Kulturë

“Grand Art Studios” në transformim hapësire me rrëfime artistike

Vepra e artistit Endrit Jashanica “Untitled prototype” bazohet në manipulimin e realitetit me teknologjinë

Vepra e artistit Endrit Jashanica “Untitled prototype” bazohet në manipulimin e realitetit me teknologjinë

eprat e artistëve Trina Hashani, Shkamb Jaka dhe Endrit Jashanica janë krejt të ndryshme në koncept. Transformimi mund të jetë një emërues i përbashkët. Por në kontekstin e hapësirës ku zënë vend merr edhe më shumë kuptim. Një pjesë e katit të gjashtë të hotelit “Grand” në Prishtinë është transformuar në hapësirë artistike me “Grand Art Studios” të fondacionit “Hajde!”

Rezultati i rezidencës dymujore artistike ka qenë produkti i parë i “Grand Art Studios”. Tre artistë kanë ekspozuar veprat e zhvilluara në hapësirën për prezantime, ekspozita e punëtori që e menaxhon fondacioni “Hajde!”. Veprat e artistëve Trina Hashani, Shkamb Jaka dhe Endrit Jashanica trajtojnë rrëfime krejt të ndryshme, në hapësirën që ka një qëllim: lidh artistët dhe vizitorët për ta frymëzuar njëri-tjetrin.

Një pjesë e katit të gjashtë të hotelit “Grand” në Prishtinë është transformuar në hapësirë artistike. Aty janë tri studio artistike që mund të përdoren nga artistët. Përbëhet edhe nga një pjesë me zyrat e ekipit, një hapësirë për biseda, prezantime e ekspozita si dhe një për punëtori.

Vepra e artistit Endrit Jashanica “Untitled prototype” bazohet në manipulimin e realitetit me teknologjinë. Aty janë kufijtë midis reales dhe virtuales ku publiku mundet lirisht ta demonstrojë atë. Një kamerë transmeton imazhe dhe i shfaq ato në kohë reale në një ekran. Në tavolinë qëndron edhe një kapelë e kuqe. Sapo ajo shfaqet në ekran, subjekti që e bart atë zhduket.

“Mos Prek” e Trina Hashanit shfaq lloje të ndryshme të medieve si skulpturë e instalacion. Ajo sjell një qasje që pasqyron kuptimin e hapësirës dhe kujtesës, përmes atyre që i quan fragmente të kujtimeve, gjurmon në mënyrat se si hapësirat transformohen me kalimin e kohës. Por në anën tjetër edhe se si kujtimet gdhenden dhe ruhen në peizazhet e kujtimeve. Ajo i ka ilustruar ato në njërën prej studiove në katin e gjashtë të hotelit “Grand”, në “Grand Art Studios”.  

“Mos Prek” e Trina Hashanit shfaq lloje të ndryshme të medieve si skulpturë e instalacion. Ajo sjell një qasje që pasqyron kuptimin  e hapësirës dhe kujtesës

Aty ka imazhe të ndërtesave të Prishtinës, shënime, tjegulla me myshqe, xhama të thyer e copa betoni.

“Shumica e punës sime ka të bëjë me ndryshimin e ndërtesave me kohën, kështu që për mua kishte të bënte me mënyrën se si jam rritur midis dy vendeve të ndryshme: në Londër dhe në Kosovë. Duke e ditur se gjërat ndryshojnë shpejt, kujtimet që krijojmë dalëngadalë zhduken. Unë kam përdorur këtë hapësirë për gjërat që ndryshojnë shpejt dhe për të rikthyer kujtimet”, ka thënë artistja Trina Hashani.

Ajo, me artin e saj, jeton në dy botë të ndryshme dhe mban gjallë kujtime e imazhe.

“Kjo vepër ka të bëjë më shumë me fragmente të gjërave që kanë ndryshuar. Është si një ballkon ku flasim biseda të thella me familjen, miqtë, dhe tani që është shkatërruar është vetëm një fragment. Shumë prej gjërave që kam vendosur, ndërlidhen dhe janë pjesë e shtëpisë ku kam jetuar”, është shprehur ajo, duke thënë se jetesa në dy vende të ndryshme bën që gjërat të ndryshojnë shumë shpejt. Ajo evokon kujtime me veprat e saj.

“Doja të reprezentoja një botë ku duam të kemi më shumë karakter dhe identitet, sepse si dikush si unë që jeton midis dy lloje njerëzish dhe vendesh dhe kujtimet më humbin”, ka thënë Hashani.

“My house used to be here”, “The landlord special”, “Whispers we shared” dhe “Steps between the pane” janë veprat e saj në njërën prej tri studiove të “Grand Art Studios”.

Një kornizë metalike e ndryshkur mban një xham dritareje a dere të vjetër.

“Xhami është nga shtëpia e gjyshes sime, ka një histori të vjetër. Unë doja ta bëja si një fragment të kujtimeve, si diçka të pandarë. Kjo vepër ka të bëjë më shumë me një shtëpi tipike të vjetër që tash është shkatërruar dhe ka mbetur vetëm kujtim”, është shprehur artistja Trina Hashani.

Në anën tjetër, artisti Shkamb Jaka me veprën e tij “How to feel like an egg” përdor vezët si simbol i brishtësisë dhe matjes së besimit. Në një tavolinë të ndriçuar si një lloj inkubatori janë 34 vezë pa lëvozhgë. Jaka ka treguar se krejt ideja e veprës ka filluar nga një eksperiment të cilin e zhvillonte si fëmijë.

“Eksperimenti ka qenë shkrirja e një veze në uthull. Aty mbetet veç lëvozhga dhe mbetet vetëm veza shumë fragjile, e butë dhe bëhet transparente. Aty mund të shihet edhe e kuqja e vesë, brenda. Kur erdha në rezidencë, e kam parë këtë tavolinë dhe ashtu ka rrjedhur e gjithë puna”, ka thënë ai duke bërë të ditur se vizita e sërishme e tij në të njëjtin eksperiment është shumë më e thellë.

Artisti Shkamb Jaka me veprën e tij “How to feel like an egg” përdor vezët si simbol i brishtësisë dhe matjes së besimit. Çdo gjë nis prej një eksperimenti fëmijërie

“Titulli e ka një sarkazëm brenda, por çfarë kam krijuar unë është një inkubator që e përshkruan inkubatorin real, nuk e zëvendëson atë. Krejt ideja është që të bëhet publiku të mendojë se me të vërtetë po kujdesem për çeljen e vezëve, por kjo nuk do të ndodhë kurrë, ato vetëm do të mbesin brenda dhe do të thahen”, ka thënë Jaka. Është rikthim në fëmijërinë e tij me këtë eksperiment.

“Grand Art Studios” e ka nisur praktikën si hapësirë multidisiplinare. Sipas drejtorit menaxhues të fondacionit “Hajde!”, Adrian Berisha, projektet e tyre do të ndërlidhen me art, kulturë dhe trashëgimi kulturore.

“Hapësira do të ketë funksion multidisiplinor duke pasur parasysh sepse edhe e jep një mundësi të tillë të organizimit të ekspozitave të ndryshme e punëtorive, deri te punët që mund të kryhen nga donacionet që kemi marrë nga ‘Manifesta 14 Prishtina’. Funksioni kryesisht do të jetë të merremi me projekte të ndryshme që ndërlidhen me art, kulturë dhe trashëgimi kulturore. Ky është projekti i parë të cilin po e implementojmë në këtë hapësirë dhe përgjatë vitit do t’i kemi rreth pesë a gjashtë projekte të ndryshme”, ka thënë Berisha.

“Grand Art Studios” e ka nisur të funksionojë si hapësirë multidisiplinare. Sipas drejtorit menaxhues të fondacionit “Hajde!”, Adrian Berisha, projektet e tyre do të ndërlidhen me art, kulturë dhe trashëgimi kulturore

E ka vlerësuar jetike një hapësirë të tillë.

“Është jetike sepse arti dhe kultura janë të rëndësishme për emancipim shoqëror. Për ne ka qenë e dhimbshme mbyllja e Qendrës për Praktika Rrëfyese por ja që diçka po mbyllet, diçka po hapet. E rëndësishme është të ngrihet dijeni kolektive rreth rëndësisë së hapësirave të ndryshme. Kjo më së miri mund të bëhet nga komuniteti, por është e rëndësishme që institucionet publike të jenë të vëmendshme dhe të japin vëmendje të saktë dhe të duhur”, është shprehur ai. Qendrës për Praktika Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, në janarin e vjetëm iu vu dryni pas një viti funksionim e shpenzimit të 850 mijë eurove. Qe e vetmja shenjë e bienales nomade evropiane “Manifesta 14” në Prishtinë, që u mbajt prej fundit të korrikut deri në fund të tetorit të vitit 2022 dhe shtetit i kushtoi 4 milionë euro.

Në “Grand Art Studios”, veprat do të mund të shihen edhe për një javë. Për to, “Hajde!” ka të drejtë të shfrytëzimit të hapësirës në “Grand” deri në korrik të vitit të ardhshëm.