Kulturë

Goblenët – yrneku i traditës që rikthehet

Goblenët janë tregimi i kaluar i dekoreve shtëpiake, që ngadalë po rikthehen në modë. Vetëm pak dekada më parë nuk është imagjinuar një grua që nuk di të bëjë punime të tilla. Sot është lajm nëse një vajzë e re e vazhdon a rikthen traditën.

Gobleni si vepër nuk i takon një kulture. Si pjesë dekorative e shtëpive është njëlloj universali kulturor. “Nacionale”, deri në njëfarë mase mund të konsiderohen përmbajtjet e asaj që është thurur me fije të holla penjsh shumë ngjyrash, nëpër vrimat e imëta të pëlhurës së veçantë për këtë punë.

Etnologia Zanita Halimi thotë se goblenët kanë qenë si njëlloj zëvendësimi i pikturave në muret e brendshme të shtëpive, ndërsa thotë se kanë pasur vend edhe në pajën e nuseve.

Dy rrëfime grash për goblenët e tyre janë përzgjedhje si mostër e një historie të mëhershme për gratë e Kosovës.

Tri dekada prapa

Hanumshahe Krasniqi-Sekiraqa, që ka kaluar më shumë se 30 vjet martesë, ka kohë që i ka hequr nga muret e saj goblenët. I kishte punuar si vajzë, për pajën e vet kur të shkojë nuse. E kujton se gjatë kishin qëndruar nëpër muret e dhomave e korridoreve të shtëpisë së saj në Fushë-Kosovë.

Kthimi mbrapa në kohë e ndalon aty diku para 32 vjetësh.

“Goblenat që i kam bërë unë janë të vjetër së paku 32 vjet. Atëherë puna e dorës është vlerësu shumë, edhe shumica e grave kanë punu”, kujton ajo.

Nga shumësia e goblenëve që kishte punuar Hanumshahja i kanë shpëtuar vetëm tre prej tyre. Edhe ata, së fundi, ia ka bërë dhuratë nipit të saj. Motivet që ka përdorur ajo janë të ndryshme. Në njërën, që ka formë ovale e kthyer vertikalisht është pasqyruar natyra. Saktësisht në stinë të dimrit. Një shtëpi me pullaz të mbuluar nga bora është në qendër, në prapavijë pylli po ashtu me borë, ndërsa në sy bien edhe tre lisa me degë të kthyera teposhtë.

Punimi i dytë i saj është me kafshë si motiv. Një çift kuajsh është në qendër, por edhe këtu në pamje të plotë është natyra, toka dhe qielli me ngjyrat e tyre përkatëse në stinën e ngrohtë. Vrapimi i kuajve që shikojnë njëri-tjetrin e u valëviten jelet, bashkë me ngjyrat e ndezura, i japin gjallëri kësaj vepre. Gobleni i tretë i saj është një objekt i kultit fetar.

Një xhami gjigante, me katër minare zë hapësirën më të madhe të veprës, në të cilën është pasqyruar edhe qielli e disa drunj të gjelbëruar para objektit fetar.

Ndalet për të shpjeguar se si i ka punuar ata këtu tri dekada më herët.

Image