“Identitete të përziera” është tema e edicionit të sivjetmë të “GRANFestit”, i cili është hapur në Prishtinë të premten mbrëma, por romani grafik me këtë festival tashmë ka identitetin e vet edhe në shqip. Emra të shquar të këtij zhanri janë bërë bashkë në kryeqytet tek sjellin histori e përvoja të ndryshme. “Harta” e vendeve prej nga vijnë është e gjerë e kultura të llojllojshme. Por te diversiteti, “GRANFesti” gjen pasurinë. Edhe diasporën e kundron kësisoj, përderisa edhe në këtë edicion pasuron koleksionin e romaneve grafike në shqip
Histori të shumta – që janë ndërlidhjet nëpërmjet fjalëve e imazheve – janë bashkuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Janë fragmente nga puna e artistëve të huaj që i përkasin fushës së romanit grafik. Publikun e Prishtinës e kanë arritur nëpërmjet edicionit të tretë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest”. “Identitetet e përziera” është tema që organizatorët e kishin përzgjedhur qysh para nisjes së edicionit të kaluar. Imazhet që u përkasin artistëve të vendeve të ndryshme, sikur lidhin përvojat dhe sfondin krijues të artistëve në një vend. Ruben Pellejero, Duchy Man Valdera, Li-Chin Lin, Barly Baruti, Fumio Obata, Mana Neyestani, Abdel De Bruxellles, Matija Pisacic, Jan Bachman, Adrian Jakupi janë emrat të cilët kanë prezantuar punën në një hapësirë të vetme. Ato u përkasin vendeve si Franca, Spanja, Japonia, Tajvani, Izraeli, Kuba, Irani e Kongoja. “Kemi dashur të kemi këndvështrime të ndryshme prej vendeve të ndryshme”, ka thënë Gani Jakupi, drejtor artistik i “GRANFestit”.
Por, siç e do zakoni, tema shtjellohet në përzgjedhjen e romaneve grafike, të cilat ky festival ia sjell lexuesit shqiptar.
“Një takim me vetveten” nga artisti japonez Fumio Obata është romani i parë që organizatorët e sugjerojnë kur bëhet fjalë për temën që shtjellohet. Duket sikur ky roman i jep të gjitha përgjigjet që ky edicion do t’i nxjerrë. Bëhet fjalë për një vajzë japoneze që tash e një kohë jeton në Londër. Në shfletim të shpejtë kuptohet se bëhet fjalë për një ngjarje që nis në maj të vitit 2010 në Londër. Është historia e një vajzë tek kujton ditët e para në qytetin e huaj, përmbledh të gjithë përvojën e saj, që nuk duket të ketë qenë e lehtë. Është gjithmonë mes vendit që synon t’i realizojë ëndrrat prej disenjatoreje dhe atij që ka lënë prapa. Kthimi pas një kohë në Japoni shpreh jetën që s’ka ndryshuar dhe pritjet e njëjta të babait të saj. Traditat dhe zakonet bëhen edhe më të largëta në çdo lexim faqeje. Por, personazhi kryesor qysh në fillim shpreh ngazëllimin e të qenët pjesë e një jete të larmishme, të përbërë prej shumë kulturash. Për të ardhur këtu nuk e kishte pasur përkrahjen e nënës, por kishte pasur shembullin e nënës të një jete që nuk donte ta ndiqte. Andaj arratisja është shpëtimi nga gjithçka. Ani pse kishte arritur goxha në Londër, s’ishte ndier kurrë si te rrënjët. Sa herë kthehet me hove në vendin e lindjes, për të është sikur kthimi në të kaluarën. Me imazhe e përkthim mjeshtëror nga Gazmend Bërlajolli, ngjarja komunikon natyrshëm me publikun për të cilin “GRANFesti” hap kapitull të ri me botime në shqip të romaneve grafike. Kësisoj, kjo s’është një ngjarje që nis e mbaron për tri ditë, por për çdo edicion e pasuron koleksionin e këtij zhanri në shqip.
Fumio Obata, i cili ka një përvojë të jetesës midis dy vendeve ku shtjellon ngjarjen, ka thënë se ndihet i lumtur që libri i tij është në Prishtinë. Duke e njohur historinë e Kosovës, është i bindur se lexuesi kosovar do ta gjejë veten në të.
“Mendoj që njerëzit me eksperiencë të emigrimit në familjen e tyre e gjejnë një lidhje me këtë. Nga Italia kanë shprehur interesim për këtë roman, veçmas ata që kanë përjetuar diçka të tillë. Mendoj që edhe njerëzit në këtë vend të Evropës do të mund ta gjejnë veten si është ta lësh një kulturë prapa dhe të gjendesh me një të re”, ka thënë autori Obata për KOHËN. Varrimi i babait e kthen personazhin kryesor në Tokio. Përgjegjësitë e reja në këtë ceremoni e bëjnë edhe më të vetëdijshme për ndasitë. Kjo temë e kishte tërhequr goxha vetë organizatorin e festivalit, Gani Jakupi.
“Ai rrëfen temën tonë kryesore se si një japoneze është duke u integruar në Londër dhe e ndien veten mirë aty. Kthimi për varrimin e babait e bën të konfrontohet me civilizimin dhe kulturën japoneze. Ka shumë më shumë dallim ndërmjet asaj çka jetojnë në Londër edhe në Tokio, sesa për shembull e jona me Bazel a Gjenevë, për neve temë interesante”, ka shpjeguar Jakupi për KOHËN. Tutje ka shtuar se ka dashur të sjellë në shqip këtë histori për të dhënë një mesazh në gjetjen e identiteteve të reja dhe për të kuptuar se ky nuk është vetëm një problem i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Me përkthimin e librit ‘Një takim me vetveten’ kemi dashur të tregojmë që nuk e kemi vetëm ne problemin e humbjes së rrënjëve, gërshetimit të identiteteve, se në të vërtetë ne e kemi shpesh frikën e humbjes së identitetit, por ajo nuk është humbje, është pasurim, është gërshetim, kur mbledh më shumë dijeni, nuk e hup atë të përparmen, vetëm plotësohen. Kjo është edhe ideja e punës sonë”, ka theksuar Jakupi.
Festivali i Romanit Grafik këtë herë nuk e ka kapërcyer historinë e personazhit të njohur në botën e romanit grafik Corto Maltese të Hugo Prattit. Ky libër tash është gati ta arrijë lexuesin shqiptar në kuadër të serisë së “Dita e Toroweanit”. Aventura e parë e lundërtarit të njohur u botua në vitin 1967. Dalja e saj në album në gjuhën franceze “La ballade de la mer sale, 1975” e nisi rrugëtimin e famshëm. Shumë specialistë e konsiderojnë si veprën e parë që meriton emërtimin roman grafik. Pas vdekjes së autorit, seria u ndërpre deri më vitin 2015, kur e rifilluan spanjollët Ruben Pellajero e Juan Diaz Canales. Sipas drejtorit artistik të festivalit, ani pse libri nuk flet për diasporën, është i veçantë sepse tregon një personazh që është përherë në udhëtim. Tutje Jakupi ka shpjeguar se ka qenë goxha sfidë për ta marrë të drejtën për ta sjellë në shqip këtë roman.
“Është goxha njëfarë afere që të arrish t’i fitosh të drejtat për ta përkthyer Corto Maltesen. Ka qenë një përpjekje me javë pasi që trashëguesit e krijuesit origjinal të Corto Martezes i filtrojnë. Unë kam kërkuar që të bëhet përkthimi nga frëngjishtja e skenaristi origjinal shkruan në spanjisht. Është dashur të angazhohemi që të intervenojmë që të vijë në shqip”, ka treguar Jakupi.
Karakteristikë e serisë është se flet për personazhe historike reale që shpesh paraqiten edhe në rende të dyta, përveç Rapsutinit që është kusar fiktiv.
Në shqip ka ardhur edhe “Trandafili i Havanës” i dy gjenive të romanit grafik kuban: Duchy Man Valderá dhe Alexander Izquierdo Plasencia. Në këtë libër lexuesve u vjen një rrëfim dashurie në stilin kuban, plot muzikë e gjak, në momentet e fundit të diktatorit Batista. Sguendo është personazhi që vjen në kryeqytetin e Kubës që ta provojë fatin në spektaklet e kafenesë së kushëririt të tij. Aty dashurohet në një prostitutë me emrin Rosa. Një gërshetim i fjalëve, me imazhe të punuara me finesë e përkthim si në origjinal, i karakterizojnë këto romane grafike.
“Ky roman ka një vështrim nostalgjik për Havanën e pararevolucionit. Në të vërtetë ajo nuk e trajton edhe hollë e hollë diasporën, por është prapëseprapë një shikim që e përjetojmë të kaluarën me nostalgji dhe e rikrijojmë atë”, ka thënë shpjeguar Jakupi për KOHËN. Mosha të ndryshme të autorëve paraqiten në ekspozitën me imazhe të ndryshme. Organizatorët kanë dashur të dëshmojnë stile të ndryshme. Adrian Jakupi është njëri prej tyre që ekspozon për herë të parë. Punimet e tij në bardhezi shprehin dinamikën e personazheve që komunikojnë me fjalë dhe imazhe.
“Jam i stresuar që po ekspozoj për herë të parë. Punimet e mia janë në stilin ‘manga’. Bëjnë bashkë aventurën, komedinë dhe fantazinë”, ka thënë ai për KOHËN.
Si një nismë e jashtëzakonshme që po shndërrohet në traditë e ka vlerësuar këtë festival i pari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Ka shtuar se festivale të tilla meritojnë përkrahjen e plotë.
“Kur isha fëmijë, romanet grafike i kishim vetëm në gjuhën kroate dhe serbe dhe ishin vetëm për mosha të vogla me të bëma heronjsh e superheronjsh. Sot kur shkoj në librari shoh se ka mjaft në rafte dhe janë të gjitha në anglisht dhe janë për fëmijë dhe adoleshentë. Romane për të rritur nuk kemi asnjë. Gani Jakupi si mjeshtër i rrallë i këtij arti, qoftë si skenarist dhe ilustrator, është i njohur në mesin e kolegëve të tij ndërkombëtarë jo vetëm në Evropë, por në të gjithë botën”, ka thënë Rama në ceremoninë e hapjes së festivalit që i kushtohet artit të nëntë.
Festivali i romanit grafik “GRANFest” do të vazhdojë edhe të shtunën e të dielën me punëtori të ndryshme, ku do të diskutohen tema që lidhen me tregimin e rrëfimeve nëpërmjet vizatimit. Një prej synimeve kryesore të “GRANFestit” mbetet njoftimi i publiku kosovar me rrjedhat e romanit grafik dhe të arriturat e tij. Por, përveç kësaj, edhe t’i nxisë kosovarët që të krijojnë vetë romanet e tyre grafike. Këtë e dëshmon edhe me programin e këtij viti, pasi punëtoritë i organizon edhe në shkollën fillore “Model” e në atë të mesmen “Sami Frashëri” në Prishtinë, sikurse edhe në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
