shtëpie operistike, që është një ndër më të njohurat në botë, me një traditë e histori mbi tridekadëshe. Posa ka debutuar në operën e kompozitorit gjerman Richard Strauss. Përvoja që po merr del të jetë mbresëlënëse dhe rrugë e duhur drejt ngritjes profesionale
Tenorit Granit Musliu është duke i shkuar mbarë në operën shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper”. Është bërë pjesë e produksionit të katërt të kësaj shtëpie operistike, që është një ndër më të njohurat në botë, me një traditë e histori mbi tridekadëshe. I riu nga Mitrovica posa ka debutuar në operën “Ariadne auf Naxos” të vitit 1912, nga kompozitori gjerman Richard Strauss, me libreto nga Hugo von Hofmannsthal.
Roli i oficerit e ka vënë përsëri përballë publikut të shtëpisë operistike, në të cilën në role kryesore dalin yje të njohura të botës së muzikës klasike. Musliu ka treguar se personazhi i tij është një oficer i respektuar por edhe që i bën gjërat si dëshiron vetë.
Veprimet e tij, ashtu si të personazheve të tjera bëjnë që shfaqja të shtrihet mes komedisë dhe operës. Pikërisht për përzierjen e këtyre dy elementeve, jo fort të zakonta, është veçuar ndër vite kompozimi i Straussit. Përmes tyre del në pah tema kryesore e veprës: konkurrenca midis artit elitar dhe atij joelitar për të fituar vëmendjen e publikut.
“A është e mundur të performosh komedinë ‘Zerbinetta dhe të dashurit e saj’ dhe operën tragjike ‘Ariadne’ në të njëjtën kohë? Po, kur duhesh me patjetër. Njeriu më i pasur në Vjenë e dëshiron këtë gjë. Ai dëshiron këto kapërcime! Le të përziejmë klasiken dhe popin – dhe gjithçka shkon mbarë”, është përshkrimi që ia bën kësaj shfaqjeje Opera Shtetërore e Bavarisë. Shfaqja është dhënë më 18 dhe 23 janar e do të shfaqet edhe më 26 janar.
Tenori Granit Musliu ka treguar se në bashkëpunim me drejtorin artistik të operës kanë vendosur që edhe Musliu të jetë pjesë e saj.
“Pasi që unë u bëra pjesë e këngëtarëve të rinj dhe në diskutime me drejtorin artistik vendosëm se ky rol përshtatet shumë me zërin tim dhe u dakorduam që unë ta debutoj këtë rol këtu. Opera është një nga veprat me të famshme gjermane të repertorit operistik dhe është mjaft prezente në të gjitha teatrot e Evropës, dhe jo vetëm”, ka treguar Musliu.
Musliu ishte bërë pjesë e operës shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper” në qershor të vitit të kaluar. Që nga shtatori ka kënduar në tri opera të ndryshme: “Die Nase” të kompozitorit rus Dmitri Shostakovich, “La traviata” nga Giuseppe Verdi dhe “Die Vögel” nga kompozitori Walter Braunfels. Kjo e fundit nuk u shfaq për shkak të pandemisë, ani pse ishin mbajtur të gjitha provat e duhura. Musli ka treguar pakëz për emocionet kur performon në këtë shtëpi operistike.
“Në muajin tetor në shfaqjen ‘Die Nase’, të cilën kemi pasur fatin që ta mbajmë me prezencë të publikut, kishte pasur në publik mbi 2 mijë persona dhe jam ndier shumë mirë nga duartrokitjet dhe energjia e publikut dhe nga gëzimi që gjithçka ka shkuar ashtu siç është planifikuar”, ka thënë ai.
Ka treguar se është në përgatitje të rolit Albazar për operën “Il turco in Italia” të kompozitorit Gioachino Rossini.
Tenori 22-vjeçar nga Kosova ka përfunduar studimet në Degën e Këndimit në Universitetin Shtetëror të Muzikës në Hamburg. Ai është bërë pjesë e operës shtetërore të Bavarisë “Bayerische Staatsoper” pas një audicioni të suksesshëm në fillim të vitit të kaluar.
Musliu vijoi studimet në Hamburg, në klasën e baritonit Geert Smits, me të cilin ka punuar edhe rolin e Don Ottavios, në konsultime po ashtu edhe me profesoreshën e tij, Caroline Merz, me të cilën bashkëpunon edhe sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi.
Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1998. Shkollën fillore dhe të mesmen i përfundoi në vendlindje dhe pastaj studioi solokëndim në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Musliu, po ashtu, është anëtar i rregullt i Filharmonisë së Kosovës që nga viti 2016.