Në një botë të trazuar luftërash, romani grafik ngjyros realitete, synon të thyejë paragjykime, të krijojë ura lidhëse. Me këtë mision vjen edhe edicioni i sivjetmë i “GRANFestit” që për temë ka “Pasojat e ëndërrimeve”. Tashmë e ka bërë zakon që të sjellë edhe vepra të reja në shqip, e sivjet janë tri sosh. Shqip flasin edhe vepra e një artisti nga Palestina dhe e tjetrit nga Izraeli, të cilët i lidh besimi në fuqinë e artit
Ëndrrat shpesh qepin narrativat të cilat ndërtojnë copën e quajtur jetë. Ngjashëm veprohet edhe nga një artist kur e merr në dorë ta kapërthejë një roman grafik. Skenë për skenë ndërtohet një histori, e cila nëpërmjet ilustrimeve merr jetë bashkë me rrëfimin e ngërthyer në to.
E pikërisht filozofinë prapa këtij procesi dhe jo vetëm, që prej vitit 2019 po e shpalos për herë të 5-të “GRANFest”, festivali ndërkombëtar i romanit grafik në Kosovë. Hapja zyrtare, të premten mbrëma, është uverturë e treditëshit që ka sjellë në Kosovë emra botërorë të këtij arti.
Gani Jakupi, drejtori artistik i festivalit, do ta niste këtë iniciativë si një jetësim të ëndrrës së tij fëmijërore. Ndërkaq tash, pesë vjet prej themelimit, vazhdon të mbetet ende si ndër festivalet më të shquara të romanit grafik në rajon. Emra si Hermann Huppen, Frank Margerin, Dave McKean, Marcello Quinatanilla apo Fumio Obata prekën Kosovën me veprat e tyre nëpërmjet “GRANFestit”.

Arti midis keqkuptimit dhe thyerjes së paragjykimeve
I njëjti avaz po vazhdon edhe me edicionin e radhës, i hapur pa ceremoni madhore në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Bashkë janë bërë entuziastë e artistë të romaneve grafike tashmë një subkulturë më vete, me një kapitull të dikurshëm edhe në Kosovë, të rikthyer fuqishëm falë “GRANFestit”, i cili ia ka vënë vetes mision edhe botimin në shqip të romaneve grafike.
Pasioni i zjarrtë dhe dashuria për të rrëfyer nëpërmjet ilustrimeve i bën bashkë shumë të rinj, por jo vetëm. Ekspozita e artistëve ndërkombëtarë, e hapur në të parën ditë të Festivalit, është njëra prej ngjarjeve që i prin serisë së aktiviteteve.
Krejt edicioni zhvillohet nën temën bosht “Pasojat e ëndërrimeve”. Në këtë frymë vijnë dhe tre libra të botuar në shqip nga autorë ndërkombëtarë siç ndodh tradicionalisht tashmë.
Duke i qëndruar besnik temës së sivjetme Clément Baloup, sjell romanin e tij grafik të titulluar “Ikja nga Saigoni” i cili trajton komunizmin në Vietnam. Romani tjetër grafik që tash flet edhe në shqip është ai i Michel Kichkas, karikaturistit nga Izraeli, “Falafeli me salcë djegës”. Në “triptikun” që plotëson bibliotekën e romaneve grafike në shqip është edhe “Palestina” i Mohammad Saba’aneh i cili trajton realitetin e jetëve të popullit palestinez.

Por, krahas tre autorëve të cilët vijnë këtë radhë me librat e tyre, në ekspozitën hapëse, marrin pjesë dhe autorë të tjerë ndërkombëtarë si Alexandar Sotirovski nga Maqedonia, Bernardo Majer nga Portugalia, dhe Margaux Dupont dhe Jean-Luc Cornette nga Belgjika, të cilët u paraqitën me pjesë nga punët e tyre në roman grafik.
Ekspozita shërben edhe si pikëtakim për tri ditët e festivalit, pasi që aktivitetet nuk do të ndalen për entuziastët e romaneve grafike.
Drejtoresha organizative e festivalit, Ensara Haliti, ka thënë se edhe qëllimi i Festivalit në këtë edicion merr përmasa të tjera, zgjerohet përtej gjeneratave.
“Këtë vit kemi një numër të madh të punëtorive duke filluar nga shkollat fillore në Pejë, pastaj në shkollat e mesme në Mitrovicë si dhe në universitetet private edhe publike në Kosovë. Mirëpo, këtë vit pjesë e edicionit është edhe një masterklasë me profesorë të artit, pasi që qëllimi këtë vit është jo vetëm edukimi i gjeneratave të reja, por edhe i trupit docent, personave profesionistë të kësaj fushe në Kosovë”, ka thënë ajo.
Masterklasa udhëhiqet nga autori suedez, Fredrik Strömberg, i cili është kryeredaktor i revistës së dytë më të madhe dhe më të vjetër të romanit grafik në botë “Bild&Bubbla”, si dhe themelues i “Scandinavian Journal for Comic Art(SJoCA)”.
Sipas Strömberg, kuptimi i romaneve grafike vjen dhe me shumë keqkuptime, e ai synon që nëpërmjet masterklasit të shtrojë diskutimin pikërisht duke u nisur nga perceptimi i romaneve grafike nëpër botë.
Është hera e parë që ai vjen në Kosovë dhe di pak për këtë vend.
“Më pëlqen shumë të shkoj në Festivale në vende të reja dhe të mësoj kultura të reja, sepse romani grafik është një formë arti shumë ekspresive dhe të tregon shumë për vendin, për detajet, kulturën. Andaj mezi po pres ta ndjek Festivalin dhe të mësoj gjëra të reja për Kosovën”, është shprehur ai në një prononcim për KOHË-n.

Autori i “Palestinës” përballë propagandës izraelite
Një shembull i thyerjes së paragjykimeve është edhe “Palestina” i Mohammad Saba’aneh. Ai e potencon fuqishëm rolin e një romani grafik karshi edukimit dhe rezistencës nëpërmjet artit. Duke ndërtuar një tregim vizual, ai synon të ngrejë vetëdijen e audiencës në raport me realitetin e jetës së popullit palestinez. Boshti i narrativit qëndron te kolonializmi si çështje e thellë dhe shpesh e anashkaluar e cila minon realitetin në diskursin politik global. Me romanin e tij grafik, ai me ironi dhe satirë ekspozon padrejtësitë dhe i flakë ato në ndërgjegjen e lexuesit.
“Tendenca për të dehumanizuar popullin palestinez, duke tentuar t’i prezantojnë si njerëz pa kulturë, pa intelektualë, pa artistë, duke qenë edhe vetë artist, muzikant apo çkado, ne arrijmë të demantojmë propagandën izraelite dhe kështu mendoj që nëpërmjet këtij arti vizual, ne mund të demantojmë gjëra të thëna që nuk janë të vërteta”, ka thënë Saba'aneh për KOHË-n.
Para se të vinte në Kosovë, ai kishte hulumtuar për ta njohur vendin se ku po shkonte. Befasi për të është “heshtja” e popullit kosovar karshi luftës në Palestinë.
“Është hera ime e parë në Kosovë, kam hulumtuar para se të vija rreth marrëdhënieve të dy vendeve tona, dhe kam kuptuar se njerëzit këtu bashkë ndjejnë me popullin palestinez por nuk bëjnë asgjë konkrete. Nuk dinë shumë, kanë nevojë për aktivitete të tilla nga ne si palestinezë. Njerëzit këtu kanë pasur fat të ngjashëm me Serbinë, rrëfimin e njëjtë dhe tani këtu mund ta ndani atë duke kuptuar edhe rastin e Palestinës”, ka shtuar ai.

Rrëfimi autobiografik nga Izraeli dhe urat lidhëse
Michel Kichka karikaturisti dhe ilustratori me origjinë belge, nëpërmjet romanit të tij grafik, për audiencën e Kosovës ndan fragmente nga jeta e tij e nuancuar nga zhvillimet e vazhdueshme politike që nisin nga vendosja e tij në Izrael më 1974. “Falafeli me salcë djegës” që ishte botuar në frëngjisht në vitin 2018, u realizua përgjatë tre vjetëve nga autori, duke e shkruar tregimin për dy vjet, ndërkaq vizatimi i kishte zgjatur një vit.
Rëndësinë e romanit grafik si shprehje artistike ai e sheh më të zhvilluar në këtë shekull. Edhe demografia e lexueseve të këtij zhanri sipas tij, ka ndryshuar.
“Romani grafik është zhvilluar shumë në shekullin XXI, ka qenë i dedikuar për lexuesit më të rinj dhe adoleshentët, por të rriturit kanë filluar të interesohen më shumë për të dhe ky zhvillim ka ndodhur natyrshëm. Dhe sot për shkak të globalizmit ti mund të tregosh tregime nga këndvështrimi personal siç janë konfliktet apo problemet botërore dhe i ndan ato dhe kushdo nga bota mund t’i shohë. Pastaj është edhe anglishtja e cila mundëson që shumë njerëz ta lexojnë veprën tënde. Ju mund ta ushqeni veten dhe nga veprat e të tjerëve. Dikur duhej të udhëtoje ndërkaq sot ulesh në kompjuter dhe e kupton se je pjesë e një lëvizjeve botërore”, ka thënë Kichka, i njohur si karikaturisti më me nam në Izrael.
Romanet grafike janë pasioni i tij, nëpërmjet tyre ai shfaq copëza nga jeta e tij. Ndërkaq artin e sheh si levë për të arritur synime kolektive për kohë më të mira.
“E dua këtë profesion me pasion. Unë jetoj në Izrael dhe tregimet që i rrëfej janë autobiografike, njerëzit mund ta shohin jetesën nga dikush që jeton atje. Unë nuk jam zyrtar, nuk jam ambasador, por mendoj që arti është ambasadori më i mirë dhe urë mes njerëzve që çon në një botë më të mirë”, ka shtuar ai, duke thënë se këtë e sheh si fat dhe privilegj.
Ndryshe, këta tre tituj të përkthyer dhe të përgatitur në shqip nga Gazmend Bërlajolli, të interesuarit mund t’i gjejnë në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet. Të shtunën autorët kanë qenë aty për të nënshkruar librat e tyre e për t’u takuar me lexuesit. E nëpërmjet këtyre romaneve grafike dhe të tjerëve, njihen botë e realitete të reja, ose kundrohen “Pasojat e ëndërrimeve” siç është tema e “GRANFestit” në kapitullin e pestë.
Hapja e dyerve në Francë dhe një roman shqip në Brazil
“GRANFesti” i sivjetmë vjen dhe me dy lajme për talentet e reja. Dy marrëveshjet me dy festivalet më të mëdha të romanit grafik në Francë, “Angoulême” dhe “bd BOUM” do t’i hapin rrugë krijimit të dy rezidencave artistike, ku artistë nga Kosova mund të shkojnë në folenë e artistëve të romanit grafik në Francë e të zhvillojnë talentin dhe potencialin e tyre.
Lajmi tjetër vjen nga Amerika Latine. Biblioteka Kombëtare e Brazilit, pas një konkursi ka vendosur që të financojë botimin në shqip të librit me titullin “Lovistori” me autor brazilian, Lobo. Ky zhvillim sipas organizatorëve, shënon dhe bashkëpunimin e parë kulturor midis dy vendeve.