Kulturë

Gjurmëve të Edith Durhamit një shekull pas, drejt njohjes së shqiptarëve

Pas më shumë se një shekulli që kur Durham kishte udhëtuar nëpër trojet shqiptare, bashkëvendësja e saj, Elizabeth Gowing, dhe përkthyesja në frëngjisht, Jacquelines Dérens, janë bërë bashkë për të folur pikërisht për gruan që ua hapi shtigjet në njohjen e traditës dhe kulturës shqiptare

“Tri udhëpërshkruese në Ballkan”, ka qenë titulli i takimit që për kryefjalë ka pasur studiuesen dhe antropologen e njohur Edith Durham. Jacquelines Dérens, përkthyesja në frëngjisht e veprës “Shqipëria e Epërme” të Durhamit, dhe Elizabeth Gowing, autorja e “Edith and I” dhe e veprave të tjera për shqiptarët e Kosovën, kanë folur edhe për njohjen dhe përvojat e tyre me kulturën, traditën e zakonet shqiptare. Për të dyja Durham (1863-1944) është nyja kryesore e lidhjes me traditat e hershme shqiptare.

Pas më shumë se një shekulli që kur Durham kishte udhëtuar nëpër trojet shqiptare, bashkëvendësja e saj, Elizabeth Gowing, dhe përkthyesja e saj në frëngjisht, Dérens, janë bërë bashkë për të folur pikërisht për gruan që ua hapi shtigjet në njohjen e traditës dhe kulturës shqiptare. Si njohëse të jetës dhe krijimtarisë së Durhamit, ato përmendën disa nga elementet kryesore që antropologen e shquar e shndërruan në heroinë të shqiptarëve.

Gowing ka përmendur qytetet si Prizreni, Prishtina, Suhareka, Rahoveci e Fushë-Kosova në të cilat mund të gjenden shkolla dhe rrugë që mbajnë emrin Edith Durham. Ajo gjithashtu theksoi se Durham është gruaja e parë që ka dalë në një pullë postare të Republikës së Kosovës. Sipas saj, ekziston një arsye pse shqiptarët e duan kaq shumë këtë zonjë të madhe.

“Ka një dashuri që unë mendoj që nuk ka të bëjë me faktin që është artiste, shkrimtare apo antropologe. Kjo është për shkak të punës së saj humanitare. Mendoj që ka njerëz në Kosovë dhe në Shqipëri që janë gjallë sot vetëm për shkak se Edith Durham ka shpërndarë farat për korrjen ose tavanet për shtëpitë që janë të djegur gjatë luftës apo dokumente të tjera. Ajo vetë ka lobuar për shpërndarjen e kësaj ndihme. Unë mendoj se për të qenë udhëtare duhet të jesh pak artiste, pak shkrimtare që ruan shënime rreth asaj që po sheh, por patjetër që duhesh me qenë kureshtare për njerëzit me të cilët takohesh”, është shprehur Gowing gjatë ligjëratës e cila u mbajt në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë

Objektiviteti me të cilin Durham u është qasur shkrimeve të saj ka qenë një element i rëndësishëm i cili ka krijuar vjegëzën midis saj dhe Gowing-ut, e cila ka vite që flet rrjedhshëm shqipen në dialektin gegë.

“Kureshtare por objektive. Gjithashtu duhet të ofrosh ndihmë dhe ti ke obligime kur takohesh me dikë dhe kjo vlen jo vetëm kur shkon në vend të huaj, por edhe kur je udhëtar në autobus apo qoftë kur shkon pak më larg rrethit të ngushtë. Për mua ajo është frymëzim i kësaj qasjeje që ajo ka ndaj udhëtimit, por edhe ndaj jetës”, ka thënë Gowing, e njohur edhe si aktiviste, promovuese e madhe e Kosovës së pasluftës, e angazhuar edhe si këshilltare e jashtme e kryeministrit Albin Kurti.

Natyra e shkrimit të Durhamit u përkthye pozitivisht edhe në punën e Jacquelines Dérens. E pyetur për vështirësitë që ajo kishte pasur gjatë përkthimit të “Shqipëria e Epërme”, Jacquelines Dérens u shpreh se qartësia dhe detajet e shumta nga të cilat karakterizohet vepra e Durhamit, e bëjnë përkthimin më të lehtë dhe më argëtues.

“Edit Durham është me të vërtetë shumë e qartë. Në fakt dukej më shumë sikur unë isha ajo që pyesja shqiptarët. Ishte e mahnitshme të lexoje shkrimet e saj rreth veshjeve të grave me të gjitha kodet e tyre: veshjet e grave të pamartuara, të martuara, ato të vajzave të reja, nuseve. Ishte e mahnitshme se si i përshkruante veshjet e nuseve. Në njëfarë forme ishte sikur unë po merrja pjesë në dasmë. Kështu që unë nuk ndjeva asnjë vështirësi në përkthimin e saj”, ka thënë Dérens, duke shtuar se përkthimi i veprës “Shqipëria e Epërme” i mori dy vjet kohë.

Përkthyesja dhe shkrimtarja Elisabeth Gowing ka shpjeguar arsyet pse vepra e saj mori titullin “Edith and I”. Përveç detajeve nga jeta e Durhamit, në këtë libër ajo shpalos edhe pjesë nga rrugëtimi i saj. Gowing deri tash është autore e gjashtë veprave, sikurse edhe e shumë shkrimeve për Kosovën e trashëgiminë e saj, botuar në media të njohura ndërkombëtare.

“Më së pari, kur flasim për librin tim, ‘Edith and I’ është e rëndësishme të shohim nëntitullin: ‘On the Trail of an Edwardian Traveller in Kosovo’. Do të thotë unë ndjek rrugën e saj. Arsyeja e këtij titulli është se kur kam filluar të shkruaj nuk kam pasur një profil të saj. Pra, përveç në Wikipedia dhe kuptohet librat e saj që janë autobiografikë, nuk ka pasur një libër rreth saj. Unë nuk u ndjeva si e kualifikuar për të shkruar një biografi për të dhe mendova që të shkruaj librin si diçka që tregon edhe për udhëtimet e mia”, ka shpjeguar Gowing, e cila gjithashtu ka përkthyer në anglisht biografinë e Adem Demaçit dhe kujtimet e Hasan Prishtinës.

Për ta bërë më interesante, Gowing vendosi të fuste në vepër edhe diçka nga biografia e Durhamit. Kjo bëri që “Edith and I” t’i takonte llojit të një vepre zhanresh të përziera.

“Mendova që mundem të shkruaj diçka që nuk është bash autobiografi, por unë shkruaj duke përshkruar të njëjtën rrugë që ka shkuar ajo dhe mandej se e kam krahasuar Kosovën që ajo e përshkruan me Kosovën e sotme. Kur e kam përfunduar këtë pjesë, kam kuptuar se duhet të përfshij edhe disa detaje autobiografike, sepse njerëzit kanë dëshirë të dinë diçka për babanë e saj apo gjyshin e saj, i cili faktikisht ka qenë tutor i fëmijëve të Mbretëreshës Viktoria. Pra, libri nuk është as biografi, as udhëshkrim, por është një përzierje zhanresh. Ka një pjesë të madhe që flet për mua. Se si unë e kam përshkruar atë se si është Kosova sot. Kështu mendova që të jem e sinqertë për lexuesin se ky nuk është libër autobiografi. Nuk është vetëm për Durhamin, është edhe personal”, ka thënë Gowing, e cila ka shtatëmbëdhjetë vjet që jeton në Kosovë. Libri “Edith and I” është botuar në vitin 2013 në gjuhën angleze.

Në këtë ligjëratë e cila u zhvillua edhe si bashkëbisedim midis publikut dhe dy studiueseve, Jacquelines Dérens u pyet edhe për mënyrën se si ajo i kujtonte shqiptarët në vitet e hershme kur ajo kishte mbërritur në Kosovë. Njëra ndër gjërat që i kishte lënë më së shumti përshtypje ishte mikpritja.

“Ishte pas luftës kur erdha për herë të parë. Nuk mund të flas për pamjen e cila ishte në gjendje të mjerueshme pas luftës. Por kur mendoj për njerëzit, ata gjithmonë ishin miqësorë. Unë po vija nga shtetet perëndimore dhe nuk flisja aspak shqip. Por ju gjithmonë mundoheni t’i ndihmoni njerëzit. Unë kurrë nuk kam takuar dikë që të më ofendonte. Ata gjithmonë mundoheshin të më ndihmonin me zemërgjerësi apo të pyesnin ndokënd tjetër për të më ndihmuar. Në një mënyrë unë nuk jam ndier asnjëherë e huaj”, ka thënë Dérens, në panelin e udhëhequr nga profesoresha Nerimane Kamberi.