Kulturë

Gjurmët e Shqipërisë së hershme rishfaqen në Kosovë nëpërmjet imazheve

“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, është titulli i ekspozitës, e cila nëpërmjet imazheve shpalos historinë e artefakteve. Fotografitë e kombinuara midis artefaktit dhe vendit ku është gjetur sjell panoramën gjithëpërfshirëse për të vendosur gjurmët e një Shqipërie të hershme

Një udhëtim nëpër koha të ndryshme historike vizualizohet në imazhet e kombinuara të ekspozuara në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Objekte të përzgjedhura nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë janë shfaqur në një formë të veçantë për publikun në Kosovë. Janë të mishëruara me imazhet e vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë. Ky gërshetim i fotografive ka ardhur si një shpjegim i qartë vizual për vizitorët. Fotografitë e vendeve me rëndësi historike të Shqipërisë janë realizuar nga fotografi Fation Plaku. “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, është titulluar ekspozita e hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara me imazhe synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe e ftojnë vizitorin në një itinerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, në këto anë për një periudhë që shkrihet nga antikiteti i vonë e deri te periudha bizantine dhe ajo osmane.

Një prej kryeveprave të skulpturës antike, është ndër imazhet e para në ekspozitë. Koka e Apollonit e punuar në mermer me lartësi 50 centimetra, në gjysmën e parë të shekullit IV p.Kr. duket sikur qëndron mbi teatrin e qytetit të Butrintit, ku u zbulua. Kjo e vizualizon emërtimin që i ka dhënë zbuluesi i saj si “Hyjnesha e Butrintit”. Po ashtu një pjesë tjetër e këtij qyteti është paraqitur me relievin e figurës së Nikës, i cili është punuar në mermer me lartësi 81 centimetra dhe gjerësi 47,5 centimetra. Ai ishte zbuluar në Vrintë të Butrintit dhe i përket gjysmës së dytë të shekullit V p.Kr.

Mes imazheve të tjera nuk ka munguar as vepra që konsiderohet si një ndër ekzemplarët më të bukur të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar për nga mënyra e modelimit dhe teknika e punimit artistik. Bëhet fjalë për “Kokën e Artemisës” e punuar në mermer të bardhë që i përket shekullit të IV p.Kr. Ajo duhet sikur ka çuar krye mbi Parkun Arkeologjik të Apollonisë. Mes 25 imazheve të tilla është edhe një skenë banketi e gdhendur në gur gëlqeror, e gjendur po ashtu në qytetin e Apollonisë. Në të është paraqitur imazhi i perëndisë Apollon me kitarë. Ai është i rrethuar me muzikantë. Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022 mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Image
Ekspozita e fton vizitorin në një itinerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, në këto anë për një periudhë që shkrihet nga antikiteti i vonë e deri te periudha bizantine dhe ajo osmane (Foto: Muzeu Kombëtar i Kosovës)

Drejtori i Muzeut Historik Shqiptar, Dorian Koçi, në ceremoninë e hapjes të mërkurën mbrëma ka vlerësuar se kjo ekspozitë tregon gjurmët e identitetit kulturor shqiptar. Aty, sipas tij, është përmbledhur një pjesë e thesareve të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë me mesazhin që kanë aty ku janë gjetur për të vendosur gjurmët e një Shqipërie të hershme, e cila përveçse përmes teksteve vjen edhe me foto dhe imazhe.

“Disa muaj më parë ne nënshkruam marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi. Do të thosha një marrëveshje të vonuar, sepse mendoj që do të duhej të ishte ndër marrëveshjet e para, jo sepse na ka munguar bashkëpunimi, por tani me institucionalizimin e saj, është me një kalendar të qartë dhe hapa konkretë që ne do të ndërmarrim”, ka thënë Koçi gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës.

Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti më 26 nëntor të vitit të kaluar, në një ceremoni të organizuar në Elbasan kanë nënshkruar Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

Sipas Çekut, kjo ekspozitë është një kalim më tutje nga akti i nënshkrimit në atë të konkretizimit të zotimeve që i kanë dhënë në kalendarin e përbashkët mes dy qeverive.

“Është një ekspozitë impozante, janë thesaret e Muzeut Kombëtar Historik, është dëshmia e së kaluarës e historisë sonë, por mbi të gjitha është një moment për ta festuar atë që na bashkon”, ka thënë Çeku në fjalimin e tij.

Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike, prej të cilave mund të përmenden koleksioni i objekteve parahistorike, ai i skulpturave, enët prej qeramike, monedhat ilire, greke e romake, objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë.

Si një objekt i veçantë konsiderohet edhe imazhi i Epitafit të Gllavenicës, që i përket vitit 1373. I gjetur në Ballsh, ai është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Antonit. Pamjet e qytetit të Beratit janë të shoqëruara me pikturat e veçanta të piktorit Onufër Qiproiti. Mjeshtëria e ngjyrave të ikonografit të parë shqiptar vjen te vizitorët kosovarë me pikturën “Dyert e bukura” të vitit 1951. Aty është ekspozuar edhe “Hija e Hyjlindëses në Tempull” e punuar në shekullin XVI nga Onufri.

Profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, e ka vlerësuar si një ekspozitë që i pasqyron vlerat shqiptare dhe të cilën çdo qytetar duhet ta vizitojë për t’u njoftuar më shumë me historinë e vendit.

“Është një ngjarje e jashtëzakonshme që muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë ia ofron Muzeut Kombëtar të Kosovës, muzeut sivëlla apo motër, një ekspozitë të një niveli kaq të lartë me vlera të jashtëzakonshme me të cilat shqiptarët duhet të mburren”, ka thënë Nimani për KOHËN.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” mbyllet me disa objekte të tjera ikonografike si ikona e “Shën Gjergjit”, e pikturuar nga vëllezërit Cetiri, ikona “Shpërfytyrimi” e pikturuar nga David Selenica e të tjera. Objektet e ekspozuara përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.