Kulturë

“Grammy” i rekordeve dhe homazhit për Los Angeles

Beyonce

Çmimi kryesor i ngjarjes prestigjioze, “Albumi më i mirë i vitit”, shkoi për Beyoncén dhe albumin e saj “Cowboy Carter”. Ylli amerikan ka fituar çmime “Grammy” më shumë se çdo artist në historinë e muzikës, por deri tash i ka munguar triumfi në këtë kategori të madhe e të rëndësishme.

Beyoncé dhe Kendrick Lamar janë fituesit kryesorë të ceremonisë së 67-të “Grammy”, gjatë një mbrëmjeje ku po ashtu u nderuan të gjithë ata që janë prekur nga zjarret shkatërruese në Kaliforni.
Çmimi kryesor i ngjarjes prestigjioze, “Albumi më i mirë i vitit”, shkoi për Beyoncén dhe albumin e saj “Cowboy Carter”. Ylli amerikan ka fituar çmime “Grammy” më shumë se çdo artist në historinë e muzikës, por deri tash i ka munguar triumfi në këtë kategori të madhe e të rëndësishme. Mirëpo, gjithçka ndryshoi të dielën mbrëma, kur më në fund, me albumin e tetë të incizuar në studio, arriti të përmbushë ëndrrën e saj. Trofeun në skenë ia ndanë anëtarët e departamentit të zjarrfikësve në Los Angeles. Kështu, këngëtarja u bë gruaja e katërt me ngjyrë që e fiton këtë shpërblim, të cilin përmes fjalimit të saj ia dedikoi Linda Martellit, një nga pionieret për artistët me ngjyrë në muzikën country dhe gruaja e parë afrikano-amerikane që performoi solo në “Grand Ole Opry”. Zonja Martell gjithashtu shfaqet në disa prej këngëve të albumit, “Cowboy Carter”.

“Kanë kaluar shumë vjet që e pres këtë çmim. Thjesht ndihem e nderuar dhe e përmbushur. Shpresoj që të vazhdojmë të hapim dyer për gjeneratat në ardhje. Zoti ju bekoftë. Faleminderit shumë”, deklaroi këngëtarja me ta pranuar çmimin në skenë, e shoqëruar nga e bija Blue Ivy Carter.
Po aq e shokuar, Beyoncé ishte edhe në momentin kur Taylor Swift e thirri emrin e saj si fituese e çmimit “Albumi më i mirë i zhanrit country”, me ç’rast tha se vërtetë nuk e kishte pritur këtë triumf. 
“Ndonjëherë zhanri është kufizues për artistët dhe unë thjesht dua t’i inkurajoj njerëzit të bëjnë atë që e kanë pasion”.

Beyoncé, e cila gjithashtu fitoi për “Performancën më të mirë dyshe”, me Miley Cyrusin, u bë artistja e parë me ngjyrë që fitoi “Grammy” në kategorinë e zhanrit country, në këta 50 vjetët e fundit. Gjatë mbrëmjes ylli i këtij zhanri, Chris Stapleton, mori çmimin për “Performancën më të mirë solo”. 
Në anën tjetër, Kendrick Lamar arriti t’i fitojë gjithsej 5 trofe për hitin kontrovers që ia dedikoi rivalit të tij Drake, “Not Like Us”. Ai fitoi çmimet “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Incizimi më i mirë i vitit”. Gjatë njërit prej fjalimeve në skenë, Lamar, i cili javën që vjen performon në finalen e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”, tha se dëshiron t’ia dedikojë çmimin qytetit të Los Angelesit që së fundmi është prekur nga zjarret shkatërruese. 

Pasi në ceremoninë e vitit të kaluar “Grammy”, dominuan gratë me më së shumti çmime të fituara nga yjet, Taylor Swift, SZA, Miley Cyrus dhe Billie Eilish, edhe në këtë edicion ishin artistet sikur Beyoncé, Sabrina Carpenter, Charli XCX, Doechii dhe Chappell Roan, ato që i rrëmbyen disa prej çmimeve kryesore të mbrëmjes. Në kategorinë ku konkurrenca është gjithmonë mjaft e fortë, “Artistja më e mirë e re”, Chappell Roan arriti t’i mund yjet, Shaboozey, Raye, Benson Boone dhe Sabrina Carpenter. Charli XCX i rrëmbeu gjithsej 3 çmime në kategoritë e zhanrit pop, por ishte Sabrina Carpenter ajo e cila triumfoi në kategoritë “Performanca më e mirë pop” dhe “Albumi më i mirë pop”. Doechii u shpall fituese e çmimit “Albumi më i mirë rep”, duke u bërë gruaja e tretë që triumfon në këtë kategori. SZA u nderua me çmim “Grammy” në kategorinë “Kënga më e mirë R&B” për hitin e saj “Saturn”, St Vincent i rrëmbeu trofetë për “Albumin më të mirë të muzikës alternative”, “Këngën më të mirë rok” dhe “Performancën më të mirë alternative”, kurse Kacey Musgraves u shpall fituese e çmimit “Kënga më e mirë e zhanrit country”, për hitin “The Architect”. Gjatë mbrëmjes u nderua edhe ylli i muzikës latine, Shakira, e cila fitoi çmimin “Albumi më i mirë pop-latin”. Këngëtarja e njohur kolumbiane ua dedikoi fitoren të gjithë emigrantëve në SHBA. 

Prezantuesi i ceremonisë, komediani Trevor Noah, e filloi natën duke iu referuar rrethanave “të pazakonta” që kanë ndryshuar motivimin e çmimeve të këtij viti. “Ky qytet sapo ka kaluar një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare në historinë amerikane”, tha ai duke folur për zjarret shkatërruese në Kaliforni. Për të nisur shoun ai prezantoi në skenë grupin “Dawes”, anëtarët e së cilit kanë humbur shtëpitë dhe instrumentet si pasojë e këtyre zjarreve. Ata gjithashtu kanë ndihmuar në mbledhjen e fondeve për afro 100 familje të tjera. Në një performancë të veçantë, emocionale dhe që i bënte homazhe qytetit Los Angeles, atyre iu bashkuan edhe artistë të shquar të muzikës si, John Legend, Sheryl Croë dhe St Vincent. Noah gjithashtu mori kohë për të përmendur disa organizata bamirëse, duke u bërë thirrje të pranishmëve në sallë dhe shikuesve në shtëpi, që të kontribuojnë me të holla për njerëzit në nevojë. 
Derisa e prezantoi çmimin për “Këngën më të mirë të vitit”, ikona e muzikës Diana Ross deklaroi: “Ju ftoj të gjithëve të dhurojmë dashuri, shpresë dhe kurajë për të gjithë ata që po përjetojnë dhimbje sonte, sidomos fëmijët të cilët janë pushtuar nga frika. Nuk jeni vetëm. Ju kemi në zemër dhe mendje gjatë gjithë kohës. Dua t’ua kujtoj gjeneratave të ardhshme se edhe në kohë të errëta, ne mund të bashkohemi për t’u ngritur në këmbë, për të sjell dritë dhe për ta mbajtur dashurinë gjallë”. 
Tutje, Ross vazhdoi me shpalljen e fituesit të çmimit “Kënga më e mirë e vitit”, që shkoi për reperin Kendrick Lamar dhe hitin e tij “Not Like Us”. Gjatë mbrëmjes, reperi po ashtu triumfoi në katër kategori të tjera si, “Incizimi më i mirë i vitit”, “Kënga më e mirë rep”, “Performanca më e mirë e zhanrit rep” dhe “Videoklipi më i mirë i vitit”. 

Lady Gaga dhe Bruno Mars e interpretuan së bashku këngën “California Dreamin” pas një klipi montues që shfaqte disa qytetarë të Kalifornisë, të cilët kanë humbur shtëpitë si pasojë e zjarreve. Dyshja më vonë doli në skenë për ta pranuar çmimin “Performanca më e mirë pop-duo”, për këngën e tyre shumë të pëlqyer dhe dëgjuar nga publiku mbarë botëror, “Die with a Smile”. 

Artistja Alicia Keys u nderua me çmimin special, “Dr Dre Global Impact”, me ç’rast para të pranishmëve në sallë foli për rëndësinë e diversitetit në industrinë e muzikës. 

“Prodhueset gra gjithmonë kanë fuqizuar industrinë. Andaj nuk është koha për të ndaluar zërat e ndryshëm. Thirrjet për diversitet, barazi dhe gjithëpërfshirje nuk janë kërcënim, por janë një dhuratë”, tha kantautorja e famshme amerikane.

Ndër performuesit e shumtë të mbrëmjes ishin edhe, Billie Eilish, Sabrina Carpenter, Chappell Roan, Charli XCX, Teddy Swims, Benson Boone, Shakira dhe The Weeknd, i cili bëri një paraqitje befasuese dhe një rikthim në ceremoninë shpërblyese “Grammy”, të cilën e kishte bojkotuar për disa vjet. 
Një nderim special gjatë shout të së dielës iu bë edhe yllit, Quincy Jones, që vdiq vitin e kaluar në moshën 91-vjeçare. Will Smith, duke bërë paraqitjen e tij të parë në një ngjarje të madhe të ndarjes së çmimeve televizive që nga skandali i shuplakës famëkeqe në ceremoninë “Oscar”, e quajti Jonesin “një nga figurat më novatore dhe më me ndikim të kohës sonë”, para se në skenë të dilnin për të performuar artistë të shquar të muzikës përfshirë këtu: Janelle Monae, Herbie Hancock, Cynthia Erivo dhe Stevie Wonder. 

Chris Martin po ashtu e interpretoi hitin e grupit “Coldplay” me titull “All My Love”, në kuadër të segmentit që përkujtonte yjet e muzikës që nuk jetojnë më si: Liam Payne, Kris Kristofferson, Cissy Houston, Marianne Faithfull, Bob Newhart, Wayne Osmond dhe Sergio Mendes.
Derisa vitin e kaluar Taylor Swift u bë artistja e parë që për të katërtën herë radhazi e fitoi çmimin kryesor “Grammy”, atë për albumin më të mirë të vitit, sivjet u kthye në shtëpi duarthatë pavarësisht se ishte e nominuar në gjashtë kategori. Yjet e tjerë të cilët nuk morën trofe gjatë mbrëmjes ishin, Post Malone, Ariana Grande dhe Billie Eilish.